Autoritetet në Kirgizi kanë thënë se gjendja në kufirin e kontestuar me Taxhikistanin vazhdon të mbetet e tensionuar pas raportimit për mbi 40 të vrarë, përfshirë disa civilë.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Shërbimi Kufitar i Kirgizisë tha të shtunën se ka regjistruar lëvizje të pajisjeve ushtarake të Taxhikistanit drejt kufirit dhe se forcat e vendit fqinj po bllokojnë një rrugë që lidh dy rajone të Kirgizisë në rajonin Batken.

Forcat e Taxhikistanit hapën zjarr në drejtim të shtëpive të banuara që më parë ishin evakuuar në distrikin Leilek, ndërsa njësitë ushtarake kufitare të Kirgizisë zunë pozicione mbrojtëse, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Përleshjet filluan të mërkurën, më 28 prill, pas një mosmarrëveshjeje të dhunshme mes banorëve nga të dyja anët e kufirit rreth instalimit të kamerave vëzhguese dhe një pike për shpërndarjen e ujit.

Pas rreth 24 orësh përleshje, palët njoftuan për arritjen e armëpushimit. Kjo po cilësohet si përleshja më e rëndë mes dy ish-republikave sovjetike që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik më 1991.

Kirgizia njoftoi se 31 shtetas të saj janë vrarë dhe 154 të tjerë janë lënduar gjatë luftimeve dhe gjuajtjes me gurë mes banorëve. Autoritetet thanë se rreth 20 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, u evakuuan nga fshatrat që shtrihen afër kufirit.

Krahu i një personi të lënduar gjatë përleshjeve

Taxhikistani, shtet autoritar me kontroll të rreptë ndaj rrjedhjes së informatave, tha se nëntë qytetarë janë plagosur. Sidoqoftë, korrespondentët e Radios “Evropa e Lirë” nga zona ku ndodhën përleshjet thanë se së paku 12 shtetas të Taxhikistanit janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar.

Si shumë zona tjera kufitare në Azinë Qendrore, gati gjysma e vijës kufitare prej 970 kilometrash mes Kirgizisë dhe Taxhikistanit nuk është demarkuar, duke shkaktuar tensione gjatë tri dekadave të fundit.