Banorë të shumë fshatrave kanë braktisur e vazhdojnë t’i braktisin vendbanimet e tyre në zonat rurale.

Ekipi i “Expose” është ndalur për një moment në fshatin Rakenicë të Skenderajt, ku në vizitën e parë të lë përshtypje të një fshati me numër të madh të banorëve, por në realitet është ndryshe, edhe ai është prekur nga fenomeni i braktisjes.

Ismet Durmishi, përfaqësues i fshatit Rakenicë të Skënderajt tha për dokumentarin “Expose” se pas luftës së fundit në Kosovë është vërejtur një lëvizje e popullsisë drejt qyteteve.

“Bajagi numër më të madh të banorëve ka pasur, mirëpo edhe atëherë lëvizja e njerëzve ka qenë e kufizuar, nuk ka pasur prespektivë jashtë fshati, ndërsa pas luftës është vërejtur një lëvizje e popullsisë nga qytetet, mirëpo për fat të mirë këtu që një kohë është ndalur ai trend i lëvizjes së njerëzve, tash për tash ata që janë, janë këtu” tha Durmishi për “Expose” raporton “Gazeta Blic”

Në këtë fshat vërehet se ka mungesë të fuqisë punëtore.

Të rinjtë e të rejat, sikurse edhe djemtë e përfaqësuesit të këtij fshati kanë migruar në vendet e botës për të siguruar një mirëqenie më të mirë.

“Një prej arsyjeve kryesore, pas luftës ka qenë banimi, kjo lagje këtu 80% ka qenë e djegur dhe derisa kanë pritur me u renovuar, dmth ajo ka qenë koha që kanë lëvizur më së shumti, ka qenë faza emergjente na kanë ndihmuar, mirëpo atëherë lëvizja ka qenë më e madhe e njerëzve” tha Durmishi për “Expose”.