Përmbajtjen e opinionit të kompanisë “Hill International”, i cili hidhte poshtë kërkesën e konsorciumit “Bechtel-Enka” për pagesën e 53 milionë eurove shtesë, mësohet se, nuk e kishte në dispozicion Komiteti Ndërministror.

Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave dhe anëtar i këtij komiteti, ka thënë se zyrtarisht asnjëherë nuk e kanë pranuar këtë raport të hartuar nga kompania mbikëqyrëse e projektit të autostradës Prishtinë-Han i Elezit.

Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Pal Lekaj, sipas informatave, këtë dokument nuk ia ka dhënë as institucioneve të hetuesisë, kur ato e kanë kërkuar.

Sipas hetuesisë, tre zyrtarët që kanë qenë pjesë e Komitetit Ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” janë intervistuar nga institucionet e drejtësisë.

Komiteti ishte i përbërë prej pesë ministrive, katër prej të cilave në këto takime janë përfaqësuar nga ministrat e dikastereve përkatëse: Pal Lekaj, Albena Reshitaj, Bajram Hasani e Valdrin Lluka.

Ministri Bedri Hamza e kishte deleguar zëvendësin e tij nga radhët e AAK-së, zëvendësministri Fatmir Gashi.