Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë brenda pak ditësh. Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq do të takohen për herë të parë me njëri-tjetrin të martën e 15 qershorit në Bruksel me ndërmjetësimin e Josep Borell e Miroslav Lajcak. Megjithatë përballja mes dy politikanëve ka nisur në distancë. Vuçiq me ngulm e kërkon Asociacionin në tavolinë, derisa kryeministri Albin Kurti hapjen e arkivave të Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Haziri: Biden tha se krimet e luftës nuk falen, e as prishësit e paqes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të martën e javës së ardhshme në atë që shefi i Qeverisë kosovare thotë se “nuk është takim i dialogut”. Por negocimi mes tyre ka nisur në distancë me reagime e kundërpërgjigje.

Tema pa të cilën Serbia konsideron se dialogu s’ka kuptim, është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kurti, ndërkaq, ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion njëetnik.

“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, ka thënë Kurti të martën e javës që shkoi gjatë një vizite në Parkun e Biznesit në Prizren.

Të nesërmen, Kurtit, iu kundërpërgjigj presidenti serb, i cili tha se reagimi i Beogradit do të jetë “shumë i fuqishëm dhe i ashpër” sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiq ka thënë po ashtu se nuk pret që në takimin me kryeministrin e Kosovës, Kurti, t’i kërkohet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nëse ai nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”, është shprehur Vuçiq.

Kërkesës së Vuçiqit për Asociacionin, Kurti i është kundërpërgjigjur duke kërkuar hapjen e arkivave me informacione për fatin e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë. Këtë kërkesë, Kurti e përmendi të hënën edhe në një takim me Martin Schuepp, drejtorin rajonal për Europën dhe Azinë qëndrore në Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Ndërkaq partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, tha përmes një postimi në Facebook se kjo do t’u jepte qetësi familjarëve dhe gjithë shoqërisë.

“1639 është numër i madh, shumë më i madh kur bëhet fjalë për njerëz, persona, të dashur, familjarë, që vazhdojnë të jenë të zhdukur, ende të pagjetur. Serbia ka arkiv sepse krimet janë kryer nga shteti serb, andaj edhe do të duhej t’i hapë ato dhe ta ndajë informacionin e nevojshëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kjo do t’iu jepte qetësi familjarëve dhe gjithë shoqërisë që tash e më shumë se dy dekada pret të dijë për fatin e tyre. Qeveria jonë do të vazhdojë ta kërkojë hapjen e arkivit dhe do ta shtyjë këtë çështje në secilën qendër të rëndësishme evropiane dhe tej oqeanike”, thuhet në postimin e LVV-së në Facebook.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, tha te premten (4 qershor) se qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara është që të arrihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë ai e ka lënë të hapur mundësinë që Washingtoni të mbështesë edhe modalitete tjera të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, nëse për ato pajtohen të dyja palët.

“Vizioni ynë është që Serbia dhe Kosova të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Por, si mund të jenë dy vendet anëtare të BE-së nëse nuk e njohin njëra-tjetrën? Kjo (njohja e ndërsjellë) do të hapte rrugën evropiane për të dyja vendet. Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara e shohin njohjen e ndërsjellë si rrugën më të mirë për të arritur këtë”, ka thënë Palmer për televizionin N1 të Serbisë.

Në pyetjen nëse ekziston një “Plan B” , apo mundësia që të arrihet një marrëveshje por në të mos të përfshihet njohja, diplomati amerikan u përgjigj:

“Marrëveshja mund të jenë gjithçka për të cilën të dyja palët pajtohen. Qëllimi ynë është që të nxisim palët të ulen në tryezë dhe të paraqesin cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë. Ne nuk përcaktojmë agjendën, as nuk përcaktojmë rezultatin”.

Në anën tjetër, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk e përmend njohjen reciproke si pjesë të marrëveshjes finale mes dy vendeve që synohet të arrihet.

Dialogu do të vazhdojë të martën, më 15 qershor, njoftoi sot zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. Ky do të jetë ky takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por javën e kaluar, Kurti tha se nuk mund të flitet për kurrfarë dialogu në këtë takim.

“Ne mendojmë që dialogu i ardhshëm me palën tjetër ka nevojë për një platformë dhe strategji. Ne ende nuk jemi ulur në tavolinë me palën tjetër dhe rrjedhimisht nuk mund të flitet për asnjë lloj dialogu”, tha Kurti.

Ai theksoi se takimi me Vuçiqin do të jetë vetëm diskutim mbi formatin dhe ecurinë e bisedimeve që do të zhvillohen në të ardhmen.

“Takimi i mesit të qershorit që është paralajmëruar, nuk është paraparë për ta vazhduar dialogun e moçëm apo me të moçmën. Por është diskutim mbi formatin dhe ecurinë e diskutimeve në të ardhmen”, tha ai.

Ndonëse erdhi në pushtet duke insistuar se dialogu me Serbinë nuk është prioriteti i tij, Albin Kurti e kishte pranuar në seancën kur u zgjodh kryeministër se nuk mund të bëhet progres në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në dialog. Para kësaj seance, ai nuk e konsideronte prioritet të tij këtë çështje. Besonnte se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, ndër të cilat ai përmendte menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në ekspozenë e tij të shpalosur para deputetëve, Kurti tha se nuk mund dhe nuk do të bëhet asnjë kompromis me Serbinë, ndonëse SHBA-ja dhe BE-ja përmendin kompromisin pothuajse çdoherë kur flasin për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi.

“Asnjë progres nuk mund të bëhet në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në këtë fushë. Na duhet dialogu për kthimin e afër 3 miliardë eurove të pensioneve të pensioneve të vjedhura nga Serbia, për kthimin e mbi 400 milionë eurove të vjedhura nga keqpërdorimi i energjisë elektrike, për adresimin e dëmeve të luftës, për borxhet e për suksesionet. Pra, dialog që adreson dhe zgjidh problemet ekzistuese, e jo që krijon probleme të reja. Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve”, shprehej Kurti.

Deklaratat e Kurtit pas zgjedhjeve se dialogu s’është prioriteti i tij i kishin shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Washington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit ka thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare. Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë.