Numri i pacientëve që po dyshohet se janë helmuar deri më tani në Deçan është diku 1500, ka thënë drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha.

Por, ai ka thënë se të gjithë ata kanë marrë trajtimin e nevojshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, njofton Klan Kosova.

“Kemi një hendikep këtu në QKMF meqë 11 mjekë kanë shkuar për specializim dhe kjo na ka vështirësuar organizimin e punës. Ndërsa, disa mjekë të rinj kanë shkuar në vende të huaja. Bëj apel te ata që të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të japin kontributin e tyre edhe në kushte pak më të këqija”.

Ndërkaq, ministri Vitia ka thënë se dy rastet e vdekjes në 24 orët e fundit në Deçan nuk kanë lidhje me rastet e dyshuara për helmim.