Pas Kosovës edhe në Shqipëri nis eksodi i ikjes drejt Gjermanisë, Kukësi pikënisje

Katërmijë banorë lëshojnë vendlindjen vetëm në 2015-n, shumica drejt Gjermanisë.

Mijëra banorë të Kukësit dhe rrethinave po largohen çdo ditë, kryesisht drejt Gjermanisë, duke përmbushur kështu një eksod të heshtur dhe të dhimbshëm, por të pandalshëm si kurrë më parë. Me gjithë paralajmërimet e palës gjermane, por edhe të qeveritarëve shqiptarë që një ndërmarrje e tillë nuk do të gjejë mirëkuptim, turmat e familjarëve të vendosur drejt një udhe pa kthim mbushin autobusët apo kamionët, duke shpenzuar mijëra e miliona lekë të marra borxh ose siguruara nga shitja e gjithçkaje që kanë mundur.

Askush nuk ka një shifër ekzakte sesa njerëz janë larguar gjatë 3-4 muajve të këtij viti drejt Gjermanisë dhe padyshim as mund ta përkufizojë me saktësi se çfarë do të sjellë e nesërmja, por ajo që pohohet më me siguri është se sot për sot njerëzit kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë në vendlindje, dhe është fjala për Rrethin e Kukësit dhe më gjerë. Megjithatë, duke llogaritur numrin e familjeve të larguara nga disa fshatra të Kukësit si: Novosej, Shishtavec, Kollovoz, Surroj, Bushtricë, qyteti i Kukësit dhe periferia del se nga janari 2015 dhe deri me datë 8 prill 2015 janë larguar pak më shumë se katër mijë banorë.

Dëshmitë e

të larguarve

Për ta nisur me qytetin e Kukësit, nga lagje nr. 2 janë larguar rreth 100 familje. Dhjetëra familje nuk kanë lënë prapa pothuajse asgjë, pasi jetonin në banesa me qira dhe në mjerim të plotë për shkak të papunësisë të zgjatur prej vitesh. Ka pasur familje të mëdha, të cilat për të përfituar një ndihmë ekonomike, kanë qenë të ndara në disa pjesë deri edhe burrë e grua, por mirazhi i papërballueshëm gjerman i ka bashkuar përsëri, siç është rasti i familjes Demri me pesë fëmijë, prej të cilëve, dy i mbante burri dhe tri gruaja. Këta janë lajmëruar para pak ditësh në Gjermani, ku siç tregojnë, janë shumë të lumtur që u bashkuan dhe trajtohen me ushqim, me ndihmë mjekësore në kampet që i përshkruajnë si një parajsë. “Këtu të paktën ngopemi me bukë, fëmijët ndihen mirë, ndjekin shkollë ose kopshtet sipas moshës, ndërsa të rriturit kurse gjuhe, ne mund të bëjmë çdo sakrificë për këtë shtet”, ka thënë 40-vjeçari T. Demri në telefon. Ndërsa 49-vjeçari G. Peposhi nga e njëjta lagje ka ikur në Gjermani në fund të janarit 2015 me 29 anëtarë të familjes, duke bashkuar vëllezër dhe nipa në një autobus të vetëm. Kemi shpresuar se vendi ynë do të bëhej, por jemi zhgënjyer, mësohet të ketë thënë ai para se të nisej për në Gjermani. Ka prej tyre që kanë lënë bosh edhe vilat dhe dyqanet dhe janë bashkuar në karvanin e njerëzve që lënë vendlindjen. Në periferi të Kukësit gjen banesa ku vetëm zogjtë tashmë bëjnë fole, ndërsa nuk gjallërojnë si më parë nga zërat njerëzorë.

Noterizimi

i dokumenteve

Përkthyesi Jonuz Kola në Kukës tregon me dhimbje se ka një dyndje të papërballueshme të njerëzve që kërkojnë përkthimin e dokumenteve, kryesisht kualifikime pune, të cilët po largohen gjithashtu drejt Gjermanisë.

Në sportelin e gjendjes civile dhe ne zyrën e aplikimit për pasaporta biometrike mësohet se kohët e fundit ka një fluks të shtuar të kërkesave për pasaportë për shkak se, siç kanë pohuar vetë ata, do të udhëtojnë drejt Gjermanisë.

Në kafenetë e Kukësit, të cilat këto ditë rrinë të tejmbushura, nuk diskutohet tjetër veçse ikja prej Shqipërie. “Të ikim, se çfarë na pret nuk dihet, por të ikim…”, diskutojnë mes tyre njerëzit kudo në Kukës. Gjermania përbën një cak të admirueshëm prej shumë kohësh. Një 40-vjeçar, i cili kërkonte lekë borxh sa për biletë, thotë: “Gjermania ka nevojë për ne, ne jemi punëtorë të mirë dhe e duam atë shtet, edhe më herët, bile qysh në diktaturë ne kemi qenë tifozë me Gjermaninë, ne jemi racë ariane, apo jo”, thotë ai. Një qytetar tjetër tha një ditë se “ajo që po ndodh me politikën është shumë zhgënjyese dhe tregon se ky vend vuan për politikanë të ndershëm, nëse për ta shkatërruar këtë vend u deshën 50 vjet, për ta ndërtuar duhen 100, por nëse qeveritarët vjedhim duhen me mijëra vjet në mjerim”.

Gati asnjë njeri nuk të flet për zgjedhjet që janë në prag dhe që partitë kanë lëshuar tashmë tentakulat në çdo seksion partie. Zgjedhjet nuk përbëjnë tashmë asnjë të re për shumë njerëz në Kukës, të paktën tani për tani që kryetemë është vetëm ikja nga vendlindja, në një farë mënyre ikja nga vetvetja. Nuk ka më interes se kush do të zgjidhet kryetar bashkie. Një familjar thotë, duke abuzuar sigurisht, “nuk më intereson më se cili hajdut do të jetë në krye të bashkisë”. Deri dje kemi shpresuar, hajt se nesër do të bëhet më mirë, por siç po ndodh po bëhet gjithë e më keq, tha ai.

Zonat më të

prekura në Kukës

Fshatrat më të prekur nga fenomeni i emigrimit janë ato të komunave Shishtavec, Topojan, Zapod, Tërthore, Bushtricë, Surroj etj. Vetëm nga Novosej llogariten të kenë ikur gjatë vitit të fundit për Gjermani më shumë se 120 familje. Shkolla 9-vjeçare, e cila më herët ka pasur rreth 500 nxënës me klasa paralele të tejmbushura sot është reduktuar në vetëm disa dhjetëra nxënës. Klasa me më shumë nxënës është e 9-ta me 17 të tillë, ndërsa të gjitha të tjerat kanë nga dy ose më së shumti shtatë nxënës dhe janë të grupuara. Itinerari që ndjekin familjet emigruese është Kukës-Prizren-Shkup më tej në Serbi dhe nga Serbia në Rumani e nga Rumania në Gjermani. Një linjë tjetër është nga Kosova në Serbi dhe më tej në Rumani. Një numër të ikurish ndjekin itinerarin Shqipëri-Mali i Zi – Kroaci e kështu me radhë. Çdo person duhet të sigurojë të paktën 150 euro për biletë.

Destinacion i

radhës, Zvicra

Zërat të tjerë tërheqës për emigrim janë përhapur kohët e fundit për destinacionin Zvicër. Ndoshta vetë agjencitë e udhëtimit, apo kushedi kush, thonë se në fillim të muajit maj 2015, Zvicra do të hapë dyert për mijëra familje nga Shqipëria. Qysh këto ditë po bëhen përgatitje për të siguruar një mjet udhëtimi, një biletë për Zvicër, pa e peshuar edhe aq shumë se çfarë i pret në atë shtet. E veçanta e këtij eksodi është fakti se njerëzit po ikin me gjithë familje duke mos lënë askënd në vendlindje. Më herët nga këto zona kanë emigruar djemtë e rinj, kryesisht krahu i punës, duke mbajtur me të ardhura njerëzit në vendlindje. Sot po ndodh shpërngulja totale duke mos lënë prapa asgjë dhe asnjë.

Modeli? Ndoshta Kosova ka shërbyer si model i ikjes nga vetvetja, nga vendlindja me gjithçka. Asgjë nuk mund të thuhet me siguri, por duket se të njëjtat simptoma papunësie dhe depresioni vuajnë të dyja pjesët shqiptare. Madje pjesët jashtë këtyre njësive, pra jashtë Shqipërie dhe Kosove as që mund të shërohen më nga depresioni, ata pothuajse janë larguar në moskthim. Sidoqoftë, Shqipëria pas pak muajsh ka “festë”, sepse ka zgjedhjet edhe pse këta njerëz nuk duan ta dinë për këtë. Ata janë vënë në kërkim të zgjidhjes.

 Ambasadori

“Gjermania nuk jep azil ekonomik”

Alarmi për emigrimin në masë të shqiptarëve drejt Gjermanisë është dhënë edhe më parë, sidomos në fund të vitit 2014, kur shumë banorë të fshatrave të Vlorës u bllokuan nga policia, pasi po tentonin largimin nga Shqipëria. Për këtë arsye u vu në lëvizje, jo vetëm Ministria e Brendshme, por edhe ambasadori gjerman, i cili bëri një vizitë në policinë e Vlorës, nga ku bëri të qartë për të gjithë qytetarët shqiptarë se askush nuk mund të përfitojë azil ekonomik në Gjermani dhe i kërkoi të bëjnë kujdes për të mos rënë pre e mashtrimeve. “Çështja e emigrimit ilegal është një çështje që ne e ndjekim me interes e veçantë. Dhe në fakt numri i azilkërkuesve shqiptarë që nga tetori i këtij viti është dhjetëfishuar. Ne jemi krenarë që japim azil politik dhe u vijmë në ndihmë njerëzve, por Gjermania nuk jep azil ekonomik. Është e papërgjegjshme të gënjesh njerëz që mund ta përfitojnë këtë azil dhe t’i çosh deri aty sa të shesin pronën dhe bagëtitë. E përsëris edhe njëherë të gjithë ata që kanë shkuar në Gjermani për të marrë azil ekonomik, do të kthehen prapa”, deklaroi në atë kohë ambasadori gjerman, Helmut Hoffman.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT