Pasi humbi Istogun, LDK merr edhe një lajm tjetër shokues!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë për komunën e Istogut, ka arritur që të shpallet fitues edhe atje. Gani Dreshaj i ka marrë fitoren Haki Rugovës së LDK’së, edhe pse ky i fundit në një prononcim për Gazeta Metro ka thënë se nuk e pranon këtë rezultat.

Tani AAK, pas Gjakovës, Rahovecit, Suharekës, Deçanit, Junikut, Obiliqit e Klinës, ka fituar edhe Istogun, duke bërë që t’i ketë 8 komuna në gjithë Kosovën.

Nëse numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë në Prishtinë dhe Dragash nuk e ndryshon rezultatin prelimintar, për ta kthyer në favor të LDK’së, atëherë partia e Isa Mustafës nuk do të jetë subjekti politik me numrin më të madh të komunave të fituara në zgjedhjet e fundit lokale. LDK në këtë rast do të kishte shtatë komuna të fituara, ndërsa AAK tetë sosh, shkruan gazetametro.net.

Numërimi i votave të rregullta në Istog kishte nxjerrë Haki Rugovën 671 vota para Gani Dreshajt. Por votat me postë dhe me kusht që kanë qenë mbi 1300 pro kandidatit të AAK’së dhe vetëm 60 pro atij të LDK’së kanë përmbysur rezultatin preliminar, dhe kanë bërë që këtë komunë ta fitojë partia e kryeministrit Ramush Haradinaj.