Pacolli paralajmëron padi ndaj Alma Lamës

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar padi ndaj ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lamës, raporton Gazeta Express.

Pacolli përmes një shkrimi në Facebook e ka quajtur Lamën gënjeshtare duke thënë se e njëjta ka shpifur.

“Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë”, ka shkruar Pacolli.

Mbrëmë ndërkaq ish-ambasadorja Lama ka shkruar se Pacolli kishte premtuar se do t’i jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, mirëpo, ka dërguar 500 granata helmi, gaz lotsjellës.

“Premtoi se do të jepte 1 milion euro për tërmetin në Shqipëri, por, dërgoi 500 granata helmi, gaz lotsjellës”, ka shkruar Lama.

Kjo pas lajmit që është publikuar mbrëmë nga portali Insajderi, e ku shkruhej se gazit lotsjellës që u përdor kundër protestuesve në Shqipëri ishte marrë nga policia e Kosovës. Tutje, shkruhet se kjo ishte bërë mes një marrëveshje që e kishte nënshkruar drejtori i PK-së, Rashit Qalaj dhe Ard Veliu, drejtor i Policisë së Shqipërisë.

Sipas këtij lajmi, marrëveshja ishte nënshkruar për 500 granata me gaz lotsjellës.

Për këtë thuhet se ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa e kishte kërkuar nënshkrimin e Behgjet Pacollit./GazetaExpress/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT