PDK: Veteranët e Drenasit mbështesin Lladrovcin

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një takim me përfaqësuesit e Organizatave të Dala nga Lufta, ka thënë se do të ketë bashkëpunim maksimal me ta dhe se trajtimi i çështjeve të ngritura nga këto organizata do të jenë prioritet i veçantë për të si kryetar i Drenasit.
Për virtytet e kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit ka folur edhe deputeti Agim Çeku.
“Si ish-shef edhe në qeveri i z. Lladrovci, edhe si komandant i tij, edhe si deputet, kam vlerësimin më të lartë, sepse ai është i guximshëm, punëtor dhe nuk synon mesataren. Për Drenasin do të bëj më të mirën e mundshme, qytetarët do të binden. Lladrovci ka mbështetjen e fuqishme për ta bërë Drenasin ashtu siç e meriton, meritën nga sakrifica, përkushtimi dhe uniteti në çdo situatë. Jo vetëm me vlerat prej familjes nga vjen, por edhe me përkushtimin e tij të vazhdueshëm, ka dëshmuar se ka aftësi të rralla dhe qëndrueshmëri në synimet e tij”, ka thënë Çeku.
Çeku ka thënë se ka mundësi të bëhet më shumë për veteranët dhe këtë do ta bëj Ramizi, “sepse i njeh çështjet tuaja, vjen nga radhët tuaja, ka gjithë tiparet që bartni ju si shoqata, të pjesës më të lavdishme të historisë sonë, për Drenasin që frymon me trinomin UÇK-Drenicë-PDK”.
Kurse, kryetari i veteranëve të Drenasit, Enver Hajdari, ka thënë se “Shoqatat e Dala nga Lufta mbështesin fuqishëm si çdo herë PDK-në dhe kandidatin Ramiz Lladrovci, për shumë arsye, por edhe e kanë besimin se më mirë se z. Lladrovci, nuk i kupton asnjeri, as nevojat, as synimet e shoqatave të dala nga lufta”.
Kandidati i PDK-së për Drenasin, Ramiz Lladrovci, ka premtuar se do të ketë përkujdesje të vazhdueshme për prindërit dhe familjet e dëshmorëve, sepse ata janë pasuri e jashtëzakonshme e këtij vendi.
“Invalidët dhe veteranët do ta kenë trajtimin me prioritet, në pajtim me ligjin”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka premtuar se do ta ndjekë me vëmendje dhe me përkushtim edhe çështjen e trojeve dhe rregullimin e strehimit për ta, por edhe çështjen e bursave për fëmijët e dëshmorëve. 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT