Operacion i gjerë anti-kanabis në Vlorë, 16 mijë rrënjë të asgjësuara

Asgjësohen rreth 16.000 bimë narkotike kanabis sativa në 5 fshatra të Vlorës si dhe arrestohet në flagrancë një nga autorët, ndërsa një tjetër shpallet në kërkim dhe dy të tjerë procedohen në gjendje të lirë.

Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies. Ato janë gjetur të kultivuara në fshatrat Trevllazër, Llakatund, Tërbaç, Armen dhe Karroq, të mbjella në zona të vështira, kryesisht në mesin e pyjeve të dendura, përgjatë luginave.

U proceduan në gjendje të lirë dy shtetas: Xh.H., 54 vjeç, banues në Vlorë, D.B., 20 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë.

Dy prej këtyre parcelave me rreth 6.000 bimë narkotike janë gjetur të mbjella pranë fshatit Karroq të Sarandës. Policia ka arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar për kultivimin e këtyre bimëve narkotike, shtetasin Gëzim Shena, 28 vjeç, banues në Gjirokastër. Është shpallur në kërkim shtetasi R.K., 28 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, pranë vendit të ngjarjes, Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri automatik-model 54; 14 fishekë të kalibrit 7.62 mm; 1 automjet tip “Mitsubishi” me targë AA781LS; një motoçikletë pa targa, të cilat dyshohet se kanë qenë në përdorim të dy shtetasve të mësipërm.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në kultivimin e bimëve narkotike.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT