Mërgim Vojvoda ka një motiv shtesë për të shënuar në ndeshjen e sontme kundër Çekisë.

Vojvoda i cili shënoi kundër çekëve edhe në ndeshjen e parë, është i gatshëm t’iu hakmerret edhe sonte Çekisë për trajtimin që ia kishin bërë në një spital kur ky i fundit ishte si fëmijë, raporton Reporteri.net.

Dhe në rast se Kosova fiton, pavarësisht shënoi apo jo personalisht, Mërgimi, do t’i hakmerrej në mënyrën më të mirë çekëve.

Djaloshi nga Skënderaj që po shkëlqen te Standard Liege dhe te Kombëtarja e Kosovës ka një storie shumë interesante pas vetes.

Familja e Mërgimit kishte bërë një rrugëtim aspak të lehtë para 20 viteve ku u larguan nga Kosova në mënyrë ilegale, ku kishin ecur madje edhe maleve.

Mërgimi kishte qenë shumë i vogël atë kohë, ndërsa vëllau i tij, Gazmendi në një rrëfim ekskluziv për Reporterin tregon se si ia kishin keqtrajtuar vëllaun në një spital në Çeki.

“Pas lufte kur kemi dalur nga Kosova për në Evropë, Mërgimi ka qenë i vogël edhe para se me ardhë në Belgjikë në të zezën, kemi përjetuar shumë gjëra duke kaluar madje edhe nëpër male dhe 6 muaj kemi qëndru në Çeki,” kishte treguar për Reporterin, Gazemend Vojvoda, vëllau i Mërgimit.

“Mërgimi ka qenë i sëmurë edhe e patën ndalë në një spital në Çeki, edhe tash ky u kanë i vogël atëherë ka qajt nonstop se vetë në spital edhe kur kemi shkuar të nesërmen me pa në spital Mërgimi i thoshte nënës ‘Më ka bërtit doktoresha se nuk kam dasht me i pi hapat, edhe ma ka fut një shuplakë’”.

E Mërgimi shuplakën dhe trajtimin që ia kishin bërë në Çeki nuk e kishte harruar dhe i kishte premtuar familjes së tij se do t’i hakmerret atyre në ndeshjen në Prishtinë dhe ia kishte arritur qëllimit, pasi kishte shënuar golin e fitores.