Ballina Blog Faqe 2

Arrestime ‘masive’ në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona të përfshirë në një incident sot rreth orës 16:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë.

Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se në këtë incident janë sulmuar 11 persona nga një grup tjetër prej 10 personave, në mesin e të cilëve edhe dy të mitur.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur pranë zyrës për shërbime dhe programe të Ministrisë së Bujqësisë, e cila ndodhet në rajonin e Mitrovicës Jugore.

Personave të përfshirë në incident në cilësi të viktimave u është ofruar tretman mjekësor, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për tretman mjekësor.

Të gjitha veprimet hetimore i janë paraqitur dy prokurorëve të rastit të nacionalitetit serb, të cilët trajtojnë rastet për të mitur dhe të rritur, dhe rasti i iniciuar është duke u hetuar për veprën penale “sulm”.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit tetë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policorë, përderisa ndaj dy të miturve rasti është duke u trajtuar.

Aksident i rëndë në Klinë – përplasen autobusi me veturën

Një aksident i rëndë ka ndodhur në dalje të qytetit të Klinës, ku janë përplasur një autobus me një veturë.

Në vendngjarja kanë dalur ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe të emergjencës.

Gazeta Blic do ju mbajë të informuar lidhur me këtë aksident.

Sami Lushtaku e Fadil Nura, marrin përkrahje të madhe në Abri, Plluzhinë, Likoc, Ticë e Murgë (FOTO)

Fshatrat e bashkësisë Lokale të Likocit, Abria e Poshtme, Plluzhina, Tica, Murga e Likoci kanë dhënë përkrahje të fuqishme PDK-së Sami Lushtakut e Fadil Nurës, shkraun Drenica Press.

Nga këto fshatra janë edhe tre kandidat për Asamblenë Komunale të Skenderajt, Besarta Meha – Ademi,  Arif Aliu  dhe  Arbnor Avdiu.

Pas takimit me banorët e këtyre fshatrave kandidati për kryetar të Skenderajt, Fadil Nura nga PDK tha se: Numër i madh i banorëve në fshatrat Murgë, Abri e Poshtme, Likoc, Ticë dhe Plluzhinë, për të konfirmuar mbështetjen e pakursyer për Partinë Demokratike të Kosovës dhe vizionin e saj për të ardhmen e Komunës së Skenderajt, përkrahje kjo që do të dëshmohet në kutitë e votimit!

Viktimat e masakrës në Rrezallë të zhvarrosura në Kizhevak, do të kthehen në Kosovë më 30 shtator

Viktimat e masakrës në Rrezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, do të riatdhesohen në Republikën e Kosovës më 30 shtator

Komisioni Qeveritar i Kosovës për Persona të Zhdukur, në koordinim me familjet, në vazhdimësi ka kërkuar që riatdhesimi i këtyre eshtrave të ndodhë sa më parë.

Bazuar në raportet e identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja nga masakra në Rrezallë, si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, Serbi.

Riatdhesimi i mbetjeve mortore të viktimave do të realizohet në bashkëpunim me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte , Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, thuhet në njoftim.

Në Kizhevak të Rashkës gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës në Kosovë nisën vitin e kaluar, por u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike. Ato rifilluan më 5 maj dhe zgjatën deri më 26 maj.

Në këto gërmime kanë marrë pjesë ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës, krahas atyre të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertë të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1.600 persona.

Trajneri italian e grushton gjyqtarin e ndeshjes

Një gjyqtar në Prima Categoria në Itali u godit në fytyrë nga trajneri i Carpignano, i cili kërkoi falje dhe dha dorëheqje nga pozita e trajnerit.

Trajneri Giovanni Alosi sulmoi zyrtarin e ndeshjes Andrea Felis gjatë ndeshjes kundër Oleggio Castello në Prima Categoria.

Ndeshja më pas u ndërpre, pasi trajneri goditi gjyqtarin kur skuadra e tij ishte 2-0 duke humbur në pjesën e dytë.

Arbitri nga Torino e largoi trajnerin për protesta, por trajneri nuk shkoi në dhomën e zhveshjes por iu afrua zyrtarit të ndeshjes, duke iu drejtuar me disa fjalë dhe më pas e goditi me grusht në fytyrë.

Zyra e Presidentes i demanton raportimet se Osmani u qortua nga Amerikanët për aksionin në Veri

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes këshilltares së saj, Donjeta Miftari i ka demantuar raportimet e mediave se presidentja u qortua nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin në veri.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo ka thënë se këto raportime janë të pasakta, shkruan Reporteri.net.

“Presidentja Osmani i diskutoi zhvillimet e fundit në veri të vendit me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, por në mënyrë të pasaktë është raportuar se gjatë kësaj telefonate Presidentja Osmani ishte paralajmëruar se vendimet e institucioneve kosovare e kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare të vendit. Unë isha e pranishme gjatë kësaj telefonate dhe e konfirmoj se kjo është e pasaktë.”, ka thënë Miftari.

Ndryshe mediat raportuar se Departamenti amerikan i Shtetit ia ka bërë të qartë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mospajtimin me mënyrën se si institucionet kosovare kanë vendosur reciprocitetin për targat e automjeteve me Serbinë, me dërgimin e forcave speciale në veri të vendit.

Klan Kosova duke u thirrur në burime ndërkombëtare raportoi se Presidentes Osmani, të shtunën, i është shprehur drejtpërdrejt pakënaqësia me mënyrën se si institucionet e Kosovës e kanë organizuar aksionin në veri.

Me këtë veprim është rrezikuar siguria kombëtare, i është thënë Presidentes Osmani nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke ia bërë të qartë qëndrimin zyrtar të Ëashingtonit për zhvillimet e fundit në veri Kosovës.

Presidentja Osmani ka qëndruar gjatë javës së kaluar në SHBA, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku është takuar me shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme, mirëpo nuk është raportuar për ndonjë takim të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverisë amerikane.

Mergim Lushtaku inicoi ndërtimin e shkollës së Polacit, por drejtori nuk ia hap shkollën për vizitë (FOTO)

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka reaguar pasi nuk iu hap shkolla në fshatin Polac që gjatë ditës së sotme u përurua. Vet Mergim Lushtaku thotë se ai ishte iniciatori për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Polac, por në përurimin e saj nuk iu mundësua që të hyjë brenda kësaj shkolle, pasi drejtori i shkollës dhe komuna e Skenderajt nuk pranuan që deputeti Lushtaku të hyjë në ambientët e shkollës, përcjellë Drenica Press.

Ky është ragimi i plotë i Mergim Lushtakut lidhur me këtë ngjarje:

Një promovim ndryshe i një projekti të shumë pritur në Polac të Skenderajt!
Sot, kisha kënaqësinë të vizitoj një projekt të iniciuar nga unë si deputet. Është projekti i shkollës së Polacit “Drenica” i cili është shumë i nevojshëm dhe i mirëpritur. Por, që nga gurthemeli e deri në promovimin e shkollës ky projekt është mbajtur në heshtje dhe tani nuk kemi as ndonjë ftesë nga Komuna e Skenderajt për inaugurimin e saj. Më shqetësuese është mos hapja e shkollës nga Drejtori i saj për ta vizituar këtë projekt edhe pse ishin të njoftuar për këtë vizitë edhe Drejtori i Arsimit.
Sidoqoftë, ne bashkë me dy asambleistë të ardhshëm nga Polaci, znj. Liridona Koci dhe z. Gazmend Aliu si dhe kryetari i Rinisë Demokratike në Skenderaj z. Alban Berisha e vizituam këtë shkollë për të parë nga afër se ku do të mësojnë nxënësit tonë dhe ku do ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre mësimdhënësit. Edhe pse realizimi i projektit ka mangësi, po ashtu shihet se ka nevojë për inventar të ri si tabela, karrige, tavolina etj. Por, në këtë periudhë shpresojmë që të kenë së pari shëndetin dhe pastaj të kenë suksese në mësime.
Ne kemi mbështetur çdo projekt për Skenderajn, pavarësisht nga kush kanë ardhur, sepse ne kemi obligim të punojmë për qytetarët tonë. Sigurisht që dinamika e punës sonë rritet me angazhimin e një politike të përbashkët për Skenderajn.
Me respekt,

Bllokimi i dy pikave kufitare e ka ulur importin e mallrave nga Serbia

Bllokimi i dy pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë, ka çuar në ulje të numrit të mallrave të importuara nga Serbia në Kosovë.

Dy vendkalimet kufitare janë të bllokuara nga serbët lokalë qysh më 20 mars, për shkak të masës së reciprorcitetit që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Dogana e Kosovës bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës 20-24 shtator, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 3.9 milionë eurosh.

Ndërsa, pesë ditë para vendosjes së masës së reciprocitetit, përkatësisht nga 15 deri më 19 shtator, janë importuar mallra në vlerë prej 4.9 milionë eurosh.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Një masë të ngjashme për automjetet me targa të Kosovës, Serbia e zbaton tash e sa vite.

Përfaqësuesit e Serbisë e akuzojnë Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, por përfaqësuesit e Kosovës thonë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen.

“Pfizer” dhe “Moderna”: Ky, viti i fundit i pandemisë, COVID-19 do të kthehet në grip

Pandemia Covid-19 do të përfundojë brenda një viti, tha CEO i “Pfizer”, duke rënë dakord me CEO-n e “Moderna” Stefan Bancell, i cili bëri të njëjtin parashikim javën e kaluar.

Unë pajtohem me pikëpamjen se brenda një viti ne do të jemi në gjendje t’i kthehemi jetës normale” tha ai, duke shtuar, megjithatë, se “kjo nuk do të thotë që mutacionet e reja do të pushojnë së na shqetësuari ne” tha Burla.

Përveç kësaj, ai vuri në dukje se me kalimin e kohës, Covid “ka të ngjarë të kthehet në një grip sezonal që do të kërkojë vaksinim vjetor për të adresuar mutacionet e reja që do të shfaqen tani e tutje”.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar administrimin e dozës së tretë të vaksinës “Pfizer” për personat mbi 65 vjeç, si dhe për njerëzit që i përkasin grupeve me rrezik të lartë.

Ish-diplomati serb: Vuçiqi shpresoi që SHBA-ja t’i kundërvihej Kurtit, Rusia s’na mbron në rast lufte

Ish-ambasadori serb i ish-Jugosllavisë në Britaninë e madhe, Vladeta Jankoviq, tha se “Kosova thënë thjesht, mund ta bëjë këtë”, kur u pyet nga agjencia serbe e lajmeve, Beta, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve, transmeton Gazeta Express.

Ai deklaroi sot se një konfrontim i armatosur mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndodhë derisa NATO është në Kosovë.

Ai beson se ka mundësi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të ketë shpresuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me veprimet e tij do të çonte në tërheqjen e mbështetjes së SHBA-së ndaj Kosovës. Ai thotë se kjo ishte llogaritje e gabuar.

“Ka shumë të ngjarë që Vuçiqi ka shpresuar se fanatizmi kokëfortë i Kurtit do të çonte në tërheqjen e mbështetjes amerikane, por kjo është një llogaritje krejtësisht e gabuar, ashtu si nënshkrimi i komedisë nga Marrëveshja e Washingtonit dhe një numër bëmash të tjera diplomatike të Vuçiqit. Ky shembull tregon qartë çmimin e diktaturës që sundon në Serbi, pasi të gjitha ato gabime do të ishin të paimagjinueshme nëse vendimet do të merreshin nga një parlament dhe qeveri e zgjedhur lirisht, dhe jo nga një njeri i paqëndrueshëm”, tha Jankoviq.

I pyetur për të komentuar reagimet e Beogradit, gjegjësisht të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Jankoviq tha se nuk e ka të qartë se çfarë donte të thoshte ai me dërgimin e ambasadorit të Rusisë në kufirin me Kosovën, transmeton Express.

“Nëse kjo do të thotë se Rusia do të na mbrojë nëse do të ketë luftë, edhe njerëzit më të verbër nga Vuçiqi ndoshta do ta kenë të vështirë të gëlltisin diçka të tillë. Ndër reagimet fatkeqe, unë përfshij fluturimin e helikopterëve luftarakë dhe aviacionit, që është një shfaqje thjesht parazgjedhore e tregimit të muskujve dhe një degradim i ri i ushtrisë”, theksoi ish-diplomati serb.

TË FUNDIT