Ballina Blog Faqe 10325

Shkollat në Skenderaj nesër të ndara në dysh, disa mbajnë grevë e disa mbajnë mësim

Sipas burimeve të mirëbesueshme të portalit Drenica Press shkollat e mesme dhe fillore në Skenderaj nesër do të jenë të përçara në dysh lidhur me greven e paralajmëruar për ditën e nesërme. Sipas informatave të siguruara disa shkolla do të jenë në grevë e disa do të mbajnë mësim.  Sipas burimeve të siguaruara nga portali ynë janë pikërisht disa shkolla që do të përfillin urdhërin e SBAShK-ut që nesër mos të ketë proces mësimor dhe të mbahet greva një ditëshe. Këto shkollat të cilat do të përfillin grevën i kanë njoftuar nxënësit që mos të vijnë nesër në mësim, sepse nuk do të mbahet mësim për arsye të grevës. Por në anën tjetër sipas informatave të siguruara nga ne, nxënësit e disa shkollave fillore në komunën e Skenderajt janë ftuar që nesër të jenë prezent në shkollë, sepse nesër do të ketë mësim normalisht dhe nuk do të ketë grevë./drenicapress/

Edhe në Mitrovicë do të ndërtohet monumenti kushtuar eksodit

 

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Nait Elshani dhe përfaqësuesit e OJQ “Eksodi 99”, Ali Topalli, kryetar, dhe Mustafë Kryeziu, nënkryetar. Në bisedë mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Naim Hajra.
Përfaqësuesit e “Eksodit 99” e njoftuan kryetarin Bahtiri me përgatitjet që po bëhen për shënimin e 16 vjetorit të dëbimit me dhunë të popullatës shqiptare  nga forcat kriminale serbe.
Përfaqësuesit e OJQ “Eksodi 99”, në veçanti e njoftuan kryetarin Bahtiri me idenë e tyre për të ndërtuar edhe në Mitrovicë një monument kushtuar kësaj ngjarje, duke thënë se qytetarët e Mitrovicës ishin ata që pësuan më së shumti gjatë përndjekjes që ju bënë atyre paramilitarët, ushtria dhe policia serbe më 15, 16 dhe 17 prill të vitit 1999.
Ata i prezantuan kryetarit Bahtiri një projekt ideor dhe i propozuan hapësirën për ndërtimin e monumentit, e që është afër Urës së gjakut, përkatësisht parkut “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, fillimisht e falënderoi kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit Elshani,  veprimtarin  Kryeziu dhe tërë popullin e Rahovecit dhe në veçanti atë të Xërxës për ndihmën që ju kanë ofruar qytetarëve të Mitrovicës gjatë ditëve më të vështira në jetën e tyre.
Po ashtu, kryetari Bahtiri i falënderoj drejtuesit e “Eksodit 99” edhe për punë ne madhe që po bëjnë për shënimin e përvjetorëve të eksodit, në mënyrë që të mos harrohen ato ditë të vështira për shqiptarët e Kosovës.
Sa i përket propozimit për ndërtimin e dhe të një monumenti kushtuar eksodit, pas atyre në Xërxë dhe Kukës, kryetari Bahtiri tha se e mbështet atë fuqishëm.
“Nuk kam dyshime fare sa i përket mbështetjes së idesë për një monument të këtillë edhe në Mitrovicë. Do e sigurojmë hapësirën e duhur, lejet dhe mjetet financiare për ndërtimin e tij. Mirëpo, unë kërkoj që monumenti të jetë dinjitoz dhe përzgjedhja të bëhet përmes një konkursi, ku do të merrnin pjesë ekspertët të njohur”, tha kryetari Bahtiri ndër të tjera.

Thaçi viziton Vushtrrinë, shkel rregullat e komunikacionit (Foto)

Zv.kryeministri, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot qytetin e Vushtrrisë, duke përsëritur edhe njëherë se protesta e së martës ishte organizuar për ta marrë pushtetin me dhunë.
“Është e papranueshme edhe dhuna që po përdoret për rritjen e qëllimeve politike, prandaj mendoj se qëllimi i organizatorëve është më së paku deklarata e ministrit (Jabllanoviq). Qëllimi i tyre është që përmes dhunës të marrin pushtetin”, ka thënë Thaçi.
Para se të fliste për protestën që pati përfundim të dhunshëm, kryediplomati u prit në objektin e komunës nga kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku.
“Pata mundësi që ministrin Thaçi ta njoftoj për zhvillimet në komunën tonë, për punët që janë kryer vitin e kaluar, të gjitha investimet kapitale në të gjitha fushat, po edhe planifikimet për këtë vit”, ka thënë ndër tjerash Mulaku.
Thaçi gjithashtu ka premtuar ndihmë qeveritare për Vushtrrinë.
“Vushtrria njihet si qytet, si pjesë e bujqësisë dhe investimet do të vazhdojnë qoftë si subvencione apo grante dhe besoj që qytetarët e Vushtrrisë do të jenë prej përfituesve më të mëdhenj”, ka deklaruar Thaçi.
Por makina e ministrit të Jashtëm, derisa ai vizitonte Vushtrrinë, i theu rregullat e komunikacionit duke hyrë në një rrugë njëkahëshe. /kallxo.com/

Thënie të profetit Muhamed në autobusët e Skocisë (Foto)

Në një kohë kur mbretëron frika dhe shkakton paqëndrueshmëri globale, myslimanët skocez të qytetit Dundee, kanë nisur një kampanjë reklamuese, kështu që në autobusë kanë vendosur mesazhe që kanë për qëllim të ndryshojnë perceptimin për fenë e tyre.
“Ai cili bie në gjumë ndërsa fqinji tij nuk ka çka të hajë, nuk është prej nesh”, është njëri ngathëniet që është vendosur përgjatë gjithë autobusit.
Kjo kampanjë është iniciuar nga myftiu, i cili është drejtor i ZamZamAcademy.com dhe institutit Al-Rayan, Ahmadiyya Muslim.
Ai këtë kampanjë e ka shpërndarë edhe në rrjetin social Twiter “Një mënyrë fantastike dhe kreative për ta propaganduar Islamin në Dundee. Nuk është besimtarë i vërtetë ai i cili fle derisa fqinji i tij është i uritur.”
Kjo kampanjë nuk është përpjekja e parë që ka për qëllim të ndryshojë perceptimin për muslimanët në Skoci, transmeton ekuiliber.
Javën e kaluar myslimanët e qytetit Dunde shpërndanë lule në një qendër komerciale. Secila lule me vete kishte edhe thënien “E dini se cila vepër është një shkallë më lartë se agjërimi, namazi dhe sadakaja? Vendosja e paqes mes njerëzve”.
Iniciativa ka filluar edhe nga një faqe në Facebook e titulluar “Muslim Message Society”.

Vushtrria heq taksat për prodhuesit

Komuna e Vushtrrisë ka liruar nga taksat komunale prodhuesit e kësaj komune. Vendimi për lirimin nga taksa komunale të prodhuesve dhe kompanive të tjera shërbyese e tregëtare është përkrahur unanimisht nga këshilltarët komunalë në mbledhjen e sotme të rradhës.
Kryesuesi i Kuvendit, Shpëtim Zhegrova, ka thënë se qëllimi i këtij vendimi është stimulimi i prodhuesve . Implemitimi i këtij vendimi fillon të aplikohet me fillimin e këtij viti, kurse borxhet deri në këtë kohë nuk do të amnistohen.Kërkesa për lirimin nga taksat komunale të prodhuesve ka qenë e kahershme.
Në këtë mbledhje u debatua edhe rreth dukurisë së migrimit të qytetarëve nga kjo komunë jashtë Kosovës,me ç’rast i pari i Komunes,Bajram Mulaku,por edhe këshilltarët shprehen brengosje të thelle dhe shtruan nevojën e një angazhimi edhe më të madhë të institucioneve komunale për të krijuar një pasqyrë sa më reale rreth numrit të tyre.

Vushtrria goditet nga një tërmet 2.7 ballësh

 

Një termet i intensitetit të ulët të shkallës 2.7 është hetuar rreth orës 00:25 në disa rajone të Kosovës, kurse epiqendra ka qenë në afërsi të Vushtrrisë.
Lexues të portalit Telegrafi nga rajoni i Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Podujevës bëjnë të ditur se para pak çastesh kanë hetuar një dridhje të lehtë të tokës, por kjo nuk është bërë i ditur nga instituti i Kosovës, si dhe nuk figuron as në faqen https://quakes.globalincidentmap.com/ , që jep drejtpërdrejt lëkundjet e tokës nëpër botë.

Kryetari Bahtiri dhe drejtori Aliu sigurojnë edhë një investim për fermerët mitrovicas

 

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Nasuf Aliu, kanë pritur Halit Avdiun, pronar i Kompanisë  “Agroproduct”, e cila merret me eksport të prodhimeve vendore, e licencuar nga një kompani gjermane, thuhet në njoftimin e komunës.
Gjatë takimit është biseduar për mundësinë e realizimit të një projekti për kultivimin e bimëve mjekësore në Komunën e Mitrovicës, projekt ky që përveç gjenerimit të vendeve të reja të punës, do të ndikonte edhe në zhvillimin ekonomik të komunës.
Avdija tha se kompania që ai drejton ka mbi 2.000 kooperantë në gjithë Kosovën, nga të cilët merr produktet e bimëve mjekësore, të cilat i eksporton brenda dhe jashtë vendit.
Sipas tij, bimët që më së shumti kultivohen në Kosovë janë: menta oregano, melis, gentiane, rigoni, mëllaga e bardhë, mëllaga e zezë etj, nga kultivimi i të cilave gjenerohen vende të reja të punës dhe tregu i tyre është i sigurt.
“ Rreth 95 % të produkteve, i kemi për eksport, ndërkohë që kërkesa për këto produkte është në rritje e sipër”,  tha Avdija, duke shtuar se “ky sektor premton shumë në zhvillim dhe nuk ka nevojë për investime të mëdha, duke pas parasysh faktin se fidanët e këtyre bimëve i mbjellë një herë dhe pastaj s’ke nevojë me i ripërtëri deri në 10 apo 15 vite”.
Ai na vazhdim ka shtuar se një pikë referente gjeneron deri në 200 vende të punës, përmes lidhjeve me ekonomit familjare dhe se hapi i parë i rëndësishëm në këtë drejtim është përzgjedhja e fermerëve, sepse rezultati mund të arrihet nëse mundësia i jepet atij që duhet.
Kryetari Bahtiri dhe drejtori Aliu, kanë shpreh interesim për hapjen e katër pikave tharëse të bimëve mjekësore, tri nga të cilat mendohet të vendosen në rrafsh, ndërkaq një në Shalë të Bajgores.
Në këtë drejtim, komuna mori përsipër të analizoj dhe siguroj hapësirat (fshatrat), që janë në vartësi të lartësisë mbidetare dhe sistemit të ujitjes, si dhe të bëjë informimin dhe organizimin e fermerëve.
Kryetari Bahtiri dhe Avdiu u dakorduan që përzgjedhjen e fermerëve  ta bëjnë bashkërisht komuna me   “Agroproduct”-in, ndërkaq më pas, këshillimin e tyre, furnizimin me  fidanë dhe certifikimin do ta bëjë kompania në fjalë.

Apple shënon rekord – për çdo orë fiton 8 milion dollarë

Kompania gjigante Apple, ka shënuar rekord me shitjen e fundit të telefonave mobil iPhones. Sipas BBC-së, gjatë tre muajve të fundit të vitit 2014, Apple çdo orë ka fituar nga 8 milionë dollarë.

Shitjet më të mëdha janë shënuar në Kinë.

Image
Image
Image

Ismail Kadare feston sot 79 vjetorin e lindjes

Ismail Kadare feston sot 79 vjetorin e tij të lindjes. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është një nga më të mëdhenjtë e letërsisë shqiptare, ndërkohë që veprat e tij janë njohur përtej kufijve.

Kadare është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, ai ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj.

Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.
Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga lexuesit.  Shkrimtari shqiptar më i njohur për botën, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Karriera e Ismail Kadaresë

Kadare ka lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960.
Ai detyrohet t’i braktisë studimet për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Kthehet në Shqipëri dhe më pas punon ne gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les letres albanaises”.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua.

Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar – shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Prince of Asturias, për Artet – që është një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë.

Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Ndahet nga jeta lideri i “Djemve të Detit”, Gent Demaliaj

Është ndarë ditën e djeshme nga jeta solisti i grupit “Djemtë e Detit”. Gent Demaliaj, djali tekstet e këngëve të së cilit janë kaq të ngulitura në memorien dhe kujtesën e publikut shqiptar u largua sot nga kjo jetë në moshën 40-vjeçare. Shumë i ri, por mjaftueshëm për të na lënë një thesar të tërë në muzikën shqiptare rock. Ata që e njohën e dinë që ishte një djalë modest, që përtej gjithë famës që kishte, ulte sërish kokën dhe punonte. Sot, të gjithë ata që e donin atë dhe muzikën e tij, me siguri do të mblidhen t’i dhurojnë duartrokitjet e fundit në homazhet që do të zhvillohen për të në orën, 12.30 në ambientet e RTSH-së, pak para se të përcillet për në banesën e fundit rreth orës 14.00.

Mes gjithë miqve dhe dashamirësve që ngushëllonin në rrjetet sociale, “Shekulli” kontaktoi me dy nga ikonat e rrokut shqiptar, Aleksandër Gjokën dhe Redon Makashin, dy kolegë të mirë të Gentit, dy kolegë që e njihnin edhe përtej prapaskenave. Ja se çfarë thonë këta dy artistë për humbjen e mikut të tyre, Gentit.

Aleksandër Gjoka

Më vjen të them se nuk kam asnjë fjalë për këtë humbje, por si të mos flas për një legjendë të tillë. E kam njohur, madje edhe shumë mirë. Kemi qenë bashkë në koncerte, spektakle, festivale e madje, edhe në mitingje politike. Kemi qenë bashkë, sepse muzika që bënim rrinte mirë bashkë. E njihja atë më së miri. E njihja familjarisht. Babanë e tij kush nuk e njeh, një njeri i shkëlqyer, që e rriti Gentin edhe në skenë. Kohët e fundit e kam vizituar. E dija që ishte sëmurë dhe në fakt këtë lajm të hidhur edhe pse pritej, nuk e kapërdijmë dot. Sepse skenës i iku një njeri i shkëlqyer, modest dhe plot respekt, një njeri që i ka merituar duartrokitjet në çdo dalje të tij.

Genti jetoi një jetë të vështirë. Kohët e fundit luftonte kundër një sëmundjeje të tmerrshme. Pak më herët kishte humbur babanë, ndërsa djemtë e grupit, për shkak të të gjitha rrethanave, që e mbysin çdo ditë jetën në Shqipëri u larguan në vende të tjera. Emigracioni i largoi miqtë e tij më të mirë. E kështu bashkë me to iku edhe një alternativë e mirë për të bërë muzikë rock, një muzikë që dinin vetëm ata ta sillnin. Kështu u shkëput Genti nga muzika. Por, muzika që na ka lënë ai, mua, brezave të tjerë, të rinjve, përfshirë këtu edhe vajzën e tij është gjithmonë këtu.

Ishte një djalë i shkëlqyer që iku shpejt nga jeta, por që la gjurmë të mira. Çdo artist për këtë përpiqet. Të gjithë e dimë që do të vdesim një ditë, por më të mirët janë ata që lënë diçka për t’u kujtuar, edhe për shumë kohë pas largimit të tyre fizik. Gent Demaliaj ka ikur vetëm fizikisht, pasi muzika e tij që ka çerek shekulli që dëgjohet do të vazhdojë të dëgjohet edhe për shumë kohë të tjera.

Redon Makashi

Me Gentin kam qenë shpesh nëpër aktivitete dhe koncerte. Ishte rryma dhe rrugëtimi që kemi bërë në skenë ai që na bashkonte. E donim muzikën rock dhe Genti bashkë me “Djemtë e Detit”, pasi ai nuk ishte vetëm, është një nga legjendat e muzikës rock në Shqipëri. E njoh shumë mirë. Ishte një djalë fantastik që u nda nga jeta shumë shpejt. Genti nuk ishte krenar, nuk i tundte çmimet që merrte në ajër plot krenari, por zhytej në punë, në studio, për të sjellë këngë të reja edhe më të bukura.

Në koncertet ku kemi kënduar bashkë, kurrë nuk është lëvduar, por modestish ka dashur të japë gjithnjë shumë e më shumë. Ishte një djalë modest, që për një arsye apo për një tjetër u ligështua në këtë jetë. Babai i tij, për një kohë shumë të gjatë ishte kthyer për të dhe për muzikën që ai bënte një menaxher i vërtetë. Ata që e njihnin Gentin, njihnin edhe babanë e tij.

Shkëputja e parë e tij nga muzika erdhi kur emigracioni shpërbëu djemtë e grupit. Ndërsa një tronditje e madhe për të ka qenë edhe humbja e të atit. Ai dhe djemtë e grupit do ta kishin më të vështirë të ishin pjesë e koncerteve në vend. Humbja e babait për Gentin ka qenë vërtet e rënd. Ai e kishte atë prind dhe mik, menaxher dhe kritik, ashtu sikurse edhe ai u bë për vajzën e tij.

Përpara se të ikte nga kjo botë luftoi shumë. Ishte sëmurë. Por, nuk u dorëzua. Ishte gjithnjë gati për miqtë e tij, për të kënduar dhe për të shkruar. Është vërtet e dhimbshme për mua dhe për të gjithë miqtë që e kanë njohur. Duhet të rrinte edhe më gjatë me ne këtu fizikisht. Sepse ai ka ikur vetëm fizikisht. Genti do të jetojë gjatë në zemrat e publikut shqiptar. Muzika e tij dëgjohet për më shumë se 25 vjet, por edhe më shumë do të dëgjohet. Janë rock-u i parë shqiptar, edhe një artist aq i sinqertë dhe modest sa ai do të jetojë gjithnjë përmes artit të tij.

Gentian Demaliaj: Vajza Edea, pika ime e dobët

Në vitin 1989 në qytetin e Lezhës u krijua një grup rroku shqiptar, i cili më vonë do të krijonte këngë hite, pasqyrë të jetës, ëndrrave edhe ngjarjeve që të gjithë përjetuam gjatë viteve të fundit. Fitues të disa çmimeve, por mbi të gjitha fitues të zemrave të publikut. Në intervistën e fundit të dhënë për “Jo vetëm modë”, lideri i grupit Gentian Demaliaj, ka rrëfyer momentet më të bukura të karrierës së tij.“Djemtë e Detit” konsiderohet padyshim, si rrok-banda e 20 viteve të fundit, e cila shënoi me daljen në skenë jo vetëm risi në mentalitetin e muzikës shqiptare, por edhe synoi nëpërmjet teksteve të këngës, ndërgjegjësimin e fatit të një brezi të tërë të rinjsh, të rendur pas perëndimit, edhe ëndrrave të parealizuara. Edhe pse tashmë të shpërbërë, “Djemtë e Detit”, edhe himnet e tyre, mbeten të pavdekshme në kujtesën e atyre brezave. Gentian Demaliaj, asokohe ishte vetëm 17 vjeç. Ai ishte personazhi emblematik i grupit, vula, e shumë këngëve, që pa tekstet e tij nuk do të kishin kurrë një sukses të tillë.

Kontaktet e para me muzikën

Kaseta e parë që më ka rënë në dorë ka qenë në vitin 1981, dhe për çudi të Zotit ka qenë Majkëll Xhekson. Ndoshta edhe nga pozita gjeografike e qytetit të Lezhës dëgjonim muzikë. Këndonim me zë të ultë, me frikë shumë të madhe, sepse 2-3 herë na thirrën edhe në polici, si njerëz kundër regjimit, por na shijonte. Ajo na shijonte edhe më tepër se dukej si diçka e fshehtë, sepse dukej sikur po bëje një krim, por krimi më i rëndë ishte thjesht, dëshirë që kishe për të bërë muzikë. U thye një tabu e Festivalit, e formatit në kornizë, se nuk duhet që të dilnim jashtë grafikës. Duhet që të ishim stoikë, të drejtpërdrejtë, nuk ka cepa anash, por ishte diçka krejt tjetër, ishte një lloj kënaqësie, e ndieje vetën në një skenë për herë të parë, në një festival që t’i e shikoje qysh fëmijë, të dukej sikur arrite të realizoje një ëndërr, që iu ngjite edhe kësaj skene.

Si bijë detarësh të rrahur me tallazin e jetës, frekuentuat edhe disa herë rajonet e policisë, por kjo ju bëri edhe më të vendosur me aktin tuaj drejt lirisë muzikore… Thoshin që turp djali i filanit”, që vjen me xhinse të grisura në shkollë, ndërkohë që ai ishte shef i Bazës së Marinës. Ndoshta “Djemtë e Detit”, lidhen edhe me statusin e familjes, përveç shumë gjërave, pozitës gjeografike etj., etj., por kemi patur debat, sepse 2-3 herë babai më ka nxjerr edhe nga rajoni i Policisë. Stadi tjetër ishte që të vazhdoja me një muzikë akoma më progresive, më rrok akoma, që më pëlqente, kjo ishte edhe dashuria e parë. Ndoshta edhe për kostumin muzikor që kisha vendosur që të mbaja. Ishte diçka shpirtërore, si dashuri me shikim të parë.

“Mos qaj”, hiti i tyre

“Mos qaj” erdhi si produkt i temave sociale që pati rina në vitin 1995-96, droga ishte kthyer si një lloj fenomeni që vinte diku nga bota jashtë, edhe në formën e një problemi madhor për shumë njerëz, por që dukej si trend. Prandaj edhe fundi i këngës mbaronte me “Mos qaj për vdekjen o njeri”, sepse në fund të të fundit, është ai impakti që të merr në fund, pas fajit.

Në Pallatin e Kongreseve vihet në skenë muzikali “Romeo dhe Zhuljeta”, një ftesë të cilën Genti, nuk kishte se si ta refuzonte. Tibalti i luajtur prej tij, do të ishte impresionues. Në vitin 2008 Genti do të luante sërish përkrah Elsa Lilës, në muzikalin “Molin Rouge” më pas me Juliana Pashën etj.

Ishte hera e parë që merrja pjesë në një muzikal, edhe më dukej vetja i plotësuar në faktin që ndihmoi edhe drama, te “Romeo e Xhuljet”, e ndjeva veten si në shtëpinë time.

Vajza Edea, pika e dobët e Gentit

Edea është një fëmijë që më kujton fëmijërinë time, por ajo është një nxënëse shumë e mirë, kurse unë nuk kam qenë i dhënë pas mësimeve. Atë dëshirë kam edhe unë. Prift nuk jam (qesh). Unë di që ta vesh edhe rrobën e prindit, por në radhë të parë jemi shok.

Arritjet e grupit

Grupi “Djemtë e Detit” u krijua në vitin 1989 në qytetin e Lezhës, nga edhe ishin djemtë e këtij grupi. Do të mjaftonte vetëm dy vjet që ata të shfaqeshin në Festivalin e RTSH-së me këngën “Ëndrrat që për ty i thura”, një këngë që dëgjohet ende sot. Kjo i solli “Djemve të detit” çmimin e dytë në këtë festival. Teksti i këngës ishte nga Gent Demaliaj, ndërsa muzika e B.Dacit. Katër vjet më vonë do të ngjiteshin sërish në skenë për të tërhequr çmimin e dytë në Festivalin e parë të Rock-ut shqiptar, pasi çmimin e parë do ta merrnin dy vite më vonë, kur do të organizohej viti i dytë i këtij festivali. Po në 1996-ën, “Djemtë e Detit” fitojnë një çmim special në Festivalin e RTSH-së, “Për përpunimin e këngës popullore etno-rock me
këngën ‘Balade për Jakup Ferrin’. Një vit më vonë po në këtë festival do të shpallen “Interpretuesi dhe grupi më i mirë” me këngën “Mos qaj”. Teksti edhe këtë herë do të ishte nga Gent Demaliaj.

Pa mbushur ende dhjetë vjet në skenë, “Djemtë e Detit” vendosin që në 1997-ën të hedhin në treg albumin e tyre të parë “Izolimi vdes”. Albumi ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe vazhdon të shitet dhe sot e kësaj dite. Në Festivalin e RTSH-së në 1998-ën fitojnë dy çmime: “Interpretuesi më i mire”, si dhe çmimin “Kënga më e mirë” akorduar nga Ministria e Kulturës. Ishte kënga “Kohë pa ty”, tekstin e së cilës e kishte shkruar sërish Gent Demaliaj, ndërsa për muzikën dhe orkestrimin ishte kujdesur miku i tij Valentin Markvukaj. Në vitin 2002, në festivalin “Mikrofoni i artë” edicioni i parë, me këngën “Jo tani”, ata do të triumfonin sërish. Testi nga Gent Demaliaj dhe muzika nga Valentin Markvukaj do të bëheshin të pavdekshme që prej asaj dite.

Pas kësaj djemtë u tërhoqën të punonin në studio. Vitet 2007 e 2008 mjaftuan për të përfunduar albumin e tyre të dytë “Epos”. E megjithatë, albumi doli në treg në 14 mars të 2009-ës. Edhe pse më shumë se 20 vjet në skenë, ata na lanë vetëm dy albume. Por të dyja këto të mbushura me hite, me këngë që do të mbajnë gjallë kujtimin dhe shpirtin e këtij grupi, pjesë e së cilës ishte edhe Gent Demaliaj, solisti dhe tekstshkruesi i thuajse të gjitha këngëve, që u kthyen në hite e që dëgjohen ende sot pas 20 vjetësh.

Elton Deda

Një mik i shtrenjtë i gjeneratës së rock-ut shkoi sot pranë engjëjve. Lamtumirë Gent Demaliaj! Nuk po di çfarë të shkruaj më, jam pa fjalë…

Aurela Gaçe

I paharruar qofsh për familjen, miqtë dhe gjithë fansat e t’u. Luftove gjatë kundër sëmundjes, por tani shpirti yt u prehtë në paqe e të qoftë dheu i lehtë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes!

Renis Gjoka

Lamtumirë Gent Demaliaj! Mik i çdo shqiptari. Frymëzim i çdo artisti të brezave më të rinj. Prehu në paqe Legjendë.

Besa

E kontaktuar nga “Shekulli” edhe këngëtarja Besa, një mike e mirë e tij na thotë e prekur nga ky lajm: “U prehsh në paqe i dashur mik! Ishe një artist i jashtëzakonshëm, një zemërluan! Gjithnjë i fisëm e pozitiv, një artist nga ata të rrallët! Trashëgimia jote artistike nuk do të shuhet kurrë. Sot është një ditë e trishtë për artin shqiptar. Ngushëllimet më të ndjera familjes!”

Bledar Sejko

Kitaristi shqiptar, ai që së bashku me Gent Demaliaj janë ngjitur në skenë për të bërë rrok, i pyetur nga “Shekulli” rrëfen se rrokut shqiptar iu fik një yll. “Për mua personalisht ka qenë privilegj që kemi qenë të dy bashkudhëtarë të rrokut dhe të muzikës së vërtetë shqiptare. Iku një vokal që do t’i mungojë shumë Shqipërisë. Dhe iku një mik i shkëlqyer i të gjithëve ne, që patëm privilegjin ta kishim mik”, tha Bledar Sejko.

Klevis Bega

Klevis Bega, i njohur në art si Kastro Zizo ishte një nga ata djemtë rebelë, që i ka ndjekur pa fund “Djemtë e Detit”. Sigurisht në këtë moment ku këngët prekin një brez të tërë, edhe ai do të reagonte. “U prehsh në paqe Genti Demaliaj! Një humbje e madhe për muzikën shqiptare. Nuk do t’i harroj kurrë të qeshurat pa fund që bënim. U prehsh në paqe, miku im”, shkruan Klevis Bega për këtë humbje të muzikës shqiptare.

TË FUNDIT