Opozita nuk i beson Kushtetueses, përkrahë ratifikimin e MSA-së

    Opozita nuk i ka dhënë mbështetje nismës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga që parimet e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

    Sipas deputetëve opozitarë, Gjykata Kushtetuese e ka humbur besueshmërinë që të nxjerrë vendime në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese është bërë një instrument i mbrojtjes së interesave politike të partive të caktuara dhe institucioneve të caktuara.

    “Kemi një Gjykatë Kushtetuese e cila përbërjen e ka skandaloze. Që prej kryetares e cila është duke u hetuar për falsifikim kuorumi e deri te tre anëtarët ndërkombëtar të cilët jashtëligjshëm janë emëruar nga presidentja aty”.

    “Pra, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, fatkeqësisht është një institucion i cili nuk ka kredibilitet dhe i cili në asnjë moment nuk është vendosur në mbrojtje të Kushtetutës, gjë që do të duhej ta bënte”, ka thënë Ymeri.

    Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i kanë dhënë mbështetje presidentes Jahjaga.

    Kryeministri Mustafa ka potencuar se edhe me marrëveshjen e 25 gushtit të nënshkruar në Bruksel ndërmjet tij dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është paraparë që Gjykata Kushtetuese të interpretoj parimet e marrëveshjes.

    “Neve na vjen mirë që do të realizohet një mundësi e tillë sepse ne edhe me marrëveshje e kemi lënë mundësinë që Gjykata Kushtetuese ta jap mendimin në të gjitha procedurat se a është marrëveshja si tërësi ose çdo pikë e saj në harmoni me Kushtetutën dhe ne si qeveri do të respektojmë në plotëni mendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Mustafa.

    Pushteti dhe opozita kanë acaruar raportet në Kuvend që nga 25 gushti, kur ishte nënshkruar marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

    Të dy marrëveshjet po kundërshtohen nga opozita e cila po këmbëngul që ato të anulohen.

    Gaz lotsjellës në Kuvend / 23 tetorGaz lotsjellës në Kuvend / 23 tetor

    Si masë proteste, për më gjatë se një muaj, opozita po e bllokon punën e Kuvendit, duke përdorë edhe bllokimin e foltores, hedhje të gazit lotsjellës e veprime tjera që pamundësuan punën normale të legjislativit.

    Me gjithë tensionet e krijuara, Kuvendi arriti të enjten të mbajë një seancë solemne në të cilën deputetëve iu drejtua presidenti i Austrisë Hainz Fischer.

    Por, edhe në këtë seancë, Vetëvendosje shpalosi dy pankarta ku i kërkohej presidentit austriak që të faktori ndërkombëtar të mos hesht ndaj hegjemonisë së Serbisë në raport me Kosovën si dhe pankarta e dytë ku thuhej “President ruaje shpinën – prapa teje qëndrojnë ulur gënjeshtar të korruptuar”, që i referohej kabinetit qeveritar të Kosovës.

    Një seancë tjetër me një rrjedhë më normale pritet edhe të hënën kur pozita dhe opozita janë pajtuar që të ratifikojnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe seanca e 6 nëntorit, kur Kuvendit do t’i drejtohet Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

    Pas seancave plenare, opozita mendon të aktivizohet sërish në mënyrë që të bllokoj punën e Kuvendit. Këtë e ka rikonfirmuar vet kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

    “Nuk ka dhe as nuk do të ketë seanca e as normalizim të këtij Kuvendi për sa kohë që Kosova po de-normalizohet me marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacion”, ka theksuar Ymeri.

    Përkundër kërcënimeve të opozitës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka përsëritur se puna e legjislativit do të vazhdoj.

    “Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdoj agjendën e vet të funksionimit normal në kuadër të përgjegjësive që i ka”, ka thënë Veseli.

    Sidoqoftë, pas seancave solemne që pritet të mbahen, mbetet të shihet se cila do të jetë rrjedha e seancave të rregullta të punës, të cilat tri partitë në opozitë thonë se do t’i bllokojnë sipas skenarëve tashmë të njohur nga mbledhjet e fundit.