PZAP-i urdhëron partitë politike që deri në fund të muajit t’i paguajnë gjobat, këto thonë s’kanë mjete.

Vetëm 85 mijë euro gjoba janë paguar nga rreth 360 mijë sa kanë borxh partitë politike nga zgjedhjet e kaluara.

Partitë, që në zgjedhjet e 6 tetorit derdhën shuma të mëdha parash për fushatën zgjedhore, janë dënuar për shkelje të ndryshme.

Sipas Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, këto shkelje lidhen kryesisht me thyerjen e heshtjes zgjedhore.

Për t’i paguar gjobat, partitë politike kanë afat vetëm edhe 10 ditë deri në fund të janarit, në të kundërtën shifrat do të rriten.

Mirëpo, një gjë e tillë, sipas LDK-së, nuk mund të bëhet shkaku i mungesës së buxhetit.

Pagimin e gjobave, që arrin vlerën 89 mijë e 600 euro, nuk mund ta bëjë as koalicioni AAK-PSD. Lulzim Leci, nga AAK-ja, thotë se nuk kanë mjete, sepse ato nuk u janë dhënë nga KQZ-ja.

E problem për pagesë duket se nuk ka Partia Demokratike e Kosovës. Vlera e gjobave për kandidatët e kësaj partie arrin shumën mbi 100 mijë euro, e deri më tani kanë paguar 45 mijë euro. Në një përgjigje për televizionin, ata thonë se brenda afateve do ta paguajnë gjithë borxhin që kanë.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk pajtohet me gjobat e do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, por që do t’i kryejë obligimet e tyre brenda afateve të caktuara kohore, raporton KTV.

Deri më tani, vetëm katër parti politike kanë shlyer borxhin e tyre ndaj PZAP-së për zgjedhjet e fundit.

Lista Serbe, Partia Liberale Egjiptiane, Pokret Za Gora dhe Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës kanë paguar gjobat në vlerë rreth 85 mijë euro.

Ndërkaq, nga zgjedhjet e 2017-s kanë mbetur edhe 3 mijë e 700 euro borxh nga partitë politike.