Ka përfunduar rinumërimi i 117 kutive të votimit sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Këtë e ka konfirmuar për Express, Valmir Elezi nga KQZ-ja. Ai tha se në orën 14:00 është përmbyllur ky proces.
“Në orën 14 është përmbyllur rinumërimi i të gjitha kutive të votimit.
KQZ-ja do të presë vendimmarrjen e Gjykatës Supreme lidhur me ankesat eventuale për të proceduar tutje drejt certifikimit të Rezultateve Përfundimtare”, tha Elezi.
Ndërkaq, ka përfunduar edhe afati i dorëzimit të ankesave për kandidatët për deputetë apo subjektet politike në Gjykatën Supreme.
Deri në orën 14:00, janë dorëzuar tetë ankesa, gjë që ka ndikuar në shtyrjen e certifikimit të rezultatit zgjedhor.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, certifikimi do të jetë i mundur pasi të bëhet rinumërimi i kutive për të cilat PZAP-i ka vendosur dhe pas vendimit të Gjykatës Supreme në lidhje me ankesat që janë bërë nga kandidatë për deputetë apo nga partitë politike që ishin garuese në këto zgjedhje.
Nga zgjedhjet e 11 qershorit mbetet të bëhet certifikimi rezultateve në mënyrë që të fillojë edhe konstituimi i institucioneve udhëheqëse në vend. /Express/