Petrit Selimi s’mund të jetë edhe zëvendësministër, edhe koordinator i Sfidave të Mijëvjeçarit

Agjencia Kundër Korrupsionit, përkatësisht drejtori i saj, Hasan Preteni, i ka dërguar zëvendësministrit të Jashtëm, Petrit Selimit, një opinion me të cilin i tërhiqet vëmendja për konflikt interesi, duke ushtruar njëherësh edhe funksionin e koordinatorit nacional në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, transmeton koha.net

Selimi kishte kërkuar këshillë nga Agjencia e Kundërkorrupsionit, nëse ushtrimi i këtyre dy funksioneve përbënte konflikt interesi.
Drejtori i Kundërkorrupsionit, Hasan Preteni në opinionin e tij sqaron se ushtrimi i këtyre dy funksioneve – zëvendësministrit të Jashtëm dhe koordinatorit nacional në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit përbën konflikt interesi.

Në opinionin sqarues rikujtohet se funksioni i zëvendësministrit bën pjesë në kategorinë e zyrtarëve të lartë publikë, të cilët e kanë për detyrë parandalimin e konfliktit të interesit. Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit parasheh që “Zyrtari i lartë publik nuk mund të jetë menaxhues ose anëtar i organeve menaxhuese në organizatat fitimprurëse dhe jofitimprurëse, përjashtuar subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet për shkak të funksionit”.

Dhe sipas këtij formulimi, drejtori i Kundërkorrupsionit konsideron se ushtrimi i këtyre dy funksioneve do të përbënte konflikt interesi. Kjo pozitë, sipas z. Preteni, hyn në kategorinë e funksioneve menaxhuese, që del nga vetë dokumenti i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.

“Prandaj që t’i shmangeni kësaj situate, AAK iu rekomandon që të zgjidhni njërin prej këtyre dy funksioneve”, përfundon opinioni i drejtorit të Agjencisë së Kundërkorrupsionit, Hasan Preteni.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT