Deputetët opozitarë të Kuvendit të Kosovës janë shprehur të bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme para pranverës së vitit të ardhshëm, kohë kjo në të cilën, deputet i listës serbe Nenad Rashiq, mendon se do të ndodhin zgjedhjet e parakohshme.
Sipas deputetëve të subjekteve opozitare, tashëm janë bërë shumë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje. Ndryshe nga opozita, deputetët e partive në pozitë nuk ishin të gatshëm të flasin në lidhje me këtë çështje.
“Nuk dua ta komentoj njëherë këtë deklaratë. Po shikoj njëherë se në çfarë konteksti e ka thënë dhe përgjigjëm më vonë”, tha Pajaziti.
I gatshëm të jap që të jap përgjigje, në lidhje me deklaratën e Rashiqit, nuk ishte as Adem Salihaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.
“Mi dërgo të lutëm pyetjet në Facebook sepse nuk po mund të koncentrohem që të jap përgjigje”, tha Salihaj.
Ndërkohë “Gazeta Blic” ia ka përcjellur pyetjet këtij deputetit të LDK-së edhe në rrjetin social Facebook mirëpo as aty nuk ka dhënë ndonjë përgjigje deri më tash.
Në anën tjetër, Valdete Bajrami deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma për Kosovë duke e komentuar deklaratën e Rashiqit për zgjedhje, i tha “Gazeta Blic” se ato do duhej të mbaheshin qysh në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se kryeministri i vendit Isa Mustafa e ka shkelur kushtetutën.
“Zgjedhjet do duhej të mbaheshin në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se z.Mustafa e ka shkelur kushtetutën, ne vazhdimisht kemi bërë ftesë që ai të tërhiqet, sepse deri më tani ai vazhdon të qeverisë si shkelës i kushtetutës”, tha Bajrami.
Sipas kësaj deputeteje, akuzat dhe kundër akuzat ndërmjet zyrtarëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK janë një arsye më shumë që vendi të shkojë në zgjedhje para pranverës së vitit 2017.
“Duke i parë edhe raportet mes PDK dhe LDK besoj që nuk do të shkojmë deri në mars të vitit të ardhshëm, shumë shpejt do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme”, është shprehur Bajrami.
Duke mos dashur ta komentoj deklaratën e deputetit të listës serbe, në lidhje me kohën kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu, tregoi qëndrimin e subjektit të saj politik karshi zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe natyrisht që do të angazhohemi në vazhdimësi për këtë, për faktin se kjo qeveri e ka dëshmuar se nuk ka as dije e as vullnet për të qeverisur me vendin. Si subjekt politik Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që i ka kërkuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës dhe unë jam e bindur që ato do të mbahen shumë shpejtë edhe për shkak të rrethanave politike, mirëpo edhe për shkak të mos vullnetit të qeverisë për të qeverisur me vendin apo për keqqeverisjen e z.Mustafa për qeverisjen e vendit”, tha Haxhiu.
Më tej, deputetja nga VV-ja, veçoi për “Gazeta Blic” se është e rëndësishme nga ana e tyre që në vazhdimësi po e sfidojnë qeverinë për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.
“Ajo çfarë është tepër e rëndësishme është që ne si subjekt politik se në vazhdimësi si subjekt politik do ta sfidojmë qeverinë dhe si duket që zgjedhjet janë të pashmangshme”, tha ajo.
Ndërsa debati për reformë zgjedhore i iniciuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sipas Haxhiut është i padrejtë dhe si i tillë ai vetëm sa do t’ia zgjatë mandatin kësaj qeverie.
“Është i padrejtë fakti që i Thaçi ashtuquajtur president po mundohet që të bëjë reformë zgjedhore për t’ia zgjatur qeverisë jetën, mirëpo në asnjëherë nuk do të marrim pjesë në tryeza ku flitet për zgjedhje sepse në kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt”, ka thënë Haxhiu.
“Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe me Pal Lekaj dhe Daut Haradinaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së në lidhje me deklaratën në fjalë, mirëpo nga ta nuk ka arritur që të marrë asnjë përgjigje të vetme, pasi që nuk i janë përgjigjur thirrjeve tona.
Në mungesë të veprimeve konkrete, gatishmëri për zgjedhje të parakohshme kanë shprehur të gjitha partitë politike në vend, përfshirë këtu edhe ato në pozitë.
Ndryshe, situata politike në vend nuk është e qet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, veçanërisht në këto dy vitet e fundit kur prioritet i qeverisë ka qenë finalizimi i dy marrëveshjeve, asaj të Demarkacionit me Malin e zi dhe Asociacionit të Komunave Serbe.