Përfundojnë pa rezultat bisedimet për krizën në Maqedoni

Në Bruksel, përfunduan pa ndonjë përparim bisedimet ndërmjet liderëve të partive politike në Maqedoni. Komisioneri evropian për politika të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit Johannes Hahn, tha në fund të takimit që zgjati afro 12 orë se, bisedimet ishin të hapura dhe të hollësishme, por nuk çuan në një marrëveshje përfundimtare.

Në një komunikatë të lëshuar pas bisedimeve, thuhet se Bashkimi Evropian u bënë thirrje të gjitha palëve që në interes të vendit dhe qytetarëve të tyre, të gjejnë pa vonesë një kompromis politik dhe të dalin me propozime konkrete mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Shkup më dy qershor. Përkushtimi i shprehur për reformat për të cilat janë pajtuar të gjithë liderët e partive duhet të zbatohen me urgjencë. Kjo është esenciale për çfarëdo përparimi në rrugën euro atlantike, thuhet në komunikatë në të cilën shprehet gatishmëria e Komisionit që të lehtësojë bisedimet.

Tema kryesore e bisedimeve mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, atij të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, ishte forma e qeverisjes deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm për të cilat u morën vesh takimin e para dhjetë ditëve në Shkup me ndërmjetësimin e komisionerit Hahn. /rel/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT