Pallati i Drejtësisë, pallat i fobive

Opinon nga Antigona Uka-Lutfiu  /  Do të doja që shtalla e deleve përballë Pallatit të Drejtësisë, që pronari e ka shndërruar në hapësira për zyra avokatësh, të ishte shndërruar në ndonjë kafiteri apo butik, që sadopak të na e çojë mallin e një ambienti të urbanizuar – ku e kanë vendin gjyqtarët dhe stafi i gjykatave. Do të doja që kjo periudhë e vështirë të tejkalohet sa më shpejt, pasi dyshoj se pavetëdijshëm është zvogëluar produktiviteti i të gjithë neve e ç’është më e keqja, gjendja depresive, për çka janë ankuar shumë kolegë, vetëm po thellohet

Ndonëse në imagjinatën tonë, bazuar edhe në pamjen e jashtme të objektit të Pallatit të Drejtësisë, kishim projektuar se si mund të duken zyrat tona brenda, asnjëri prej nesh nuk e dëshironte largimin nga qyteti dhe vendosjen në një vend të pazhvilluar – ku as trotuari për këmbësorë nuk ekziston.

As që na kishte vajtur mendja se në një objekt të tillë, siç dukej nga jashtë Pallati i Drejtësisë, do të përballeshim me mungesë kushtesh elementare. Disa prej nesh edhe me mungesë oksigjeni. Shikuar nga jashtë kjo vërtetë duket e pabesueshme. Ndaj, dhe nuk u befasova kur gjatë një vizite në qendër – rastësisht takova disa miq ish-gazetarë dhe të tjerë, të cilët mu drejtuan me të njëjtën pyetje; A vërtetë është gjendja e tillë në atë Pallat, apo ju po e dramatizoni, vetëm që mos të shkoni atje?!”. “Është edhe më keq se ajo që keni dëgjuar”, iu përgjigja me shqetësim. Ua mora edhe disa shembuj plus, nisur që nga problemet në tualet (WC).

Më ka ndodhur më shumë se pesë herë deri më tash, që kur jam në banjo (tualet), fiket drita dhe duhet të dal në parabanjo e të lëviz duart lart e poshtë për t’u aktivizuar dritat. Kur pastrojmë duart, s’ka një vend ku të vendosësh letrën e tualetit. E di, mund t’ju duket banale krejt kjo. Por, kushtet higjienike janë një ndër elementet bazë që punëdhënësi obligohet me ligj t’ia plotësojë punëmarrësit. Këtu duhet shtuar edhe rrjedhjen e ujit tek guacat e tualetit. Ndërkohë që s’janë bërë ende tre muaj që jemi vendosur në këtë objekt.

Pastaj të mos përmendim gjetjet e vet Inspektoratit Sanitar, i cili ka evidentuar mungesë ajri, ventilim jofunksional e deri te fakti se ky objekt, sipas raportit të Inspektoratit Sanitar të Kosovës (23 prill 2015), nuk e ka pasur as pëlqimin sanitar për lokacionin ku është ndërtuar.

Problem tjetër që nuk e kemi thënë në media, e për t’i bindur ata që kanë dyshime tek e vërteta, është edhe sistemi  i ngrohjes, që u prezantua si sistem modern me energji termike – por që, edhe ky jashtë funksionit. I jemi gëzuar motit të mirë, se derisa u ngroh moti, në zyrat tona mbretëronte temperaturë nën 17 gradë. Kemi mërdhirë.

Ka edhe më. Që nga bllokimi dhe prishja e ashensorëve, kur u lënduan gjyqtarë e staf mbështetës, ne shfrytëzojmë të vetmet shkallë emergjente për t’u ngjitur në katet përkatëse në gjykatë – e që shkallët janë të projektuara vetëm për t’i zbritur duke ikur në raste emergjente. Shkallë normale, nuk ekzistojnë. Të mos flasim për fobinë që shumë prej nesh kemi ‘fituar’ si pasojë e bllokimit të njerëzve në ashensorë. Apo fobinë që persona të caktuar e kanë kur hyjnë në zyrat me dritare që nuk hapen…

Apo të rrëfejmë për pamundësinë e të folurit në celular si shkak i mungesës së valëve. Kur na telefonon dikush nga jashtë, duhet vrapuar në terasë se vetëm aty ka gjasa të dëgjohet 70-80 për qind e zërit të telefonuesit.

Çfarë të themi tjetër?! A të flasim për mungesën e transportit apo të vetëkënaqemi që një ose dy autobus vijnë në mëngjes dhe të njëjtët kthehen për të na marrë në fund të orarit. E kur bëhet fjalë për daljet në pauza, alternativa më e mirë ngelet furnizimi me bukë nga shtëpia, pasi restoranti i sapo hapur në objekt ka çmime të fryra – të papërballueshme për xhepin tonë. E dalja në vende të tjera, nënkupton vetëm daljen në mini-shitoren përballë, në të kundërtën si këmbësorë – mungon trotuari e nëse ia mësynë të ecësh këmbë, deri, ta zëmë, tek Hotel Gorenje apo Albi Mall, të harxhohet pauza vetëm për një drejtim.

Do të doja që shtalla e deleve përballë Pallatit, që pronari e ka shndërruar në hapësira për zyra avokatësh, të ishte shëndrruar në ndonjë kafiteri apo butik, që sadopak të na e çojë mallin e vendit të urbanizuar – ku edhe e kemi vendin. Do të doja që kjo periudhë e vështirë të tejkalojë sa më shpejt, pasi dyshoj se pavetëdijshëm është zvogëluar produktiviteti i të gjithë neve e ç’është më e keqja, gjendja depresive, për çka janë ankuar shumë kolegë, vetëm po thellohet.

Antigona Uka-Lutfiu

(Autorja është zyrtare për informim në Gjykatën Supreme)

- Advertisement -

MË TË FUNDIT