Panairi i librit në Prishtinë, nga 2 deri më 7 qershor

Panairi i 17-të i Librit do të mbahet nga 2deri më 7 qershor 2015, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar dhe fizionomi të arrirë, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore: 150-vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100-vjetori i lindjes së Roland Barthes, 100-vjetori i lindjes së Arthur Miller, 100-vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95-vjetori i lindjes së Mark Krasniqit e 20-vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli tha për KultPlus se përgatitjet veçse kanë filluar dhe se gjithçka është gati për 2 qershorin, kur edhe do të jetë hapja e Panairit të 17-të më radhë të librit.

“Promovime të librave do të ketë çdo ditë, do të jen 7 deri në 10 promovime ditore në ditë. Zakonisht për promovime agjenda është që një ditë më herët të promovohet për të nesërmen, për shkak se pjesa më e madhe e botuesve dhe autorëve nuk e dinë akoma gjenden e tyre. Për të qen më korrekt atëherë kemi menduar që një ditë më herët të bëhet promovimi i librave. Kemi menduar që të bëhet promovimi gjatë ditës që të shpërndahet në media që lexuesit të informohen dhe të nesërmen të mund ta gjejnë librin e caktuar”, thotë Zeneli.
SHBK-ja po ashtu ka paraparë darkën solemne më 6 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital si dhe shpallet: Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe), shkrimtari i vitit (letërsi e huaj), stenda më e vizituar.
Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj.
Ceremonia e hapjes do të bëhet më 2 qershor, në orën 18. Panairi do të mbyllet më 7 qershor, në orën 18:00.Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora.Numri i titujve të rinj, rreth 1.100. Numri i titujve të viteve të fundit, rreth 4.000.Panairin pritet ta vizitojnë rreth 35.000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT