Pas takimit me Lajçak, Osmani: E bëra të ditur se dialogu duhet rishikuar, Serbia duhet ta njohë Kosovën me kufijtë aktual

U.D së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar para mediave pas takimit që pati me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian lidhur me dialogun, Miroslav Lajçak.

Osmani deklaroi se në takim me Lajçak e bëri të ditur në emër të institucioneve të Kosovës dhe në veçanti të Presidencës që procesi i dialogut duhet të ketë një rishikim.

“Ndër të tjerash do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe mbi të gjitha të respektojë interesat e veta dhe të qytetarëve të Kosovës.Në një proces që duhet të rezultojë me njohje reciproke, në kufijtë aktual të Kosovës dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës.Është shumë me rëndësi që sapo të konstituohen institucionet e reja, e Qeverisë dhe Presidencës të gjitha informatat për këtë proces 10 vjeçar ti drejtohen institucioneve të reja, në mënyrë që të gjitha ato marrëveshje të arritura të shikohen se deri ku kemi arritur me zbatimin e tyre dhe cilat janë pjesët që nuk janë zbatuar”, tha Osmani.

Tutje ajo theksoi se mbi të gjitha nga vlerësimi deri më tani del që Serbia nuk i ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve të arritura nga dialogu.

“Ne besojmë që duhet të hapet një kapitull i ri në këtë proces pasi duhet siguruar që të respektohet në plotëni mandati që marrim nga parlamenti,që do të thotë respektimi i vijave të kuqe që vendosen nga Parlamenti, të cilat nuk lejojnë të negociohet me kufijtë e Kosovës. Pra që integriteti territorial të bëhet pjesë e dialogut, apo që rregullimi i Kushtetueses dhe sovranitetit të vendit të bëhet pjesë e këtij procesi sepse Kosova e ka përmbyllur statusin e saj njëherë e përgjithmonë”, shtoi Osmani.

Vjosa Osmani deklaroi se s’ka çfarë të diskutohet për shtetësinë e Kosovës dhe se presin që ky proces të përfundojë me njohjen nga ana e Serbisë, të Kosovës si shtet i pavarur dhe me kufijtë aktual që ka.

“Është me rëndësi që në këtë proces të kemi një dakordim të afërt me opozitën, t’i informojmë në detaje me këtë proces, sepse vetëm kur Kosova flet me një zë mund të jetë e suksesshme në procesin e dialogut edhe në arenën ndërkombëtare prandaj edhe personalisht si presidente do të punojë shumë afër me opozitën, shoqërinë civile, mediat e mbi të gjithë me qytetarët. Presim që të ketë koordinim shumë të madh dhe të gjithanshëm ndërmjet Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, sepse vetëm kur ka pasur bashkëpunim atëherë edhe kemi pasur suksese në çdo proces”, tha Osmani, transmeton lajmi.net.

Osmani theksoi se Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe se është koha që në Bruksel dhe kudo të kërkohet përgjegjësi nga Serbia për krimet e kryera dhe të kërkohet drejtësi për të gjitha viktimat.

“Jo tani që po fillon edhe përkujtimi i ditëve të masakrave të shumta, por prej tani e deri në qershor nuk ka ditë që ne nuk përkujtojmë dikë. Pra ne do të kërkojmë drejtësi në Bruksel e kudo. Sepse atëherë kur ka drejtësi, atëherë mund të ketë edhe paqe. Ne presim që dialogu të ketë një qasje të barabartë, sepse siç e përmenda statusi i Kosovës si shtet i pavarur është determinuar në vitin 2008 dhe presim rol të përbashkët. Kosova gjithnjë ka treguar përkushtim për marrëveshjet e arritura e gjithnjë duke respektuar vendimet e marra. Marrëveshja finale presim të rezultojë me njohje reciproke, sepse kjo është zgjidhja e vetme që mund të sigurojë paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, shtoi ajo./Lajmi.net/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT