Përplasja mes Prokurorisë e ministrave të Kurtit për rastin Dehari

Pas publikimit të dy gjetjeve të ekspertizës shtesë për rastin Dehari nga Prokuroria Speciale, zyrtarët e shtetit filluan me akuza për këtë institucion. Ministrja Albulena Haxhiu, Ministri Xhelal Sveçla dhe Vetëvendosje, e akuzuan Prokurorinë se po manipulon me rastin. Këtyre akuzave u është përgjigjur dje Prokuroria, duke publikuar edhe tri konkluzionet për mospublikimin e të cilave edhe u bën këto akuza.
Të martën në mesditë, Prokuroria Speciale publikoi dy prej gjetjeve të ekspertizë shtesë për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qelinë e burgut të Gjilanit, ku po mbahej për gati 70 ditë në paraburgim.

Sipas Prokurorisë, raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:

Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari.

Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit.

“Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar”, thuhej në njoftim.

Sipas Prokurorisë, raporti është pranuar në gjuhën frënge, ndërsa më 8 prill e kanë pranuar të përkthyer.

“Prokuroria Speciale njofton se raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe. Ndërkaq, më datë 08.04.2022, rreth orës 15:30, kemi pranuar raportin e përkthyer në gjuhë shqipe”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pas publikimit të këtyre dy konkluzioneve, nisën akuzat për Prokurorinë Speciale.

Ishte Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo e cila e akuzoi Prokurorinë për manipulim me rastin, meqenëse ishin publikuar vetëm dy gjetje, prej pesë sa ishin në tërësi.

“Po rasti Dehari është më i rëndi që ka ndodhur që nga koha e pasluftës. ajo që e kemi thënë në vazhdimësi asnjëherë nuk është trajtuar, ose më mirë të them se asnjëherë nuk ka pasur vullnet të trajtohet ky rast. Dje e kam pranuar raportin e dytë, ose po them më drejtë raportin plotësues të institutit zviceran. Natyrisht nuik e kam pranuar nga instituti. Dmth nuk ka ardhë nga instituti. Për shkak që nga ajo kohë kur ka ndodhë ky rast, instituti zviceran për shkak të ndjeshmërisë që ka pasur ka ndërprerë komunikimet me ministrin e drejtësisë. Mirëpo i njëjti ka shkuar tek prokuroria dhe gjykata e tek familja. Këtu më lejoni që të shpreh shqetësimin tim se ende pa shkuar tek familja raporti, prokuroria doli me komunikatë që të manipulojë opinionin publik, për faktin se në atë komunikatë shkruhen vetëm dy prej konkluzioneve e jo raporti i tërë”, tha Haxhiu në KTV.

Ajo u shpreh e bindur se Astrit Dehari është vrarë.

“Patjetër që po (është vrasje). Nëqoftëse e vlerësoni rastin prej dje, janë kthyer të të gjitha prej fillimit. Prej raportit zviceran. Prej raporteve të dy ekspertëve të cilët ishin kërcënuar nga ish-ministrja Hoxha. Ata ndihen të rrezikuar të vijnë në Kosovë për shkak të atyre kërcënimeve. Prej atyre që ndodhen pas rastit. Vdekja e dëshmitarit kryesor. Janë të shumta elementet që të qojnë se Astriti është vrarë”, deklaroi ajo.

Për gjetjet e kësaj ekspertize, Ministria e Drejtësisë doli dje edhe me komunikatë.

Por, në komunikatë, s’përmendej askund fjala vrasje.

“Astrit Dehari ka vdekur në duart e shtetit. Papërgjegjësia e organeve të shtetit ka prodhuar edhe këtë situatë të kobshme. Papërgjegjësia e sërishme e organeve, këtë rast e Prokurorisë Speciale, tenton të vrasë zbardhjen e drejtësisë.

Përkundër pengesave që kanë vendosur, individë apo grupe të ndryshme, të cilët tentojnë ende që të pamundësojnë zbardhjen e rastit Dehari, ato nuk mund ta sfidojnë në tërësi drejtësinë”, thuhet në komunikatë.

Akuzave të Haxhiut iu bashkua dje edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas Sveçlës, Prokuroria Speciale nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari.

“Prokuroria Speciale, para pak ditësh nxitoi për të alarmuar mbi Raportin e ekspertizës nga Instituti zviceran, për rastin Dehari. Ndonëse në këtë raport janë 5 konkluzione, Prokuroria Speciale vendosi t’i publikojë vetëm dy prej tyre, dhe duhet ta kuptojmë pse zgjodhi të mos e jap të vërtetën e plotë. Kush ia kërkoi që me nxitim të flasë pjesshëm për një çështje e cila ka vëmendjen mbase të të gjithë qytetarëve të Republikës.

Ky rast duhet të hetohet me profesionalizëm dhe pa asnjë ndikim. Drejtësia për të duhet të vijë në vend. Dhe në anën tjetër organet të cilat merren me këtë çështje duhet të jenë shumë të kujdesshme”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Edhe nga Vetëvendosje kanë drejtuar akuza ndaj Prokurorisë, duke thënë se s’ka publikuar pesë gjetjet, por vetëm dy prej tyre.

“Po bëhen 5 vite, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar profesionale e gjuhë e qëllim dashakeq. Nga një qasje e tillë nuk kemi si mos të jemi të zhgënjyer. Jemi të bindur, si aktivistë dhe si qytetarë, se asnjë pengesë e stisur, e asnjë individ apo grup, të cilët mund ta kenë qëllim moszbardhjen e rastit Dehari, nuk mund ta sfidojnë”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV’së, “vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por me arrestimin e tij”.

“Burgosja e Astritit dhe mbajtja për dy muaj pas grilave ishte sulmi i parë i dhunshëm kriminal ndaj të drejtave njerëzore e qytetare të Astrit Deharit, për të përmbushur kësisoj atë që më pas do përbënte edhe përfundimin e këtij krimi; nxjerrjen e tij si të vdekur nga burgu. Kësodore, vrasja e tij nuk fillon me vdekjen e tij, por pikërisht me arrestimin e tij nga dora e shtetit e që vdiq në duar të shtetit”, thuhet në komunikatën e VV’së.

Pas akuzave, reagon Prokuroria Speciale

Këtyre reagimeve u është përgjigjur dje Prokuroria Speciale, duke publikuar të gjitha gjetjet.

Prokuroria ka thënë se në asnjë mënyrë nuk ka manipuluar me prova, por vetëm se ka prezantuar mendimin dhe konstatimin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicërr.

“Andaj, kushdo që ka ndonjë dyshim mbi këto përfundime, le t’i drejtohet Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës për informacione shtesë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, siguron qytetarët se me seriozitet do ta trajtoj rastin në mënyrë të pavarur dhe profesionale deri në zbardhjen e plotë të rastit Dehari. Po ashtu, i sigurojmë opinionin se Prokuroria Speciale në asnjë mënyrë nuk do të ndikohet nga askush që pretendon të ndërhyj në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Pesë gjetjet e zviceranëve për rastin Dehari

Sipas dokumentit të publikuar nga Prokuroria, konkluzoni i parë është se objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen nuk kanë treguar profil të ADN përveç të Deharit.

Në konkluzionin e fundit thuhet se “e vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do t’ishte të riekzaminohet trupi pas një exhumimi(zhvarrosje)”, por se nuk e rekomandojnë.

“Në bazë të të gjitha elementeve që kishim në dispozicion dhe pas analizave të kryera në laboratoret e QURML dhe të Shkollës së Shkencave Kriminilogjike (ESC) mund t’i nxjerrim këto konkluzione:

1. Analizat ADN të ndërmarra mbi objektet që kanë qenë në kontakt me viktimën në një moment të afërt me vdekjen (brisk roje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucash dhe një pjesë metali), nuk kanë treguar profil të ADN përveç së atij të z.Astrit DEHARIT.

2. Ekzaminimi i fotografive të objekteve ka treguar se nuk është nxjerr asnjë gjurmë të gishtave që ka mundur të përdoret. Gjithashtu ekzaminimi i objektve fizike (shishja e plastikës #5, brisk roje #13, stilolapsi i lidhur për lidhësen e këpucës #14 dhe pjesa e metaltë #17)k kanë treguar se tentative të reja për të gjetur gjurmë të gishtave në këtë objekt nuk ishin relevante.

3. Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut perifrik të Astrit DEHARIT kanë treguar praninë e metabolit të kafeinës dhe mosprani të etanolit.

4. Nuk rekomandojmë analiza plotësuese në fushën e gjenetikës, të daktiloskopisë dhe të toksikologjisë.

5. Trupi i të ndjerit përbën provën më të rëndësishme, por edhe provën e cila më së paku është përdorur. E vetmja mënyrë për të gjetur prova të mundshme do t’ishte të riekzaminohet trupi pas një exhumimi (zhvarrosje). Megjithatë duke e pasur parasysh sa kohë ka kaluar dhe sa e rëndë është kjo masë, nuk e rekomandojmë.

Materiali i cili është vënë në dispozion të QURML do të ruhet duke pritur udhëzime të reja nga prokuroria”, thuhet në konluzionet që ka publikuar Prokuroria./Gazeta Express

- Advertisement -

MË TË FUNDIT