Vitin e kaluar, Glauk Konjufca u bënte thirrje partive të tjera që të mblidheshin bashkë për të garuar kundër tyre në zgjedhje. Tani, sipas mendimit personal të kryeparlamentarit Konjufca, zgjedhjet do të duhej të shtyheshin.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Pandeminë, që Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranonte si arsyetim kur kërkonte me çdo kusht mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare pas rrëzimit të Qeverisë Kurti I, tani po e përdor për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve lokale që mbahen muajin tjetër.

Pasi Qeveria e parë e LVV-së u rrëzua në mars të vitit të kaluar dhe përpara se Gjykata Kushtetuese të merrte vendim që Qeveria e re mund të formohej edhe pa partinë e Albin Kurtit, LVV-ja organizonte protesta masive në shesh me thirrjen “Duam zgjedhje”. Vetë Konjufca, që tani kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, nga emisioni i njëjtë (dPt te Fidani) ku të martën kërkoi shtyerjen e zgjedhjeve, atëherë i ftonte liderët e partive të tjera politike që të mblidheshin bashkë për të garuar kundër Albin Kurtit.
Reklamë

“Çu dil në zgjedhje! Çu dil në zgjedhje! Çohuni dilni në zgjedhje të katërtit dorë për dore, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj. Të katërtit në podium! Çohuni përpara; përpara Albin Kurtit. Të katërtit qe i ftoj qëtu. Të katërtit bashkë dorë për dore, Albin Kurti vetë. Ju sfidoj. Dilni dorë për dore të katërtit bashkë edhe thuani i kemi 82 vota. Para qytetarëve, në vota, keni me e pa rezultatin”, thoshte Konjufca në T7.

Zgjedhjet, theksonte ai, janë “ABC-ja e demokracisë”. “Demokracia kështu është. Demokracia kështu shkon”.

Por tani, kur kryeministri Albin Kurti më nuk mund ta përdorë menaxhimin me pandeminë për të mbledhur vota për zgjedhjet lokale, LVV-ja dëshiron t’i shtyjë ato. Rezultati tragjik i qindra vjdekjeve nga koronavirusi së fundmi, po tentohet të përdoret nga kjo parti për t’i shtyrë zgjedhjet dhe për ta evituar kështu ndonjë rezultat të pafavorshëm nga to.

Këtë ide, si “mendim personal”, e tha kryeparlamentari dhe anëtari i Kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca. Si arsye u përmend pandemia, për shkak të së cilës nuk ishin shtyrë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare më 14 shkurt, në të cilat kjo parti i mori 438 mijë e 335 vota, apo 50,280%.

“Nuk varet prej meje, por nëse unë do ta thoja mendimin tim personal, unë mendoj se zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca të martën në T7.

Bashkëpunëtori i Kurtit dhe njëri nga dy figurat më të rëndësishme në parti, garantoi se nëse zgjedhjet mbahen, në nëntor do ta kishim pikun e pandemisë.

“Po të garantoj që nëse mbahen zgjedhjet dhe nëse ka me pasë fushatë, unë mendoj që partitë politike kanë me e zgjedhë metodën e futjes nëpër familje. Nëse vazhdon ajo me një intensitet në Kosovë, ku i kemi mijëra asambleistë që e lypin votën për veten, mua ma merr mendja që në mesin e nëntorit mund ta arrijmë numrin e pikut që e patëm dy-tri javë përpara. Prapë kemi me ardhë në numrin më të madh të rasteve në mes të nëntorit”, tha Konjufca në “dPt te Fidani”.

Gati tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, pandemia vazhdon të jetë problem thelbësor në Kosovë. Në këtë pikë rrethanat e përgjithshme nuk kanë ndryshuar, ndonëse ato mund të kenë ndryshuar për LVV-në, e cila po qeveris me vendin nga marsi i këtij viti.

Partitë opozitare e kanë kundërshtuar menjëherë idenë e shtyerjes së zgjedhjeve, ndërsa i pari dhe më i zëshmi me reagim ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai tha dje se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet dhe ta prekë demokracinë.

“Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar – mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”. ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku tha se KQZ-ja është gati për t’i organizuar zgjedhjet në mënyrë shembullore, derisa kujtoi se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit ishin mbajtur pa asnjë vaksinë.