Partia Demokratike e Kosovës së shpejti pritet të mbajë Konventën zgjedhore të partisë, ku do të zgjedhen organet drejtuese, kryetari dhe Kryesia.

Është vet kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, që ka bërë të ditur se brenda partisë janë duke diskutuar për mundësinë që të mbahet Konventa, ku do të zgjidheshin kryetari i ri dhe Kryesia e re.

Megjithatë Hoxhaj nuk ka dhënë një datë se kur mund të mbahet Konventa dhe as nëse do të kandidojë për pozitën e kryetarit.

“PDK duhet me organizu një Konventë të punës me karakter zgjedhor, të përgatitur mirë për ta zgjedhur dikë që mund ta udhëheq Partinë Demokratike, të zgjedhet një kryetar dhe një Kryesi e re, këtë punë duhet ta bëjë në mënyrën sa më demoraktike”.

“Unë prej ushtruesit të detyrës duhet me japë dorëheqje, Kryesia me japë dorëheqje, me hy në proces të brendshëm dhe të garon ai që dëshiron ta udhëheq PDK-në duhet të garojë, ky është opinioni im se këto vendime do t’i merr Kryesia e PDK-së”, ka thënë Hoxhaj mbrëmë në Kanal10, shkruan Reporteri.net.

Hoxhaj më tej tha se në PDK nuk mund ta ushtroj edhe më tutje me ushtrues detyre.

“Ka ardhe koha ta bëjë një gjë të tillë (të mbahet Konventa) mos kërkoni datë kur do të mbahet”, tha Hoxhaj.

Kur u pyet për mundësinë që të garojë sërish për pozitën e kreut të PDK-së, Hoxhaj tha “jam duke e mendu”.

Edhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, njëherit deputeti Bedri Hamza, ka parlajmëruar mbajtjes e Konventës, që sipas tij mund të mbahet para zgjedhjeve lokale të tetorit.

“Ndoshta duhet të ketë proces ose një Konventë të partisë, ndoshta duhet të diskutohet edhe hapja e sjellja njerëzve të tjerë në parti sepse mendoj që ai që e merr përgjegjësinë me e udhëheqë partinë ka nevojë me e pasë edhe ekipën dhe definitivisht në PDK duhet të krijohet hapësirë që kanë qenë më pak në qeverisje dhe më pak në publik, të jenë më pak të rinj ose të reja”, ka deklaruar Hamza në emisionin Pressing në T7, shkruan Reporteri.net.

“Unë jam i bindur dhe insistoj që na të reflektojmë hapje. Mund të ketë konventë edhe para zgjedhjeve lokale. Është në diskutim, po megjithatë shpejt do të vendoset për mënyrën se si do të veprojmë”, ka shtuar tutje ai. /Reporteri.net/.