Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i shoqëruar me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, gjatë ditë së sotme po qëndrojnë në Pejë.

Ata janë parë me aktivistë të Vetëvendosjes, shkruan Gazeta Blic.

“Duke ndodhur. Peja çdo ditë e më shumë në qendër të vëmendjes dhe vendimmarrjës.
Pejë 26.01.2020”, ka shkruar njëri nga aktivistët e Vetëvendosjes, teksa ka postuar këto fotografi të Kurtit e Konjufcës.

Ky takim vjen vetëm dy ditë pasi Vetëvendosje i bëri ofertë LDK-së, që në kompensim të postit të kryetarit të Kuvendit LDK t’i marrë 7 ministri.

Burime të Gazetës Blic të afërta me këto dy parti politike, kanë bërë me dije se partia e Albin Kurtit i ka ofruar edhe një ministri shtesë LDK-së së Isa Mustafës.

Dhe kjo me qëllimin e vetëm, që Vetëvendosje të vazhdojë ta mbajë postin e kryetarit të Kuvendit.

“Në ofertën e fundit që Vetëvendosje ia ka bërë LDK-së, parashihet që partia e Isa Mustafës t’i ketë 7 ministri. Kjo rritje e numrit të ministrive është bërë me qëllim që Vetëvendosje të vazhdojë ta mbajë postin e kryetarit të Kuvendit, ku më 26 dhjetor ishte zgjedhur Glauk Konjufca. Kjo ofertë i është bërë LDK-së gjatë këtyre dy ditëve”, tha ky burim i Gazetës Blic, i afërt me dy partitë.

Sipas këtij burimi, oferta e re nënkupton edhe shtimin e numrit të ministrive.

Burimi i njëjtë potencon se LDK përveç 7 ministrive, do ta ketë edhe të drejtën që ta propozojë emrin e mandatarit për postin e presidentit, vitin e ardhshëm kur pritet që t’i skadoj mandati presidentit aktual.

Sikurse dihet, në fillim Vetëvendosje dhe LDK ishin pajtuar që qeveria t’i ketë vetëm 12 ministri, mirëpo që Kurti edhe publikisht përmes një video mesazhi kishte kërkuar që ky numër të rritet në 14, duke iu shtuar një ministri LDK-së dhe një minoriteteve.

Për sot nuk është paraparë ndonjë takim ndërmjet dy partive.