Ballina Blog Faqe 10049

Fati i “Parkut të Paqes” do të zgjidhet në takimin e 8 majit

Ministrja pa portofol, e angazhuar për bisedime teknike me Beogradin, Edita Tahiri, ka thënë se dy palët kanë përfaruar qëndrimet lidhur me fatin e të ashtuquajturit “Parkut të Paqes”, të ndërtuar mbi urën e lumit Ibër.

Në një prononcim për gazetën serbe “Danas”, Tahiri ka thënë se gjatë negociatave të mbajtura ditë më parë në Bruksel në mes të grupeve punues, ka pasur afrim të qëndrimeve mes palës kosovare dhe asaj serbe edhe për një sërë çështjes tjera.

“Kemi pasur një përafrim të qëndrimeve gjatë bisedimeve me grupin teknik të palës serbe në një sërë çështjes, në mënyrë që në takimin e 8 majit mes kryeministrave Mustafa dhe Vuçiq, ato të finalizohen me një marrëveshje”, ka thënë Tahiri, transmeton lajmi.net.

Duke ka folur për marrëveshjet e deritashme në mes të kryeministrave,Tahiri ka bërë të ditur se do të zbatohen.

A po shkatërrohet VV, Dega e saj në Deçan ngrinë raportet me qendrën

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan ka njoftuar se ka shkëputur të gjitha kontaktet me qendrën e këtij subjekti politik në Prishtinë.

Arsyeja është se dega e Deaçanit është duke u linçuar nga individët e kreut të kësaj lëvizje.

Përmes një komunikate për media, kjo qendër njofton se “për shkak të veprimeve diferencuese dhe linçuese, nga ana e individëve të kreut të LVV kundrejt anëtarëve të saj, morëm vendim për ngrirje të marrëdhënieve”.

“Në takimet e organizuara me Grupin Punës dhe, anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan, njofton opinionin e gjerë se për shkak të veprimeve diferencuese dhe linçuese, nga ana e individëve të kreut të LVV kundrejt anëtarëve të saj, mori vendimin për ngrirjen e raporteve dhe heqjen dorë të menjëhershme, nga aktivitetet brenda kësaj organizate, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të krijuara dhe konfuzionin e krijuar”, thuhet në reagimin e kësaj dege.

Komunikata vazhdon duke sqaruar se nga qendra kjo degë është akuzuar dhe shantazhuar me argumente banale.

“Argumentimi nga ana e Kryesisë së LVV në Prishtinë përmes Sekretarit dhe anëtarit të Kryesisë Boiken Abazit, si dhe, thirrja e tyre në emër të gazetarit të KTV, Adriatik Kelmendi, se i njëjti, kinse paska pranuar informacione të rëndësishme mbi strukturën dhe aktivitetet e LVV, është aq sa banal dhe, po ashtu i rrezikshëm, për vlerat e një shoqërie të lirë, e sidomos një organizatë e cila pretendon që liria e shprehjes është njëra nga vlerat substanciale të botës së civilizuar.

Ne, anëtarësia në Deçan kërkojmë sqarim të detajuar të rrethanave të krijuara, duke na informuar hollësisht mbi motivet, se, pse diçka e tillë duhet të ndodhte. Po ashtu kërkojmë të jemi të informuar se, kush janë emëruesit dhe bartësit e këtij skandali brenda LVV,.A janë individë, apo është punuar në formë strukturore për procesin e linçimit të individëve brenda Qendrës sonë ? Nëse organet e Lëvizjes edhe ketë here do të injorojnë thirrjen tonë, jemi të detyruar të japim dorëheqje kolektive nga anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje!”,thuhet në komunikatë./Indeksonline/

EULEX nuk jep informata për rastin e Shaban Sylës

EULEX gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një aksion për arrestimin e Shaban Sylës, si i dënuar në rastin “Bllaca”, i cili tashmë ishte burgosur dhe gjendej në Burgun e Dubravës.

Indeksonline ka kontaktuar me zëdhënësen për EULEX, Besa Domi, e cila ka thënë se nuk ka informata lidhur me këtë çështje me arsyetimin se nuk ka qenë aty gjatë operacionit.

“Nuk mundem me ju tregu asgjë se nuk kam ndonjë informatë lidhur me këtë çështje. Unë nuk kam qenë aty gjatë operacionit”, ka qenë përgjigja e Domit.

Ndryshe, për aksionin e zhvilluar, kishte folur djali i të dënuarit, Iliazi, i cili kishte thënë se policia e EULEX-it nuk kishte qenë në dijeni se babai i tij gjendej tashmë në Burgun e Dubravë dhe se atë e familjen e tij i kishin shqetësuar në orët e hershme të mëngjesit./Indeksonline/

Sektori privat me shkelje serioze të të drejtave të punëtorëve

Qendra për Politika dhe Avokim në një konferencë për shtyp ka prezentuar të gjeturat e hulumtimit nga monitorimi I zbatimit të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Sipas hulumtimit të Qendrës për Politika dhe Avokim (QPA) të realizuar gjatë muajve janar-mars 2015, konstatohet se zbatimi i Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë vazhdon të sfidohet në sektorin privat. Në këtë hulumtim janë zhvilluar 173 intervista në rajonin e Prishtinës, 91 intervista me punëtorë të sektorit të shërbimeve, hotelerisë dhe tregtisë ndërsa 82 intervistime me punëtorë nga sektori privat.
Të dhënat nga terreni tregojnë së 38.46% të të intervistuarve nga sektori i shërbimeve, tregtisë dhe hotelerisë punojnë pa kontratë pune, ndërsa në sektorin e ndërtimit 59.76% janë deklaruar të mos kenë kontratë pune. 81% e të punësuarve në sektorin e ndërtimit janë deklaruar se brenda një jave punojnë nga 50-60 orë pune, ndërsa vetëm 9.82% janë kompensuar me para për orët shtesë të punës. Sa i përket pushimit vjetor, 73.17% e punëtorëve të ndërtimtarisë janë deklaruar së nuk u paguhet pushimi vjetor kundrejt  26.83% të cilëve u është paguar pushimi vjetor. Lidhur më pajisjet mbrojtëse dhe të sigurisë në punë, 54.88% e tyre i posedojnë këto pajisje, ndërsa 30% janë deklaruar se i perdorin vazhdimisht ato. Edhe pse pajisjet e shërbimit të zjarrfikësve duhet të testohen së paku një herë në vit, sipas tyre kanë kaluar më shumë se dy vjet që një gjë e tillë nuk është bërë.
Gjatë vitit 2014, sipas raportit të inspektoratit ishin lënduar rëndë 64 punëtorë ndërsa 9 punëtorë kishin pësuar më fatalitet, përderisa kompensimet e lëndimit u ishin paguar vetëm 3 punëtorëve. Edhe në muajt janar-mars 2015 janë raportuar 7 lëndime të rënda  dhe 3 vdekje në vendin e punës, asnjërit nga ta nuk u ishte paguar kompensimi i lëndimit. Edhe sa i përket kompensimit të pushimit mjekësor, janë evidentuar shumë shkelje, vetëm 30.31% e të anketuarve janë deklaruar se u  është kompensuar pushimi mjekësor.
Inspektorati i punës në vitin 2014 kishte realizuar 9337 inspektime, ndërsa sipas Administratës Tatimore të Kosovës deri në fund të vitit 2014 ishin aktive 71244 biznese, që i bie së  inspektorati ka inspektuar vetëm 13.10% të bisneseve, ndërsa një Inspektor brenda një dite ka inspektuar 0.85 biznese (më pak së një biznes). Nëse krahasohen numri i inspektimeve të periudhës janar-mars 2014 që ishte 2483 me atë të së njëtës periudhë të vitit 2015 që ishin realizuar 1857, del se në vitin 2015 numri i inspektimeve ishte për 626 inspektime më pak,  rrjedhimisht efikasiteti i Inspektoratit për këtë vit ka qenë më i dobët, poashtu edhe numri i të lënduarve dhe të vdekurve në këtë vit krahasuar më periudhen e njëjtë të vitit 2014 ka shënuar rritje.
Në gjykatat e Kosovës, aktualisht janë të pazgjidhura 1640 konteste civile të punës, vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës presin për t’u zgjidhur 139 raste, ndërsa Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke përgatitur një lëndë penale që ka të bejë më shkelje me karakter penal nga marrëdhënia e punës.
Ky projekt financohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Bullgaria përkrah zhvillimin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim presidentin e Republikës së Bullgarisë, zotëri Rosen Plevneliev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditëshe në Kosovë me ftesë të Presidentes.
Presidenti i Republikës së Bullgarisë, zotëri Rosen Plevneliev, u prit me nderime të larta shtetërore dhe fillimisht zhvilloi bisedë kokë më kokë me Presidenten Jahjaga dhe më pastaj edhe bisedë të zgjeruar mes dy delegacioneve.
Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Plevneliev biseduan për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushat e interesit të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe të bashkëpunimit tregtar, të projekteve të përbashkëta në infrastrukturën energjetike dhe rrugore, për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe rëndësinë e ndërtimit të fqinjësisë së mirë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, si parakusht i integrimeve në BE.
Presidentja Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, e vlerësoi lart ndihmën e Bullgarisë për Kosovën në të gjitha proceset e shtetndërtimit të saj dhe theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, posaçërisht në bashkëpunimin ekonomik dhe të investimeve. Ajo e vlerësoi të rëndësishme ndihmën që Bullgaria mund të ofrojë për Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe posaçërisht në mbështetjen në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të  nënshkrimit të MSA-së, që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së.
Presidenti i Republikës së Bullgarisë, zotëri Rosen Plevneliev, e falënderoi presidenten Jahjaga për ftesën dhe për pritjen e ngrohtë në vizitën e tij në Kosovë. Ai i vlerësoi të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe tha se Bullgaria do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset. Presidenti Plevneliev tha se për Kosovën është me rëndësi konsolidimi institucional i saj i brendshëm si dhe në skenën ndërkombëtare. Ai tha se Kosova dhe i gjithë rajoni i Ballkanit kanë perspektivë evropiane dhe duhet të punojnë në ndërtimin e marrëdhënieve ndër fqinjësore.
Në fund të takimit, Presidentja Jahjaga de Presidenti Plevneliev mbajtën një konferencë me gazetarë, ku dhanë deklaratat e tyre. Po i botojmë të plota të dyja deklaratat:
Presidentja Jahjaga: Kam nderin që sot në Kosovë, në vizitë zyrtare ta mirëpres Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Z. Rosen Plevneliev, mikun tim të mirë dhe mikun e Kosovës.

Z.President. Mirë se vini në Kosovë!

Me presidentin Plevneliev patëm një takim jashtëzakonisht të mirë, një takim miqësor dhe të përzemërt. Biseduam për shumë çështje të interesit të përbashkët të të dyja vendeve tona, të qytetarëve  tanë, por edhe të mbarë rajonit.

Z. President,

E vlerësoj të jashtëzakonshme përkrahjen e shtetit Tuaj për Kosovën, në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë. Kosova dhe Bullgaria kanë një histori të gjatë të lidhjeve mes tyre dhe unë në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të vendit, i shpreha falënderimin tim Presidentit Plevneliev për ndihmën që Bullgaria i ka dhënë Kosovës, në hapjen e kapitullit të ri të shtetndërtimit dhe të një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse.

Në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës i shpreha Presidentit Plevneliev falënderimet e përzemërta për gjithë punën e atyre burrave dhe grave qe shërbyen në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, të cilët kanë ndihmuar në vendosjen e paqes dhe të një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin për ndërtimin e një Kosove të përparuar.

Kjo ndihmë vazhdon të jetë e domosdoshme në stabilizimin e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe ndërtimit të kapaciteteve tona të sigurisë.

Dy vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të mira ndërmjet vete, dhe me Presidentin sot kemi biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve. E theksoj se Kosova ofron potenciale të mëdha për investitorët nga Bullgaria. Kosova ka resurse të mëdha edhe natyrore edhe njerëzore, dhe ne po krijojmë një klimë të mirë të biznesit, dukë ofruar siguri për të gjithë investitorët.

Ne po ashtu synojmë zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, në veçanti me vendet e Bashkimit Evropian dhe përfshirjen në tregun e familjes evropiane.

Bullgaria është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë sonë dhe duke dhënë përkrahje për proceset nëpër të cilat po kalon populli dhe vendi ynë.

Republika e Kosovës sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, ka perspektivë të qartë evropiane, dhe ne po punojmë me ngulm për të përmbushur standardet e kriteret e përcaktuara që na përafrojnë me familjen e madhe evropiane.

Si një shtet i ri në Evropë po dëshmojmë përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në rajon dhe të zgjedhjes së çështjeve me dialog dhe marrëveshje.

Në bisedë me presidentin Plevneliev kam ritheksuar nevojën e mbështetjes për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, në përputhje me të drejtën e lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit. Dhe e kam siguruar Presidentin se në bazë të kërkesës sime, brenda pak javësh, institucionet e vendit do t’i përmbushin të gjitha kriteret teknike, për ti’ hapur rrugë procesit të liberalizimit të vizave.

Unë besoj fuqishëm në përkrahjen e vazhdueshme të shtetit mik të Bullgarisë në të gjitha proceset integruese për vendin tonë.

Dhe në fund, dy vendet kanë një nivel të fuqishëm të miqësisë dhe të bashkëpunimit. Ne, siç diskutuam me Presidentin Plevneliev, do të vazhdojnë që ta thellojmë bashkëpunimin e mëtutjeshëm midis dy vendeve tona dhe qytetarëve tanë, në fushat e interesit të përbashkët, si në fushën e ekonomisë, të tregut, të kulturës, në fushën e rendit dhe të sigurisë dhe në qarkullimin e lirë të qytetarëve midis të dyja vendeve tona.

Zotëri President, ju faleminderit për vizitën tuaj dhe për miqësinë që kanë vendet tona.

Presidenti Plevneliev: Është kënaqësi e madhe për mua që sot të jem për vizitë në Kosovë. Marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme. Republika e Bullgarisë ishte një prej shteteve të para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ne krenohemi me këtë fakt. Unë krenohem që jam kreu i parë i shtetit bullgar që është për vizitë zyrtare në Kosovë.

Bullgaria përkrah aktivisht përpjekjet e autoriteteve ndërkombëtare dhe autoriteteve të Kosovës për ndërtimin e një shoqërie moderne multientike. Për Bullgarinë, Kosova është një partner perspektiv tregtar në fushën e mbrojtjes së investimeve në të dy vendet dhe unë  jam i sigurt se marrëveshja në këtë fushë do të finalizohet gjatë muajve të ardhshëm. Pas nënshkrimit, marrëveshja do t’i japë shtytje zhvillimit  të biznesit, se edhe biznesi ka nevojë për një mbështetje ligjore.

Kompanitë e mëdha bullgare punojnë tashmë. Një kompani bullgare ndërtoi një kompleks të madh tregtar këtu në Prishtinë. Por, ne mund të ofrojmë edhe më shumë. Ndërmarrjet bullgare janë gati të vijnë këtu dhe të krijojnë vende të reja të punës në fushën e bujqësisë, turizmit, farmaceutikës, prodhimit të ushqimeve, infrastrukturë e të tjera. Ne do të realizojmë shumë projekte të përbashkëta.

Ballkani ka potenciale të mëdha. Ne mund t’i përdorim bashkërisht në përpjekjet tona për ndërtimin e një infrastrukture moderne në Ballkan, sepse kjo është pengesa e madhe për zgjerimin e lidhjeve. Përshëndesim Kosovën në përmbylljen e bisedimeve  për marrëveshjen për stabilizim-asociim. Bullgaria do ta luajë rolin e saj dhe do ta vazhdojë t’ju mbështesë. Ne përshëndesim hapat e juaj të bërë deri tash në rrugën drejt Evropës.

Unë ju përgëzoj për qëndrimin tuaj konstruktiv ndaj fqinjësisë së mirë dhe ndaj dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilin ne në Bullgari e vlerësojmë lart. Jemi të sigurt se secili prej shteteve do t’i përmbahet parimeve demokratike dhe të sundimit të ligjit. Projekti evropian mund të përfundohet atëherë kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e familjes evropiane. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të garantojnë paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Paqja arrihet me ndërmarrje dhe parime që janë të barabarta për të gjithë. Paqja arrihet kur shohim vetëm përpara dhe jo mbrapa, kur kemi shoqëri moderne në rajon, kur integrohemi, kur lidhemi njëri me tjetrin. Bullgaria është motor për zhvillim.

Përshëndesim të gjitha përpjekjet dhe hapat që janë ndërmarrë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis të gjithë shteteve të Ballkanit. Përshëndesim marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Përshëndesim heqjet e plotë të vizave për shtetasit e Kosovës. Ne jemi një prej motorëve për të këtë proces dhe shpresojmë se shumë shpejt do të arrijmë sukses. Sepse institucionet tuaja punojnë, besimi ekziston dhe jam i sigurt se shumë shpejt mund të ketë rezultate.

Bashkëpunimi rajonal është me rëndësi të madhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Askush nuk mund të bëjë vetë përparim, prandaj duhet të punojmë bashkërisht, me qëndrim të përbashkët. Kosova e ka vendin e vet në këtë qëndrim të përbashkët.

Realizimi i korridoreve të transportit, si ai numër 10 dhe ai numër 8 janë me rëndësi. Ne besojmë se korridori Sofje-Nish-Prishtinë është prioritete në punën tonë. Kjo do të thotë të mos udhëtojmë pesë orë, siç kemi udhëtuar sot nga Sofja në Prishtinë, por për dy orë.

Kufizimet duhet të hiqen, kufizimet e vizave, kufizimet e rrugëve. Ne duhet të jemi një familje e madhe që jeton dhe punon bashkërisht në shtëpinë e vet. Shtëpia jonë është Ballkani.

Mbështesim të gjitha projektet energjetike për lidhjen e sistemeve të të gjitha vendeve. Bullgaria prodhon energji dy herë më shumë nga konsumi i vendit. Ne prodhojmë energji bërthamore, përdorim  teknologjinë më moderne, energjinë ripërtëritëse, burimet ripërtëritëse dhe do të ndihmojmë miqtë tanë këtu në Kosovë që edhe ju të mund të ndërtoni pajisje moderne në nivel botëror. Keni resurse strategjike dhe këto potenciale duhet të shfrytëzohen.

Ambiciet tona janë ndërtimi i një bashkimi energjetik evropian, i cili duhet të realizohet në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Bullgaria dhe Kosova do të jenë motori i këtij projekti të përbashkët. Ai do të garantojë çmime konkurrues edhe mundësinë e zgjedhjes së furnizuesit për secilin konsumator dhe për secilin biznes.

Ballkani, që dikur ishte një vend me konflikte, sot do të jetë një vend i paqes, i zhvillimit njerëzor. Kjo është e mundur vetëm në bazë të integrimit evropian. Ne besojmë në këtë dhe do të mbështesim çdo hap të Kosovës dhe të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit.

Bullgaria si anëtare e NATO-s dhe e BE-së do të jetë garantë për zbatimin e këtyre proceseve.

Sot diskutuam bashkëpunimin e mirë midis shërbimeve të sigurimit. Ky bashkëpunim do të thellohet në të ardhmen. Krenohemi se kemi dhënë kontribut për ndërtimin e institucioneve të Kosovës si një shtet modern.

Bullgaria është shteti i tretë i cili ka kontribut më të madh në misionin e BE-së për ndërtimin e institucioneve të Kosovës me 56 vetë që punojnë sot në Kosovë. Krenohemi për misionin e NATO-s. Bullgaria do ta mbështesë këtë mision.

Edhe njëherë nga zemra ju falënderoj për kulturën demokratike, për miqësinë, për durimin dhe përkushtimin për Ballkanin e qetë, Ballkan të cilin ligji do të jetë mbi të gjithë.

Tërshëra, ja pse duhet të konsumohet

Mund ta keni dëgjuar shpesh tërshërën si një mënyrë e mirë për të rënë në peshë. Megjithatë, konsumimi i tërshërës nënkupton për trupin tuaj më shumë sesa aq. Ja të mirat që ai sjell në shëndet:

  1. Ul kolesterolin

Tërshëra është një burim i pasur fibrash (fibra të cilat mund të gjenden dhe në mollë, dardhë, kumbulla të thata etj). Këto lloj fibrash pengojnë thithjen e LDL-së, i njohur si kolesteroli i keq. Një filxhan tërshërë përmban më shumë se 5 gramë fibra, të cilat janë të mjaftueshme për të ulur nivelin e kolesterolit.

  1. Ul rrezikun e presionit të lartë të gjakut

Fibrat që përmban tërshëra ofrojnë përfitime të shumta kardiovaskulare, përfshirë këtu edhe reduktimin e rrezikut të presionit të lartë të gjakut. Është e rekomanduar që gratë në menopauzë, të cilat e kanë në tendencë rritjen e presionit të gjakut, të hanë tërshërë çdo mëngjes.

  1. Është e pasur me antioksidantë

Tërshëra përmban një lloj të veçantë antioksidanti që quhet avenanthramide. Ky antioksidant ndihmon në luftimin e radikaleve të lira që ndikojnë në sëmundjet kardiovaskulare

  1. tershereStabilizon sheqerin në gjak

Një dietë e lartë në fibra stabilizon nivelin e sheqerit në gjak. Ajo ndihmon gjithashtu në parandalimin e diabetit. Përveç fibrave, tërshëra është një burim i mirë magnezi, i cili rregullon nivelet e insulinës dhe glukozës.

  1. Rrit sistemin imunitar

Tërshëra përmban një lloj fibre të caktuar të quajtur beta-glukan. Kjo fibër ndihmon kundër sëmundjeve të zemrës dhe rrit sistemin imunitar. Ajo ndihmon edhe në luftimin e infeksioneve bakteriale.

  1. Ndalon rritjen e peshës

Të hash ushqim dhe të mos shtosh peshë tingëllon si një lloj diete e përsosur. Tërshëra është aq e pasur me fibra, sa t’ju mbajë të ngopur për një kohë të gjatë. Fibrat rrisin viskozitetin e përmbajtjes së stomakut në mënyrë që ai të mos ndihet i zbrazur.

Disa mënyra për të rritur sigurinë në vetvete

Të jesh i sigurt në vetvete dhe të besosh në ato që thua, nuk do të thotë të jesh egoist, përkundrazi, është hapi i parë drejt suksesit, shëndetit dhe lumturisë. Në fund të fundit, këto janë aspiratat e gjithsecilit nga ne. Ja disa këshilla që mund t’ju vijnë në ndihmë:

Vendosni më të mirën për veten-veproni gjithmonë me optimizëm dhe pozitivitet. Merrni vendimet që janë në favorin tuaj dhe mos harroni: vlerësimi i ulët për veten mund të sjellë si pasojë një jetë jo të lumtur.

Mësoni të thoni jo-kujdes nga njerëzit që duan të përfitojnë nga natyra juaj e butë, për të kërkuar favore të cilat nuk keni mundësi t’i bëni. Ndjehuni të lirë për të thënë jo.

Kini më shumë guxim- duhet gjithmonë të flisni me guxim kur bëhet fjalë për të drejtat tuaja. P.sh. nëse dikush është duke pirë duhan afër jush dhe ky fakt ju bezdis, mund t’i kërkoni të ndalë tymosjen. Ruani gjithmonë qetësinë dhe mos krijoni tensione të panevojshme.

Bëhuni i sigurt, jo egoist- të jesh i sigurt në vetvete nuk do të thotë të jesh egoist, luftoni për të drejtat tuaja por pa imponuar të tjerët.

Jini të qetë dhe të vendosur- flisni me bindje dhe veproni me qetësi kur bëhet fjalë për të zgjidhur çështje delikate. Kontrolloni emocionet dhe do të ndiheni më mirë.

Përmbajuni parimeve- qëndroni i vendosur ndaj gjërave që doni ose jo të bëni, askush nuk mund t’ju detyrojë të shkoni diku ose të bëni diçka të cilën nuk e doni. Respekti për veten është parësor.

Thanat kundër ulcerës së lukthit

Thanat mund të jenë shumë të efektshme në mbrojtjen nga i thati në stomak tek femrat.

Disa studime kanë zbuluar se lëngu i thanave është një ndihmë e theksuar për antibiotikët në luftë kundër baktereve që shkaktojnë të thatin dhe karcinomën në lukth.

Rezultatet e studimeve tek pacientët me Helicobacter pylori, tregojnë se pirja e lëngut të thanës gjatë dhe pas trajtimit me antibiotikë, për një javë, shton gjasat për të çrrënjosur bakteret për 10%. Efekti i lëngut të thanave është vërejtur vetëm tek gratë.

Pesticidet shkaktojnë kancer në tru

Bujqit e ekspozuar në masë të madhe ndaj pesticideve, kanë rrezik tri herë më të madh për t’u prekur nga kanceri në tru, bëjnë të ditur shkencëtarët francezë.

Është ditur se tumoret në tru janë më të pranishëm tek burrat krahasuar me gratë, dhe kjo është shpjeguar me ndikimin e pesticideve.

Këto substanca edhe më herët janë theksuar si të dëmshme në organizëm, pasi që ishin dëshmuar se ndikonin në rritjen e gjasave për të vuajtur nga Parkinsoni.

Stresi shkakton inflamacionin kronik

Stresi i vazhdueshëm mund të përkeqësojë inflamacionet dhe madje të çojë te inflamacioni kronik, thonë studimet e fundit.

Inflamacioni është reaksioni i organizmit ndaj një traume ose infeksioni, që mund të vijë si pasojë e çrregullimeve dhe sëmundjeve të ndryshme. Dhe hulumtimet e fundit te femra të shëndetshme kanë gjetur se ekspozimi ndaj situatave stresuese, si fjalimet publike dhe intervistat në punë, po ashtu mund të çojë te inflamacioni kronik.

Shkencëtarët kanë marrë mostrat e gjakut dhe kanë zbuluar se femrat, të cilat kanë qenë të ekspozuara ndaj situatave stresuese tregojnë nivel më të lartë të proteinës C reaktive (CPR), që është shenjë e inflamacionit. Proteina C reaktive prodhohet në mëlçi kur në trup është i pranishëm inflamacioni dhe është pjesë e sistemit mbrojtës të organizmit (sistemit imun).

Edhe pse që moti është vërtetuar se stresi dobëson sistemin imun, ky është hulumtimi i parë i cili efektin e stresit në trup e ka matur në mostrën e gjakut të pjesëmarrësve.

Niveli i CPR ka qenë shumë më i madh te femrat që kanë qenë të ekspozuara në situata stresuese, në krahasim me ato që nuk kanë qenë. Më e keqja është që niveli i kësaj proteine ka vazhduar të rritet gjatë periudhës së ardhshme prej një ore.

Shkencëtarët theksojnë që stresi është i pashmangshëm, por se duhet të mësohemi ta menaxhojmë atë. Ka teknika të ndryshme relaksuese (frymëmarrja e thellë, joga, meditimi, vrapimi) të cilat kanë ndihmuar njerëzit nëpër gjithë botën.

TË FUNDIT