Fati i koalicionit Nisma – AKR – PD ka mbetur peng i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Edhe pse nga ky koalicion po deklarojnë se qëndrojnë mbi pragun zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka publikuar kurrfarë rezultati që konfirmon një gjë të tillë. Madje ende nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur do të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së.

Njohësi i çështjeve politike, Armend Muja, ka bërë një analizë të rezultatit zgjedhor pas përfundimit të numërimit dhe të rinumërimit të të gjithave votave, duke përjashtuar ato të diasporës, që kanë ardhur me vonesë.

Sipas kësaj analize, Muja thotë se numërimi i votave të diasporës, të cilat kanë ardhur më vonë, do të mundë t’ia jepte disa shanse të vogla koalicionit Nisma – AKR – PD që ta kalojë pragun zgjedhor.

“Rezultatet zyrtare mund të bëhen publike javën që vjen. Por mund të vonohen varësisht nga vendimi përfundimtar në lidhje me votat e mërgatës. Nisma ka ca shanse të vogla teorike te votat e vonuara të mërgatës dhe te ankesat. Megjithatë, këto vota përfshijnë vota që kryesisht favorizojnë LVV-në dhe LDK-në”, ka thënë ai për “Zërin”.

Mirëpo, duke iu referuar rezultatit të deritanishëm pa votat e vonuara të diasporës, Muja thotë se koalicioni Nisma – AKR – PD ka mbetur jashtë Kuvendit për 12 vota.