Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor, Francesco Paolo Figliuolo, takoi sot në Prishtinë kryeministren e Polonisë, znj. Ewa Kopacy gjatë vizitës së saj në Kosovë.
Kryeministrja dhe KOMKFOR-i diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe gjendjen socio-ekonomike si dhe rolin stabilizues të KFOR-it në Kosovë dhe përgjithësisht në tërë Ballkanin. Znj. Kopacz knfirmoi se qeveria e saj do të ketë vëmendjen në dialogun që është duke u zhvilluar, falë të cilit Kosova po evoluon në drejtim të duhur.
Znj. Kopacz siguroi gjeneralin Figliuolo se Polonia do të vazhdojë të mbështesë KFOR-in edhe në të ardhmen duke dërguar ushtarët më të mirë sikurse ka bërë që nga viti 1999.
Gjenerali Figliuolo falenderoi kryeministren në prezencë të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Punëve të Brendshme për bashkëpunimin optimal të ushtarëve polakë dhe profesionalizmin e tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm ndaj misionit në Kosovë, ku “ata janë ambasadorë të vendit të tyre”.
Pas takimit znj. Kopacz ka vazhduar vizitën e saj duke lëvizur për në Novosellë ku ka vizituar kontigjentin polak të ushtarëve.
Polonia është një nga kombet më të rëndësishme kontribuese në KFOR. Tash për tash, janë 250 ushtarë polakë që janë pjesë e stafit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, në Grupin Shumëkombësh Luftues Lindje (MNBG-E) dhe Detashmentin e Përbashkët Regjional Jug (JRD-S). Personeli polak poashtu merr pjesë edhe në misionin e BE-së të EULEX-it.
- Advertisement -