Panairi i Lajpcigut, takimi më i rëndësishëm i pranverës për botimet dhe sektorin e medias, tërheq rreth vetes më shumë se 2000 ekspozues, duke u lejuar autorëve, lexuesve dhe shtëpive botuese të takohen, angazhohen dhe të zbulojnë çfarë ka të re në sektorin e medias.
Gjermania është tregu i dytë i librit në botë. Leximi atje, thuhet se konsiderohet sport kombëtar. Nëse hipën në metro ka më shumë gjasa të shohësh koka të zhytura në ndonjë roman sesa në një telefon celular.
Gjermania ka jo një, por dy Panaire Libri në vit, Lajpcigun në pranverë dhe Frankfurtin në vjeshtë. Nga të dy, ai i Lajpcigut duket më popullori. I detyruar të qëndrojë pas atij të Frankfurtit për 40 vite, në Gjermaninë Lindore komuniste, Lajpcigu ka rishpikur veten. Në ditët e sotme, panairi zhvillohet me Festivalin e Letërsisë “Leximet e Lajpcigut”, që paraqet lexime nëpër të gjithë qytetin. Panairi i Librit në Lajpcig konsiderohet shumë më popullor se homologu i tij në Frankfurt. Vizatimet Manga, takimet dhe shumë produkte falas…Nuk ka mungesa as nga ana serioze e Panairit të Librit në Lajpcig. Shteti i huaj i nderit ishte Izraeli. Fituese e “Çmimi i Librit për Kuptimin Europian” ishte autorja rumune post-moderne, Mircea Cartarescu.
Përshtypja e parë që të jep është se i përngjet më shumë një panairi argëtimi sesa një vendi tregtie intelektuale. Dy sallat e mëdha të ekspozimit janë të ndara nga një korridor i gjatë me çati qelqi, që përmban një oborr për ushqim dhe një sërë skenash, të mëdha dhe të vogla, të rrethuara nga kamerat televizive. Është viti i dytë që Panairi i Lajpcigut po mirëpret një kongres të librave vizatimorë manga. Një nga hollet e mëdha ishte plot me të rinj, të veshur me kostume si luftëtarë apo si vajza kolegji me funde të shkurtër dhe bishtaleca të lyera me ngjyra të çuditshme. Kishte madje edhe harkëtarë që u mësonin njerëzve sesi të përdornin shigjetën dhe harkun e madh japonez. Në përgjithësi mosha e vizitorëve ishte shumë e re.
Rëndësia kryesore e panaireve, përtej tërheqjes së publikut është për njerëzit në këtë biznes. Në Lajpcig, ke mundësinë brenda pak ditësh të shohësh kolegë nga shtëpi të tjera botuese, shtypin dhe pjesë të tjera të industrisë në një atmosferë të zakontë për të folur rreth projekteve të ardhshme dhe bashkëpunimeve të mundshme, si edhe për të marrë ndonjë këshillë librash. Megjithëse bota dixhitale ka mësyrë gjithandej, takimet ballë për ballë mbeten ende tërheqëse.
Programi ka përfshirë shumë ngjarje që tërheqin lexuesit e rinj.
Për një industri me gjasa në krizë, nuk kishte problem në mbushjen e katër hollëve gjigante me ekspozues, nga ata më të mëdhenjtë, deri te vendasit dhe specifikët. Nuk ka dyshim që panairet e librave janë një reklamë e mirë për librin e shtypur, si produkt.
Nuk është e rastësishme që botuesit u kushtojnë aq shumë energji kopertinave dhe paraqitjes së përgjithshme. Të gjitha për të ndihmuar një lexues të zgjedhë librin me pamje të parë. Duhet marrë me mend se çfarë panairi libri do të ishte sikur njerëzit të silleshin vërdallë me lexues elektronikë në duar. Një magnet i vështirë për audiencë.
A ka libri një të ardhme të ndritur? Duket se konsensusi në Lajpcig thotë “Po”.
Për botuesit, panairet janë rast i volitshëm për të botuar sasi të mëdha librash dhe të vënë në lëvizje efektin domino. Gazetat bëjnë recensione librash, që i bën njerëzit me dije rreth librave që qarkullojnë dhe më shumë klientë shfaqen në dyqan. Panairi i Lajpcigut, me pak fjalë, i shërben kauzës së fjalës së shtypur.
*Marrë me shkurtime nga Deutche Welle
Çmimet! Një poet, një historian dhe një përkthyes
Për të parën herë panairi nderon me çmimin e tij të përsëritshëm të fiction-it, një poet.
Çdo vit organizatorët paraqesin çmime në tri kategori të ndryshme; fiction, jo fiction dhe përkthim. Poeti i lindur në Hamburg, Jan Wagner bëri histori në këtë panair duke fituar ditën e enjte çmimin prej 15 mijë eurosh për kategorinë fiction, me punën e tij lirike “Regentonnenvariationen”. Philipp Ther fitoi kategorinë jo fiction me librin e tij “Die neue Ordnung auf dem alten Kontinent”. (Rendi i ri i Kontinentit të vjetër; Historia e Europës neoliberale). Mirjam Pressler ka përkthyer librin e autorit izraelit, Amos Oz “Juda” nga hebraishtja. Ajo fitoi në kategorinë e përkthimit për përshtatjen nga hebraishtja në gjermanisht të romanit të fundit të Oz-it “Juda”. Kjo fitore kombinohej mirë edhe me shkrimtarët izraelitë në panair, me 12 përfaqësues; mes tyre edhe Meir Shalev, Chaim Noll dhe vetë Amos Oz.
Festivali i leximit
Në Lajpcig, Panairi i Librit nisi ditën e enjte, më 12 mars, duke rastisur me një festival të veçantë leximi. Si ngjarja më e rëndësishme e letërsisë në këtë sezon, shkrimtarë dhe botues takohen për të krijuar rrjete dhe për të bërë marrëveshje, ndërsa vizitorët mund të njoftohen me përditësimet e fundit mbi tendencat brenda tregut të librit. Këtë vit panairi i kushton vëmendje të veçantë
50-vjetorit të marrëdhënieve gjermano-izraelite. Shumë ngjarje do të sjellin bashkëshkrimtarë izraelitë dhe gjermanë. Paralelisht me panairin, festivali “Leximet e Lajpcigut” mbahet në katër ditë. Gjatë kësaj kohe, afro 3 mijë pjesëmarrës performojnë në më shumë se 400 vendndodhje përqark qytetit, përfshirë këtu shkolla, kafene, librari, biblioteka dhe teatro.
Stenda shqipe
Në këtë ngjarje të madhe të letrave europiane, vendi ynë u përfaqësua nga poeti edhe eseisti Arian Leka, si edhe kritiku e studiuesi Gëzim Qëndro. Që të dy këta emra të njohur të letërsisë u zgjodhën nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë për përfaqësimin e vendit në Gjermani
Durrësi shkon në Lajpcig
Çfarë e nanuris më shumë qytetin, që mund të përdoret edhe si metaforë e Shqipërisë dhe e Ballkanit me dalje në Adriatik, logjika e “La dolce far’ niente,”, apo ritmi “javash- javash”?
Më 12 dhe 13 mars, shkrimtari Arian Leka mori pjesë në dy veprimtari, që u zhvilluan nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, rrjetit TRADUKI dhe Këshillit të Europës.
E para ishte një bashkëbisedim me qëllimin shkëmbimin e përvojave mes Lekës dhe autorit gjerman Uwe Rada, “Mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike”. Leka u fokusua rreth Durrësit, një qyteti tipik shqiptar. U fol për ambiguitetin paradoksal, por edhe ambivalencën e një qyteti, të cilit historia rreth 3000-vjeçare e ka vënë shpesh para sprovave, duke e bërë kryeqytet, kryeqendër dhe provincë njëherazi. Jo rrallë, siç u cituan tekstet e Arian Lekës të botuara në gjermanisht në revistën letrare “Lettre International”, ky qytet ka qenë fillim dhe fund.
Aty, në Durrës zë fill gjurma e krishterimit dhe e predikimit ekumenik, por po te ky qytet gjejmë fillesën e kundërvënies që iu bë fesë dhe besimit, pikërisht për shkakun se nga Durrësi zuri fill ateizmi shqiptar. Ky qytet me fytyrë detare, ku në mënyrë paradoksale kjo kulturë mezi mbijeton. Durrësi, qyteti i profesioneve të detit, që iu kundërvu vetes me qytetin industrial me “qytetin plastik”, me “qytetin kimik” që rrethoi qytetin natyror, qytetin antik, duke ia vënë në rrezik gjurmën mesdhetare. Ky është qyteti ky “tymtarët – oxhakët – fumaiolo-t” e anijeve u konkurruan nga oxhakët e fabrikave. Ky është qyteti që përmes ritualit të “xhiros së mbrëmjeve” duket sikur mban të gjallë lidhjen me agoranë e lashtë dhe me forumin. Por ky është gjithashtu edhe qyteti të cilit në përditshmërinë e vet i mungon jo vetëm një muze i traditave detare, por edhe në varrezë thuajse nuk gjen shenja detarie. Çfarë përkatësie ka sot ky qytet – ç’lexojmë dhe çfarë gjejmë më shumë nëpër rrugët e tij: fytyrën mesdhetare, gjurmën ballkanike, vulën e viteve të sundimit otoman? Çfarë ka qenë deti për këtë qytet? Çfarë kujtese ruan sot ky qytet, që mbi rrënojat e çmuara antike po ndërton Manhatanin e tij? Në nënvetëdijen e banorëve jeton frika dhe fobia historike se nga deti erdhën pushtimet, por edhe pavarësia e vendit nga deti erdhi. Ky qytet mirëpriti multikulturën, hapjen, pasurimin që erdhi nga brigjet e tjera, por ky qytet përjetoi edhe eksodet e mëdha pas pushtimit osman dhe pas viteve ’90. Çfarë e nanuris më shumë qytetin, që mund të përdoret edhe si metaforë e Shqipërisë dhe e Ballkanit me dalje në Adriatik, logjika e “La dolce far’ niente,”, apo ritmi “javash –javash ”? Publikut iu zbuluan aspekte të veçanta të jetës së këtij qyteti shqiptar, duke e përdorur këtë edhe si një simbolikë për gjithçka ka ndodhur për mirë apo për keq gjatë viteve, gjatë ndryshimit të sistemeve dhe periudhave tranzitore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kroaci dhe Mal të Zi.
Në programin Panairit për këtë veprimtari citohet krijimtaria e autorëve dhe shkruhet: “Shqipëria mbetet ende vendi më misterioz i Europës. Jo vetëm për shkak të izolimit të saj të gjatë dhe veçantive gjuhësore. Enver Hoxha dhe qindra-mijëra bunkerë përbëjnë tashmë një domethënie për shumë njerëz. Por si duket Shqipëria përtej këtyre pamjeve të mirënjohura?” Arian Leka, i cili i ka kushtuar një pjesë të madhe të veprës së vet artistike identitetit mesdhetar të Shqipërisë dhe qytetit të tij të lindjes, Durrësit, theksoi faktin se Shqipëria, është në kërkim të Adriatikut, njëlloj si Durrësi – qytet simbol i kulturës detare të Adriatikut ndër shekuj, në kontekstin e një “Europë që rritet në qoshet e saj dhe jo nëpër kryeqytete”. Tematika e kësaj veprimtarie u mbështet në esetë e Arian Lekes “In der Provinz geboren…” dhe “Quadrat im Schachfeld. Illyrer, Myrmidonen, Aromunen und Zigeuner – Balkanische Erinnerungen, botuar ne revistën “Lettre International”, vjeshtë 2012, pranverë 2015 si dhe në krijimtarinë e autorit Uëe Rada, kryesisht mbi veprën “Die Adria” (Adriatiku. Rizbulimi i një vendi malli, 2014).Një tjetër veprimtari që zgjoi interes brenda Panairit të Librit ishte ajo mes shkrimtares boshnjake Adisa Bašić dhe shkrimtarit Arian Leka. Biseda, e cila u zhvillua në forumin “Café Europa” trajtoi temën e multikulturalizmit dhe të bashkekzistencës së tij në shumë aspekte dhe dimensione në Ballkan, thënë ndryshe në Europën Juglindore, përkatësisht në Shqipëri dhe Bosnjë. Nëse i drejtohemi sinopsit që programi i Panairit të Lajpcigut paraqet për pjesëmarrësit, mes të tjerash gjejmë të shkruar se nisur nga faktet, klishetë dhe përfytyrimet e një ndarje të thellë e të dukshme, Islami dhe Europa, në më të shumtën e rasteve trajtohen si dy botë të ndara kulturalisht. Ndërkohë, në pjesë të ndryshme të Europës, myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë jetojnë së bashku prej qindra vitesh. Në Shqipëri dhe Bosnjë bashkekzistenca fetare është realitet normal. Por kjo nuk do të thotë se bashkëjetesa ka domethënien e paqes, se gjithçka ka shkuar pa konflikte. Gjithçka ka pasur çmimin e vet. Gjithçka që sot kemi dhe trashëgojmë si realitet dhe si kujtesë lidhet me faktet që ende nuk i kemi studiuar seriozisht, por thjesht i kemi interpretuar cekët dhe shpesh pa e ndryshuar as mendësinë dhe as metodologjinë e qasjes. Përveç trashëgimisë, ateizmi i Enver Hoxhës në Shqipëri kërcënoi besimtarët e të gjitha feve. Edhe në Bosnjë myslimanët dhe të krishterët, në të gjithë kohërat kanë qenë pjesë e problemit, por edhe e zgjidhjes. Përsa i përket bashkekzistencës së feve, Europa ka për të mësuar nga juglindja e vet.
Adisa Bašić dhe Arian Leka sollën përvoja vetjake dhe interpretuar faktet e përbashkëta që gjenden në të dyja kulturat, si dhe dukuritë e përveçme të asaj që shpesh e cilësojmë përciptas me terma që nuk kanë zënë ende vend: “bashkëjetesë”, “tolerancë”, si dhe qartësimin përmes interpretimit të fakteve se ç’i takon mitit, ç’i takon çmitizimit, ç’i takon realitetit, përditshmërisë, euforisë sonë jo krejt pa shkak apo dhe skepticizmit europian mbi këtë çështje, që shpesh vështrohet si përplasje kulturash, mendësish dhe qytetërimesh dhe herë si politikë ekzotike prej nga duhet të marrin shembull. Heshturakja e madhe me këtë rast mbetet bota akademike, që duke u tërhequr, ka lënë krejt fushën e lirë interpretimeve mediatike.
Arian Leka – Porti përballë zonës industriale…
Qytetet – port dhe viset bregdetare janë ato që i ndjenë pasojat e izolimit më shumë sesa qytetet e tjerë. Të mësuar me shkëmbimet dhe multikulturën, Durrësit i ra për short të shihte se si jeta zhvendosej nga porti drejt fushave, nga deti drejt tokës. Në një formë, kjo zhvendosje ishte shtyrja e atyre njerëzve drejt zanateve dhe zejeve të tjera, jo të panjohura, sigurisht, por disi absurde për njerëzit që jetojnë pranë detit: drejt bujqësisë së fermave dhe industrisë së lehtë. Ishte shndërrimi i një popullsie me tipare detare, të lidhur prej shekujsh me lundrimin, në një popullsi tjetër, së cilës i duhej të përvetësonte huqet e tokës, të lidhej me stinët tokësore, të kuptonte ritmin e rritjes së bimëve, limfën e drurëve, të mësonte emrat e erërave të brendatokës, të njihte ftohmat, ngricat, brymërat, acarin, të nxinte masat dhe distancat me metër shirit, me hektarë, me kilometra dhe jo me milje detare, të përdorte kompasin agrar në vend të kompasit të hartave, të ç’mësoheshin me emrat e peshqve e të frutave detarë dhe mësonin emrat e gjedhit e të bagëtive, dallimet mes atyre që rriteshin për mish nga ato që rriteshin për lesh e për bulmet.
Asaj popullsie do i duhej t’ia merrte dorën lopatave që mihnin dhe përmbysnin dheun dhe të harronin rremat. Do i duhej të mbanin mirë e drejt timonin e lesës dhe plugut, që nuk ishte njëlloj si timoni i barkës. Në vend të hartave nëndetare, me kanale, rryma, cekëtina, orare baticash e zbaticash, atyre njerëzve do u duhej të mësonin hartën topografike të kanaleve ujitëse dhe të vijave kulluese, të njihnin përmbytjet nga shirat dhe të ngrinin skarpate, pendesa e diga. Në vend të rrymave dhe llojeve të dallgëve, do u duhej të mësonin llojet dhe përbërjet e dherave. Në vend të aromës së kripës, jodit detar dhe të kutërbimit të peshkut, ata njerëz, atëbotë do të fillonin të mbanin erë dhé. Një racë e re, njerëz të rinj, po shfaqeshin në horizontin e qytetit detar: ishin fermerët, bujqit dhe blegtorët e dhenve. Asgjë nuk do të kishte më të njëjtën vlerë, të njëjtën domethënie. Qyteti do të funksiononte i ndarë në dy gjysma dhe s’do binte më kurrë në ujdi. Ishte e thënë: njerëzit e tokës dhe njerëzit e detit, që nuk kanë të njëjtin shpirt, nuk duhet të kishin as të njëjtën mendje. Për njerëzit e tokës, të frynte erë, të binte shi, donte të thosh se poleni shpërndahej, dherat ujiteshin, ngjalleshin bimët. Ndërkohë që për njerëzit e detit e njëjta erë dhe i njëjti shi donte të thoshte “mos dil në det!”, “lidhe fort pas molit anijen!”. Për një qytet të vetëm si ky, nuk qenë të mjaftueshëm të njëjtët shenjtorë, nuk qe i mjaftueshëm një ritual, një lloj blatimi, siç nuk qe e mjaftueshme një perëndi unitet. Tjetër zoti i faleshin njerëzit e tokës, tjetër perëndie i luteshin njerëzit e detit. Madje dhe qiellit, para se nga kjo zonë të fillonte lëvizja ateiste, i duhej të përshtaste dy a më shumë qëndrime. Një gjendje për njerëzit lundrues, kulturë shtegtare, pa plëng, lëng në gotë, pa shtëpi pa themele, ndonëse me çati. Gjendja shpirtërore e atyre njerëzve ndryshon po aq shpejt sa ndryshon drejtim era brigjeve. Qëndrim tjetër lipsej për tokësorët. Mendja e tyre tundet, por nuk shkulet, udhëton ngadalë, jo me shpejtësi zëri, as me shpejtësi drite. Mendja e njeriut të tokës udhëton me shpejtësinë e sythit, përdor logjikë rrënje, limfe dhe bime. Por zona industriale nuk i shndërroi vetëm në fermerë, bujq e blegtorë njerëzit e detit. Ajo krijoi punëtorët, njohës të vinçave, njohës të teknologjisë së shkrirjes dhe përpunimit të gomës dhe plastikës, njohës të shndërrimit të helmeve kimike në pleh, prodhues radiosh e televizorësh. Shenja u ndryshimit u bë e dukshme në kohën kur oxhakët e këtyre fabrikave do të nxirrnin më shumë tym se ç ‘nxirrnin fjolla fumaiolo-t e anijeve teksa çanin detet apo ankoroheshin në mol. Të ishe fëmijë në një qytet me kantier detar, vendit ku projektoheshin dhe ndërtoheshin anije, nuk ishte njëlloj si të ishte fëmijë në një qytet që ka minierë, punishte druri apo një fabrikë teli. Anijet e prodhuara në kantierin detar më lidhnin më fort me qytetin, më bënin të besoja se vendlindja ime ndërtonte diçka që ia vlente, diçka të denjët, të aftë – sfidë dhe aventurë. Të ndërtoje varka dhe anije në qytet, ishte si të kishe në shtëpi një punishte ku prodhohen Pinocchio, të cilëve nuk i thua “ec”, por “lundro”…Veçse e gjithë kjo botë kujtimesh tani lëkundet, me sa të duket se do të fundoset nga çasti në çast. Qyteti sot ngjan i rehatuar mbi një qetësi tipike, lënguese, vrasëse. Qyteti nuk prodhon. Gjithçkaja e dikurshme tani është shndërruar në Asgjë. Dhe era, që vë në lëvizje mendjet mesdhetare, shfryn në veshët e vendasve shprehjen dolce far niente javash – javash. Qyteti duket sikur është ndalur. Ndoshta po mendohet pak, përpara se të zgjedhë midis tri gjendjeve që u ofrohen qyteteve: të zvarritet (?) të ecë (?) apo të fluturojë(?) në historinë e tij të re.
Nata Ballkanike
Shëtitje letrare mes qytetesh të Europës juglindore
keni qenë ndonjëherë në Bukuresht ose Sarajevë, në Beograd, Vaduz ose Tiranë?Këtë vit, i ftuar është publiku i Leipzigut t’i jepet në natën tradicionale Ballkanike një turi letrar mes qytetesh të Evropës juglindore. Autorë nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Lihtenshtejni, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Sllovenia prezantojnë historitë dhe librat e tyre me vlera.
Atilla Aksoj dhe Jelena Milušić do ta mbushin natën me tinguj nga repertori shumëngjyrësh i muzikës ballkanike të romëve dhe arumunëve, nga këngët popullore maqedonase dhe këngëve qytetare boshnjake, sevdalinkave.
Kritiku dhe studiuesi i artit, Gëzim Qëndro mori pjesë në “Natën Ballkanike” e cila krijoni mundësinë e leximeve autoriale, debateve, bisedave e shkëmbimeve mes autorëve dhe shtëpive botuese.
Prishtina nuk ka lumë
Dialogu letrar kosovar-serb nisi pas një pauze prej disa dekadash në 2010, në Panairin e Librit në Leipzig. Sasa Ilić ishte një nga autorët e parë serbë që udhëtuan në kryeqytetin e Kosovës, dhe botuesi i antologjisë Përzemërsisht nga Beogradi nga autorë të rinj serbë, e cila u botua në gjuhën shqipe. Antologjia Përzemërsisht nga Beogradi erdhi edhe i përkthyer në serbisht nga autorë të rinj kosovarë. Ervina Halili përfaqëson gjeneratën më të re të autorëve kosovarë dhe ishte në 2014, në kuadër të një programi shkëmbimi serbo-kosovar Writer in Residence, në Beograd.
Dialogu letrar serbo-kosovar do të vazhdojë edhe këtë vit në Panairin e Librit në Lajpcig, ku ditën e sotme do të ketë një debat sesi duket sot qyteti që dikur duhet të ishte qyteti i vëllazërimit dhe njësimit të Jugosllavisë. /mapo.al/
- Advertisement -