Pas takimit me Kurtin, Lista Serbe zbulon planet për votimin e Qeverisë së re menjëherë pas seancës së 22 marsit

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme takime me partitë e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Ata janë takuar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe, kryetarin e saj Goran Rakiq dhe me zëvendësin e tij, Dalibor Jevtiq, të cilët pas takimit nuk u deklaruan për media.

Megjithatë, përmes një komunikate për media, kjo parti serbe, ka thënë se është e gatshme për konsulta dhe bisedime që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve në të cilat jetojnë serbët sot në Kosovë.

“Kurti dhe Osmani njoftuan përfaqësuesit e Listës Serbe se më 22 mars do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit, dhe menjëherë pas saj edhe seanca ku do të zgjidhet qeveria e re. Lista Serbe, zonjës Vjosa Osmani dhe zotëri Albin Kurtit ua ka përcjellë qëndrimet se Lista Serbe, si përfaqësues ligjor dhe legjitim i popullit serb, është e gatshme për konsulta dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë sot serbët në këto zona, dhe se të gjitha partitë që ndajnë këto qëndrime, në Listën Serbe do ta kenë një bashkëbisedues”, përfundon komunikata e kësaj partie.

Osmani dhe Kurti kanë ftuar të gjitha partitë parlamentare për të diskutuar në lidhje me formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Dje gjatë ditës, dyshja është takuar me zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së, ndërsa të premten pritet të zhvillohet takimi me LDK-në.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT