Kandidati për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Islam Pacolli, thotë se pushtetarët që nga pas lufta e kanë konsideruar Kosovën si pronë të vetën, raporton Ekonomia Online.

Pacolli që kandidon për karrigen e deputetit me Aleancën Kosova e Re (AKR), parti kjo që është në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), shtoi se i gjithë investimi në vend është bërë pa një kalkulim të qartë sa i përket ndikimit në zhvillimin ekonomik.

“Autostradat janë të nevojshme, por çdo herë para se të ndërtohet diçka duhet të bëhet një kalkulim i zhvillimit ekonomik që është me prioritet, një dhe e dyta se si ajo ndërtohet duhet të ndërtohet në bazë të projekteve duhet me qenë kosto publike për arsye se ky buxhet, kjo taksë është e qytetarit. Pushtetarët e marrin sikurse me pas pronë të vetën”.

“Është një gabim total, do të thotë nuk kam qenë asnjëherë që nga pas lufta i kënaqur me qeverisjen e cila është bërë. Prandaj, dëshira dhe kërkesa ime edhe kur kam qenë në Parlament kam thënë që do të jem transparent asnjë pushtetar nuk e ka buxhet të vetin taksën e qytetarëve”.

Pacolli nuk pranon të flas për partitë e tjera, duke shtuar se kanë synim dhe plan rritjen ekonomike dhe zhdukjen e korrupsionit.

“Unë nuk kisha dashur që të flas për parti tjera sepse secili e ka orientimin e vet. Kisha dashur të flas vetëm për subjektin dhe koalicionin tonë të cilin ne e kemi një synim dhe një plan në ngritjen ekonomike dhe për mua është shumë e rëndësishme zvogëlimi apo zhdukja e korrupsionit”.

Ndër të tjerash, ai thekson edhe kërkesën e tij të kamotshme për t’i dalë në ndihmë Luginës së Preshevës, raporton Ekonomia Online.Ai po kërkon që shteti të ndajë çdo vit 50 milionë euro për këtë pjesë, në mënyrë që mos të ketë shpërngulje masive të popullatës.

“Këtë çështje e kam ngritur edhe në Parlamentin Kosovës dhe kam kërkuar një shumë e cila mendoj që është simbolike që çdo vit t’i ndahet nga 50 milionë për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin që të zhvillohet ajo anë dhe kam kërkuar që edhe Shqipëria ta bëjë të njëjtën”, thotë ai.

Kur foli për mungesën e energjisë elektrike dhe dëmet që po u shkaktohen bizneseve ai tha se në shumë raste janë përdorur standarde të dyfishta, raporton EO.

“Nëse qytetari nëse nuk është i rregullt me pagesa bëhet menjëherë shkëputja. Këto standarde të dyfishta ndaj këtij qytetari të mirë, të ndërgjegjshëm, por këto standarde të dyfishta i kisha larguar dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe të mos rreshtin asnjëherë duke e ngritur zërin e tyre aty ku u bëhet e padrejtë”.