Pandemia la mbi 43 mijë persona të papunë në Shqipëri

Shqetësimi i ngritur nga ekspertët në Shqipëri dhe të huaj për papunësinë për shkak për krizës është materializuar tashmë edhe në të dhënat zyrtare.

Sipas të dhënave të INSTAT, pandemia nxori mbi 43 400 të papunë gjatë vitit të kaluar, pasi numri i të punësuarve zbriti në 1,23 milionë nga 1.27 milionë që ishte në 2019-ën. Kriza e Covid-19 çoi shkallën zyrtare të papunësisë në 11.8%, nga 11,2% që ishte në 2019, teksa rritje ka pësuar edhe papunësia mes të rinjve duke prekur nivelin e 21.7% të 2020-ës.

Për ekspertin e punësimit, Erion Muça, pavarësisht të dhënave zyrtare të papunët e krizës janë më të lartë në numër duke marrë parasysh pjesën informale të tregut.

Sipas statistikave rënia më e madhe e punësimit është evidentuar në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, kryesisht për shkak të mbylljes së ekonomisë për 3 muaj si dhe goditjes së madhe që mori turizmi, një industri që në një vit normal punëson mijëra individë.

Punësimi ka parë rënie edhe në sektorin e industrisë dhe atë të bujqësisë një vit më parë, edhe pse ky i fundit i rezistoi pasojave të pandemisë. Nisur nga situata me pandeminë, ekspertët vlerësojnë se edhe 2021 do të shoqërohet nga një papunësi e lartë në vend. Sipas INSTAT, në fund të 2020 u regjistruan si të papunë 165.4 mijë individë në të gjithë vendin, rreth 5400 më shumë se në vitin 2019, njofton tch.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT