PAN e LAA ankohen në PZAP – Mospërputhje rezultatesh e vjedhje votash mes kandidatëve

Pas shpalljeve të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 11 qershorit, jo pak ankesa ka pasur ende pa u bërë 24 orë nga publikimi i shifrave dhe emrave të partive e koalicioneve parazgjedhore.

Afat për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka deri në orën 14:00, por tashmë veç janë paraqitur tetë pakënaqësi nga dy koalicionet – PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP-it, ka thënë për Klan Kosovën se deri në orën 11:00 kanë pranuar tetë ankesa, porse deri në afatin e fundit, që është ora 14:00 e ditës së premte, numri i ankesave mund të shtohet.

“Kemi pranuar 7-8 ankesa deri më tani. Ankesat janë nga koalicioni PAN dhe koalicioni tjetër LDK-AKR-Alternativa. Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me mospërputhjen e numrave. Partitë kanë tjera numra ndërsa nga KQZ-ja janë shpallur të tjerë”, ka thënë Desku për Klanin.

Ankesa ka edhe brenda koalicioneve, ka treguar Desku.

“Ka ankesa edhe nga kandidatët. Ankesa të llojit se i janë marrë vota një kandidati dhe i janë vendosur një tjetri”.

Pas pranimit të ankesave PZAP ka 72 orë që t’i shqyrtojë ato dhe të vendosë në favor të ankuesve, ose jo.

Rezultatet e zgjedhjeve janë publikuar të enjten nga KQZ përmes kryetares Valdete Daka.

Sipas rezultateve, ende të pacertifikuara, koalicioni PAN ka 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 32, ndërsa koalicioni LAA 29.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT