Policia: Katër policë të lënduar, 13 protestues të arrestuar

Policia e Kosovës njoftoi se deri tani janë lënduar katër zyrtarë policor, ndërsa ka arrestuar 13 protestues të dhunshëm. Po ashtu bëhet e ditur se kanë gjetur një çantë, ku dyshohet se ka koktej molotovi.

Lexoni të plotë komunikatën e Policisë së Kosovës

“Policia e Kosovës me 17.11.2015, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar katër (4) Fletë Arreste, për katër (4) deputetë lidhur me veprat e tyre penale që ngarkohen, e të cilët janë Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.

Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e Fletë-Arresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot me 18.11.2015 pas orës 08:00 të mëngjesit ka filluar me realizmin dhe zbatimin e Fletë-Arresteve.Njësitet relevante policore kanë shkuar në adresat e banimit të personave të kërkuar me Fletë-Arrest, për t’iu prezantuar Fletë-Arrestet dhe të njëjtit për t’i sjellë në Prokurori, ashtu siç parashihet në Fletë-Arrestet e lëshuara.

Deri më tani mund të ju konfirmojmë se në vendbanimin e saj është takuar deputetja znj. Donika Kadaj-Bujupi, të cilës i është prezantuar Fletë-Arresti dhe e njëjta ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë dhe bazuar në Fletë-Arrest e njëjta është sjellë në Prokurori.

Policia e Kosovës është në realizim e sipër edhe të Fletë-Arresteve tjera për personalitetet tjera që kërkohen dhe në momentet kur takohen të njëjtit do të sillen në Prokurori ashtu siç parashihet në Fletë-Arreste.

Ndërsa rreth orës 11:30, disa protestues prej rreth 150 personash, duke përfshirë edhe disa deputetë, janë mbledhur për të protestuar para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Lidhur me protestën e paparalajmëruar, Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet relevante policore për të ofruar siguri dhe për të kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Protestuesit fillimisht kanë qenë të qetë, mirëpo të njëjtit rreth orës 12:00 kanë filluar të shfaqin dhunë duke hedhur mjete të ndryshme, të rrezikshme, shishe me ngjyrë, duke përfshirë edhe koktej molotovi drejt njësiteve policore dhe objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Njësitet policore pas shfaqjes së dhunës nga ana e protestuesve, janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e ligjshme policore, me qëllim të shpërndarjes së protestuesve dhe parandalimit të dhunës dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme nga protestuesit e dhunshëm.

Policia e Kosovës, bazuar në planifikimet operacionale, ka vazhduar me monitorimin e situatës së krijuar nga protesta e dhunshme dhe me veprimet e saja ligjore për të arritur ta menaxhojë dhe ta vejë situatën nën kontroll.

Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, numri i zyrtarëve policorë të lënduar deri më tani (14:15) ka arritur në katër (4) zyrtar policor të lënduar.

Njësitet policore deri tani (14:15) kanë arrestuar trembëdhjetë (13) protestues të dhunshëm, si dhe kanë konfiskuar në vendngjarje një (1) çantë të dyshuar të mbushur me mjete të dyshuara si koktej molotovi.

Po ashtu si pasojë e hedhjes së mjeteve të ndryshme nga ana e protestuesve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në prona publike, duke përfshirë edhe uniforma dhe pajisje policore.

Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore lidhur me situatën e krijuar gjatë protestës dhe pas saj po i ndërmerr në konsultim dhe bashkëpunim me prokurorin kompetent”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT