Qeveria e Kosovës dhe Presidenca do të vendosin nëse ushtria e ardhshme e vendit (Forcat e Armatosura të Kosovës) do të veprojë edhe në pjesën veriore.
Kështu ka deklaruar komandanti i FSK-së, Rrahman Rama. Ai ka thënë se FSK-ja nuk është mekanizëm që prodhon vendime të tilla, por thjesht i zbaton vendimet që merren nga institucionet përgjegjëse.
“Duhet të theksoj se ne nuk prodhojmë urdhra, por i zbatojmë ato. Çdo urdhër dhe çdo detyrë që del nga institucionet përkatëse, në këtë rast nga Qeveria dhe Presidenca, ne do t’i zbatojmë”, është shprehur Rama, në një intervistë për gazetën “Zëri”..
Kjo deklaratë e kreut të FSK-së vjen pas debatit që ka ngjallur në shoqërinë kosovare deklarata e kryeministrit, Isa Mustafa, i cili ka thënë se FAK-u do të mundë të shkojë në pjesën veriore të vendit vetëm pasi të marrë leje nga NATO-ja.
- Advertisement -