Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, thotë se PDK-ja nuk i sheh si prioritet koalicionet tani, prandaj edhe nuk është diskutuar kjo çështje në organet e kësaj partie.

Bytyçi kështu ia ka mbyllur derën Nismës për koalicion, pasi që gjatë së martës i pari i kësaj partie, Fatmir Limaj, tha se po pret ofertë nga PDK-ja për koalicion.

Bytyçi thotë se programi qeverisës është në fokus të PDK-së tani dhe hartimi i listës me të cilën do të garojnë në zgjedhje e jo koalicionet.

“Të vetmin fokus që ka Partia Demokratike e Kosovës në këto momente është programi qeverisës qe do t’ua ofrojmë qytetarëve të Kosovës. Ne tani më e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër, jemi në fazën e hartimit të listës me të cilën do të garojmë. Çështja e koalicioneve para dhe paszgjedhore nuk është prioritet për ne në këtë fazë. Për këtë arsye edhe nuk janë diskutuar në organet e partisë”, deklaroi Bytyçi për gazetën “Blic”.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të martën ka thënë se pret ofertë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për koalicion parazgjedhor.

“Jemi në negociata me PDK-në për koalicion parazgjedhor. Nuk kemi ndonjë ofertë, por tash i mbetet PDK-së që të vendosë”, u shpreh Limaj.