Partia Demokratike e Kosovës e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të kësaj partie Enver Hoxhaj për kryeministë, shkruan Reporteri.net.

Lajmin e ka konfirmuar sekretari i PDK-së, Uran Ismaili në një konferencë për medie .

“Sot jam i lumtur që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’jua shpalos vendimin e Partisë Demokratike të Kosovës se Kandidati i saj për Kryeministër është Kryetari në Detyrë, Profesor Enver Hoxhaj. Z. Hoxhaj, përpos karrierës së tij akademike, ka një përvojë të gjatë institucionale e politike. Ai ka punuar gjatë dhe afër me dy burrështetasit që sot nuk i kemi këtu, Z. Kadri Veseli dhe Z. Hashim Thaçi, duke realizuar aspiratat e qytetarëve për pavarësi e shtet-ndërtim. Partia Demokratike e Kosovës, po ashtu, hyn në këto zgjedhje me një program të qartë për nevojat e qytetarëve, dhe me një ekip të gatshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe politike të vendit|, tha ai.

Ismaili është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës, me kandidatin e saj për Kryeministër, Enver Hoxhaj, do konfirmohet si forca më e madhe politike në vend dhe do të dëshmohet edhe një herë si e vetmja që di të qeverisë dhe në qendër të qeverisjes së saj do të jetë qytetari.

PDK-ja ka mbetur pa kryetar, prej kur Kadri Veseli u arrestua dhe po mbahet në Hagë nën dyshimet për krime të luftës.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi Gjykata Kushtetuese doli me vendim se votimi i Qeverisë së Avdullah Hotit është jokushtetues, sepse aty ka votuar deputeti Etem Arifi, i dënuar me burg.

Në listën e ngushtë të kandidatëve të ngushtë që PDK-së për kryeministër janë përmendur Hoxhaj dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Ky i fundit ka thënë se nuk ka ambicie për të qenë kandidat.

Enver Hoxhaj ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Ramush Haradinajt dhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Isa Mustafës.