Ballina Blog Faqe 10047

Shërbimi ALBtelecom ALBwifi: Sa inovativ aq edhe kontravers

Padyshim se secili prej jush, të paktën ata që jetojnë në Shqipëri do e njohin shumë mirë shërbimin ALBwifi. Një iniciativë e ALBtelecom e cila synon të sjell internet Wi-Fi falas në të gjithë Shqipërinë, ALBwifi tashmë duket të jetë funksional më shumë se asnjëherë më parë.

Duke marrë shkas nga një video e publikuar nga ALBtelecom në Youtube, PCWorld Albanian mendoi ti hidhte një sy këtij shërbimi rreth avantazheve dhe disavantazheve. Natyrisht që përfitimi më i madh i përdoruesve nga ALBwifi është të qenurit falas. Por falas për abonentët e ALBtelecom që zotërojnë dhe përdorin një kartë SIM Eagle Mobile.

Çfarë është ALBwifi?

Ky projekt tashmë po bën dy vite që ka startuar dhe fillimisht pikat e para të aksesit wireles u vendosën në zonat turistike për të hyrë pastaj edhe në qytetet dhe zonat urbane si Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora etj. ALBtelecom pretendon se ofron 220 pika të aksesit falas në Wi-fi në të gjithë Shqipërinë. Për ata që duan të dinë nëse ky shërbim ofrohet në qytetin e tyre apo zonën ku jetojnë mund të klikoni këtu për të vizituar hartat e mbulimit.

Fillimisht aksesi në këtë shërbimin kushtonte ndërsa kohët e fundit është bërë falas për abonentët që kanë një numër Eagle Mobile. Por sot ne nuk jemi këtu për të përshkruar ato çfarë thotë ALBtelecom por për të treguar mendimet tona në lidhje me këtë shërbim si dhe për të diskutuar rreth përfitimeve që ka.

albwifi3

Aktualisht, ALBtelecom po ofron një aplikacion falas në Android përmes dyqanit të aplikacioneve Play Store i cili është i aftë të bëjë konfigurimin e këtij shërbimi. Edhe nëse nuk keni një telefon Android, konfigurimi është një proçes mjaft i lehtë duke qenë së identifikimi tek ky rrjet Wi-Fi bëhet përmes kartës SIM. Në rast se doni të shfrytëzoni këtë shërbim përmes laptopit tuaj atëherë duhet të dërgoni një sms në 55544 ku dhe do të merrni një kod 8 shifror që do të përdorni në vend të fjalëkalimit kur aksesoni një pikë aksesi Wi-fi të ALBwifi.

Vendosja e lidhjes me ALBwifi

Në rastin tonë shfrytëzuam një telefon Windows, Nokia Lumia 635, për të aksesuar shërbimin ALBwifi. Fillimisht u duhet të vendosni lidhjen Wi-fi me pikën e aksesit ALBwifi por mos harroni që duhet të jeni në një zonë ku ka mbulimin të cilin mund ta zbuloni përmes hartës së mbulimit që ofron ALBtelecom nga uebfaqja e tij. Kur përpiqeni të lidheni do të shfaqen disa opsione të tjera për të përcaktuar mënyrën e lidhjes ku duhet të përzgjidhni SIM ndërsa tek metoda e identifikimit duhet të përzgjdhni përsëri SIM.

albwifi2

Mbajeni mend se ky është një konfigurim manual i paisjes. Telefonët iOS, Windows Phone, Blackberry dhe Symbian kanë nevojë për konfigurim manual ndërsa në Android mjafton të hapni aplikacionin, të klikoni konfiguro dhe pastaj smartfoni juaj automatikisht do të lidhet me këtë rrjet. Mbase në të ardhmen ALBtelecom do e transferojë këtë aplikacion edhe në iOS, Windows Phone dhe Blackberry.

Shërbimi ALBWifi

Avantazhet:

–         Shpejtësi e lartë deri në 20 Mbps

–         Internet Falas

Disavantazhet:

–         Limiti prej 1 GB

–         Vetëm abonentët e Eagle Mobile mund ta shfrytëzojnë këtë shërbim

–         Mungesa e një mbulimi të gjërë të zonave urbane me këtë shërbim

Sapo vendosëm lidhjen me rrjetin ALBwifi menjëherë u drejtuam tek aplikacioni Speedtest.netzhvilluar nga Ookla. Testimi është bërë nga qyteti i Shkodrës në një zonë ku kishte mbulim Wi-Fi. ALBtelecom reklamon shpejtësi deri në 20 Mbps. Maksimumi i shpejtësisë së arritur nga aplikacioni ynë Speedtest.Net në telefonin Windows ishte pak më shumë se 15 Mbps në shkarkim dhe 6 Mbps në ngarkim. Një shpejtësi e lartë kjo po të konsiderosh faktin se ALBtelecom ofron paketat ADSL akoma me 4, 6, 8 dhe 12 Mbps me çmime të kripura.

albwifi1

Një nga mangësitë më të mëdha të këtij shërbimi është limiti prej 1 GB në ditë. Në fakt, këto 1 GB mund të mjaftojnë për një qëndrim 2 orësh në një kafe duke aksesuar rrjetet sociale dhe vështruar video në Youtube por jo më shumë. Por edhe sikur të dëshironim të aksesonim ALBwifi me laptopin tonë atëherë edhe më keq, dhe fatkeqësia e vërtetë do ishte sikur kompjuteri juaj të ishte duke instaluar ca përditësime në sfond përmes Windows Update. Nga ana tjetër, në qytetin ku ne kryem testimet kishte vetëm 8 pika aksesi ndërkaq ka qytete që kanë vetëm 1 apo 2 ndërsa Tirana ka më shumë se 120 të tilla.

E fundit por jo më e parëndësishmja është pamundësia e abonentëve të AMC, Plus dhe Vodafone për të përdorur shërbimin. Në fakt ne nuk po e kërkojmë falas, teksa unë personalisht do isha i gatshëm të paguaja për atë 1 GB siç ka bërë ALBtelecom por jo të jem i detyruar të bëhemi pjesë e Eagle Mobile. Edhe më parë ALBtelecom tarifonte abonentët e saj kur shfrytëzonin këtë shërbim.

Mourinjo kundër formacionit të vitit në Premier League!

Në Premier Ligë është shpallur formacioni ku në të janë të përfshirë gjashtë futbollistë të Chelseat: Branislav Ivanovic, John Terry, Gary Cahill, Eden Hazard, Nemanja Matic dhe Diego Costa.
Por kjo si duket nuk e ka kënaqur trajnerin e Chelseat, Jose Mourinjo, i cili ka thënë se ky formacion ka mundur të bëhet edhe vetëm me lojtar të Chelseat.
Po, të gjithë. Unë mendoj kështu”, ka thënë “Special One”.

Zelandë e Re, peshkaqeni sulmon grupin e xhirimit mbi gomone (Video)

Duhej të ishte një ekskursion i thjeshtë për të realizuar një dokumentar për peshkaqenë, por u shndërrua në një përvojë tronditëse që ka lënë në ankth për disa minuta dy ekspertë të sektorit, si Jef Kurr dhe Andy Casagrande, të cilët kishin dalë në det me disa të tjerë mbi një varkë dhe një gomone në brigjet e ishullit Stewart në Zelandën e Re.

Sulmi i bërë nga një peshkaqen i bardhë prej 6 metrash ndaj grupit që duhej të xhironte dokumentarin, ishte i tmerrshëm. Kur u përpoqën t’i vendosnin një videokamera pranë, kafsha ka reaguar duke shtyrë gomonen dhe duke kafshuar litarin që e mbante të lidhur me varkën, duke e tronditur frikshëm. Momente frike, një pushim, pastaj peshkaqeni që ishte zhdukur për pak, rishfaqet duke bërë një tjetër mësymje.

Dhe ndërsa një pjesëtar i ekuipazhit, e përcakton përvojën “torturuese”, shfaqet në ujë një tjetër peshkaqen. Në atë pikë, trupa e xhirimit mendon të largohet, duke shmangur një aventurë që mund të kishte rezultuar fatale, duke parë madhësinë e gomones në ujëra ku notojnë peshkaqenë aq të mëdhenj.

https://www.youtube.com/watch?v=6YfkZz07xjQ

Vendos SBASHK-u nga e mërkura mësimdhënësit në grevë të përgjithshme

Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar do të hyjnë në grevë të përgjithshme që nga dita e mërkurë.

Vendimi për grevën është marr nga Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), të cilët thanë se greva mund të ndërpritet vetëm atëherë kur Qeveria do të dëshmojë se me listat e pagave të muajit prill është përfshirë edhe pagesa prej 0.5 për qind e stazhit të punës për afro 29 mijë të punësuarit e sektorit të arsimit parauniversitar.

Sindikalistët e arsimit kanë thënë se ndihen të fyer dhe të indinjuar me veprimin më të fundit të Qeverisë, e cila ndonëse kishte premtuar se me pagat e prillit do të paguante edhe stazhin për çdo vit të përvojës së punës, duke parandaluar grevat e përgjithshme dhe pa afat, tashti ka bërë kalkulim imagjinare në dëm të mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se pavarësisht marrëveshjes së 24 prillit të bërë me Qeverinë që përvoja e punës për të punësuarit në arsim të fillojë së paguari me pagat e muajit prill, dhe kur ishin bërë të gjitha kalkulimet buxhetore për të realizuar këtë nga një komision i përbashkët i SBASHK-ut dhe MASHT-it, Qeveria tani ka lëshuar listat e pagave për vetëm rreth 19.000 të punësuar, nga rreth 29.000 sa janë të punësuar në arsim.

“Ndërkaq edhe për ta, paga bazë është llogaritur të jetë 216 euro e jo 405 euro sa është në realitet për arsimin fillor, dhe 236 euro e jo 445 euro sa është në arsimin e mesëm”, ka thënë Jasharaj, raporton Koha.net.

Shkaqet dhe pasojat e shkurorëzimit në Kosovë

OPINION NGA KUSHTRIM GASHI  /  Shkurorëzimi apo divorci si një ndër problemet me të mëdha sociale në mbarë botën ka nisur të rritet me hapa të shpejt edhe në Kosovë. Studimet në lidhje me shkurorëzimin janë të pakta në Kosovë. Ky problem në Kosovë më shume trajtohet si problem privat, që i përket vetëm familjeve e jo të gjithë shoqërisë.

Në ish Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në vitet e fundit janë paraqitur nga 50 kërkesa për shkurorëzim brenda një muaji.  Kjo shifër konstatohet të jetë në fakt maja e ajsbergut. Një gjendje e tillë nuk është aspak më e mirë as në Shqipëri dhe as në pjesën shqiptare të Maqedonisë.

Pjesa më e madhe e bashkëshortëve, pavarësisht problemeve dhe dhunës në familje që është një nga fenomenet mjaftë prezent në shoqërinë tonë, shtyjnë për vite me radhë zgjidhjen e martesës. Askush nuk vjen menjëherë në gjykatë, pas një konflikti me bashkëshortin nëse marrëdhëniet kanë qenë të mira më parë.

Vendimi për tu shkurorëzuar është vendimi më i vështir që duhet të merret, andaj mosmarrëveshjet zgjasin me muaj të terë derisa merret vendimi për t’ju drejtuar gjykatës.

Shpesh artikujt e gazetave apo studimet e vogla realizuar për shkurorëzimet apo divorcet, flasin vetëm për shifra e shumë pakë për shkaqet që qojnë në një prishje martese.

Në periudhën e viteve 1921-1939, shkurorëzimet janë grumbulluar kryesisht nga institucionet fetare, ndërsa shumë pak nga gjykatat.  Pas vitit 1951 të dhënat grumbullohen me pyetësor individual të cilat pastaj përpunoheshin dhe fitoheshin të dhënat përfundimtare, sipas vendbanimit të përhershëm dhe kohës ku ka ndodh ngjarja.

Nga Janari i vitit 2004 Agjencia e Statistikave të Kosovës grumbullon këto të dhëna me pyetësor statistikor të veçantë për shkurorëzime nga ish Gjykatat e Qarkut, gjegjësisht Gjykatat Themelore.

Sipas statistikave të paraqitura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2004 në Kosovë kemi pasur 1293 shkurorëzime, në vitin 2005, 1445, në vitin 2006, 1480, në vitin 2007 ka arritur kulminacionin në 1558 shkurorëzime, në vitin 2008, 1026, në vitin 2009, 1555, në vitin 2010, 1453, në vitin 2011, 1469, në vitin 2012, 1329, në vitin 2013, 1040 shkurorëzime.

Këto shifra janë me të vërtetë shqetësuese dhe vinë për shkaqe të shumta, së pari është vetë periudha e tranzicionit që po kalon vendi ynë, lëvizja e qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës, faktori kulturorë, mos përfshirja në jetën e re të qytetit apo të shtetit ku emigrohet, gjendja ekonomike, tradhtia bashkëshortore, mospërshtatja e karaktereve, dhuna familjare, etj. Është për tu habitur se si një ndër shkaqet e shkurorëzimit është edhe interneti dhe televizionet, përkatësisht telenovelat, të cilat na servohen pa ndonjë kriter.

Dikush para së gjithash mund të pyes se shkurorëzimi a është dukuri pozitive apo negative? Përgjigja duhet të jetë: “shkurorëzimi është një e keqe e domosdoshme”. Kjo rrjedh nga fakti se kur bashkëshortët kalojnë kufijtë e mirëkuptimit dhe seriozisht çrregullohen raportet e tyre, atëherë e vetmja rrugë mbetet shkurorëzimi.

Po kush fiton në shkurorëzim? Do të thosha që në shkurorëzim nuk ka fitues, por vetëm humbës dhe dëmi më i madh ju shkaktohet fëmijëve. Shkurorëzimi për fëmijët është fatkeqësi sepse mënyra si rriten le gjurmë në të ardhmen dhe në formimin e karakterit dhe personalitetit të tyre. Ndarjen e prindërve, fëmijët shumë vështir e akceptojnë dhe len pasoja që vështir tejkalohen.

Në rastet e shkurorëzimit është mirë që fëmijëve t’u tregohet për atë që po ndodh. Duke e mbajtur të fshehtë, mund të ndodh që fëmijët ta marrin vesh këtë nga një person i papërshtatshëm dhe në një moment të pavolitshëm. Edhe pse është shumë e vështir, duhet të dy prindërit bashkërisht të ua  shpjegojnë situatën. Kjo do  të pamundësonte që njëri nga prindërit të mbetej fajtor dhe do të rrit mundësin që me anë të marrëveshjes të kujdesen për edukimin, rritjen dhe shkollimin e fëmijëve.

Nga e gjithë kjo mund të kuptojmë se numri i shkurorëzimeve në vendin tonë është alarmante dhe sidomos të moshat e reja, gjë qe celula themelore e shoqërisë familja është futur në krizë. Pra themelet e familjes janë tronditur ndjeshëm dhe miti i familjes tradicionale shqiptare po bie vit pas viti.

Duke qenë se familja është bërthama e një shoqërie, atëherë ajo duhet të bëhet prioritet nga institucionet e shtetit. Sigurisht se ky është një proces që nuk mund të realizohet në mënyrë deklarative dhe as brenda një muaji e as brenda një viti.

Institucionet e vendit duhet të ndërmarrin hapa konkret duke bërë projekte afatgjate në të cilat përfshihen shtresat me të goditura të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe si rrjedhojë integrimin e tyre në shoqëri.

Ky proces duhet parë një betejë që duhet tejkaluar me sukses dhe hapi parë shumë me rëndësi është pranimi i faktit se deri me sot institucionet e vendit me të gjitha organizmat shoqëror e politik brenda saj kanë dështuar të ja dalin për të frenuar fenomenin e shkurorëzimit dhe rrenimit të familjes.

Ky nuk do të ishte vetëm një hapë i parë, por do të ishte një kthesë, një lëvizje që do të ngjallte dritën e shpresës në fund të tunelit dhe do të frenonte shkatërrimin e bërthamës së shoqërisë, familjen.

Eurovision 2015 është aplikacioni zyrtar i konkursit europian të muzikës për këtë vit

Lajme të mira për të gjithë ata që dashurojnë muzikën e veçanërisht konkursin europian të këngës, Eurovision. Në këtë periudhë viti organizohet kompeticioni ku marrin pjesë të gjitha vendet Europiane përfshi edhe Shqipërinë dhe Eurovision ka menduar të gjendet më pranë të apasionuarve pas këtij konkursit.

Që tani mund të shkarkoni aplikacionin zyrtar të Eurovision 2015 i cili është i disponueshëm për telefonët Windows ndërsa për iOS dhe Android po vjen javën e ardhshme. Në fakt është ndër të paktat raste kur shohim një aplikacion të mbërrijë në platformën mobile të Microsoft përpara platformave të Apple dhe Google. Veçori të reja do ti shtohen aplikacionin kur të startojë zyrtarisht edhe konkursi i muzikës.

EurovisionLaunchImage2

Me anë të këtij aplikacioni do të mund të votoni edhe këngën tuaj të preferuar. Aplikacioni gjithashtu do të ofrojë mundësi blerjeje për të gjithë që duan ti kenë këngët e këtij kompeticioni në smartfonin e tyre. Sapo aplikacioni të jetë i disponueshëm në Android dhe iOS ne do e përditësojmë artikullin. E çfarë tu themi tjetër veç shikim të këndëshëm të evenimentit.

Shkarkoni Eurovision 2015 për Windows Phone

Mitrovicë, gjendet një trup i pajetë në lumin Ibër

Një trup i pajetë është gjetur sot njofton  Policia e Kosovës. Ky trup i pajetë është gjendur në lumin Iber në pjesën e Leposaviqit. Ndërkaq trupi i pajetë është shumë i dëmtuar pasi mendohet se ka një kohë që viktima ka ndërruar jetë./drenicapress/

Në fshatin Llaushë të Skenderajt gjenden tre mbetje mortore

Në fshatin LLaushë të Skenderajt sot EULEX-i bënë të ditur se ka gjetur tre mbetje mortore të vrarë në vitin 1999 nga forcat serbe. Eshtrat e katër trupave janë gjetur sot nga EULEX-i. Këto mbetje mortore u gjetën pasi për këta trupa kishte lajmëruar një banor i fshatit Llaushë nga Skenderaj. Arsim Gërxhaliu lidhur më këtë rast thotë se tani kanë filluar gërmimet në këtë vend dhe do të vazhdojnë gërmimet edh emë tutje për të hulumtuar mirë mos ka edhe ndonjë trup tjetër të pajetë në këtë vend. Vendi ku janë gjetur trupat e pajetë është afër varrezave të fshatit Llaushë./drenicapress/

Milaim Zeka: Ramushit i është bërë ftesë për të hyrë në Qeveri

Gazetari Milaim Zeka ka thënë se kafja e Isa Mustafës me Ramush Haradinajn nuk është krejt e rastësishme.
Ai ka shkruar në Facebook se kjo është bërë për ta bërë pjesë të Qeverisë edhe Haradinajn me partinë e tij, në mënyrë që të votohet specialia dhe ta ulin fuqinë e listës sërbe.

Ky është komenti i Zekës në Facebook:

“Rreth kafes “palidhje” te Ramushit me Isen

Kur ka pas ra qeveria nga Zanzibari, nëse ju kujtohet, ka qenë mesi i natës. Me patën thirre disa media ndërkombëtare, edhe me thane se çka po ndodhe? Pritni, ju thash. Kur zgjohet ambasadori amerikan nga gjumi, Delli pra, e marrim vesh.

Kur u fol për bashkëqeverisjen e tanishme, prapë thash pritni, se akoma nuk ka folur Dada e Dragodanit, medemek Arberise.

Tash edhe kjo kafja e Ramushit me Isen, nga Dragodani erdhi. Me porosi te Ëashingtonit. Nuk ishte kafe palidhje, po me shume lidhje. Ramushit ju ka ba ftesa me hy ne Qeveri. Kuptohet per votat e Gjykates Speciale.

A eshte mire me ndegju nanen Amerike? Unë them se po, bash gjithmonë, edhe kur se kane bash mire. Sa here i kemi dëgjuar ata dhe perendimoret e tjerë, gjithmonë kemi dale te fituar. A është mire qe Ramushi me hy ne qeveri, une them se po. Pse? Ju tregoj here tjeter. Te pakten Lista Serbska e kish ule bishtin”

FHD Kosovë: Qeveria ta hapë dialogun me Serbinë për të zhdukurit

Me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) kërkon nga Qeveria e Kosovës më shumë përkushtim në zbardhjen e fatit të tyre dhe gjithashtu kërkon nga institucionet përkatëse që të bëjnë më shumë në adresimin e përgjegjësisë penale.

“Gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti ka pasur progres në gjetjen e trupave të personave të zhdukur, gjegjësisht është hulumtuar, lokalizuar dhe hapur varreza masive në Rashkë, ku janë zhvarrosur trupat e 52 personave që ishin të raportuar si të zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë. Sidoqoftë numri i personave të zhdukur vazhdon të jetë shumë i lartë dhe duhet të shtohen përpjekjet për gjetjen e personave fati i të cilëve ende nuk dihet”.

Për më tepër, FDH Kosovë shpreh shqetësimin që fokusi ka mbetur vetëm në gjetjen e trupave të personave të zhdukur, ndërsa institucionet kanë dështuar të marrin hapa për adresimin e përgjegjësisë penale për të njëjtat raste.

Duke pasur parasysh numrin e madh të personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, pranë gjykatave vendore është proceduar një numër simbolik i lëndëve për këto krime. Mbi 99% të familjarëve të këtyre viktimave kanë mbetur pa drejtësi.

Edhe pse Qeveria e Kosovës kishte premtuar se çështja e personave të zhdukur do të jetë temë e dialogut me Serbinë, dhe duke ditur se kjo ende nuk ka ndodhur, FDH Kosovë kërkon të insistohet që çështja e personave të zhdukur të jetë tema e radhës për diskutim.

Gjithashtu në këtë dialog Qeveria e Kosovës duhet të parashtrojë kërkesë që të gjendet zgjidhje për bashkëpunimin e gjyqësorit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në mënyrë që të bëhet ndjekja penale e personave të përfshirë në këto krime”, thuhet në komunikatën e FHD Kosovë.

TË FUNDIT