Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani ka thënë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë është vendosur në mënyrë unanime që kryeministri Avdullah Hoti të ftohet për raportim në Kuvend, para se të niset për Washington.

“Me vendim unanim të anëtarëve prezent të Kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit [Avdullah Hoti] në mënyrë që ai t’i raportojë Kuvendit para se të niset për Washington në takimin e datës 27 qershor, duke e pasë gjithnjë parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë Kuvendi dhe detyrimin që e ka Qeveria që t’i raportojë Kuvendit për çështje të politikës së jashtme”.

“Do ta ftojmë kryeministrin që të vijë në Kuvend që të debatojë dhe raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Kosova. Datën do ta caktojmë bashkarisht, por patjetër që duhet të ndodhë para udhëtimit në Washington”.

Osmani në konferencën për media ka njoftuar se të martën do të mbahen dy seanca plenare, njofton Klan Kosova.

“Kemi vendosur që të martën t’i mbajmë dy seanca plenare. Seanca e parë do të jetë vazhdimësi e seancës së mbetur në gjysmë javën që shkoi që ka të bëjë me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Seanca e dytë do të përfshijë disa pika të reja të rendit që kanë të bëjnë me krijimin e Komisioneve Ad-Hoc për përzgjedhjen e disa bordeve dhe komisioneve që presin të trajtohen në Kuvendin e Kosovës”.

“Një çështje tjetër që mund të trajtohet në atë seancë apo në ndonjë datë tjetër që e caktojmë do të jetë edhe interpelanca – sepse, afati përfundon brenda pak ditësh – në raport me kryeministrin e vendit e kërkuar nga një grup deputetësh që ka të bëjë me heqjen e reciprocitetit në raport me Serbinë”.

Kryeparlamentarja ka njoftuar se Kryesia e Kuvendit ka miratuar edhe propozimin e saj të bërë në seancën solemne të javës së kaluar që ka të bëjë me lënien e një karrige të zbrazët në qendër të Kuvendit dedikuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës.