Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, i ka reaguar presidentit Hashim Thaçi pas akuzave se familja e saj i ka shërbyer Serbisë, shkruan Gazeta Metro.

Osmani duke ju referuar Thaçit me nofkën “gjarpri”, ka thënë se ka tentuar ta kafshojë nderin e familjes të saj, por ajo ka thënë se babai e saj e ka njohur vetëm një komandant suprem, e ai sipas saj ka qenë ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Ajo ka shkruar se Thaçi po e shpallë edhe familjen e saj tradhtare vetëm pse babai i saj i ka shërbyer Rugovës.

Po ashtu Osmani ka thënë Thaçi mbetet e zeza e këtij vendi dhe se nuk do dorëzohet para tij.

Reagimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime.
Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura.
Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e qon vendin tonë drejt humnerës. Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë.//gazetametro.net