Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot Jan-Peter Olters, drejtues i Bankës Botërore për Kosovën. Në takim u diskutua për agjendën kuvendore dhe prioritetet e Bankës Botërore për Kosovën.
Z. Veseli shprehu falënderim për aktivitetet e ngjeshura të Bankës Botërore në Kosovë, duke theksuar nevojën e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit, jo vetëm për energjinë dhe ujin, por edhe për bujqësinë, teknologjinë informative, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të gjitha këto në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Z. Olters theksoi se Banka Botërore është duke mbështetur projektet e rëndësishme këtu dhe konfirmoi angazhimin e mëtejmë që Kosova të përfitojë projekte kapitale nga ky institucion i rëndësishëm financiar, si: në fushën investimeve strategjike për projektet infrastrukturore, bujqësisë dhe ambientit.
Bashkëbiseduesit u dakorduan se ka mundësi dhe hapësirë për thellimin e bashkëpunimit, duke vënë në pah prioritetet që do ta ndryshojnë gjendjen në të cilën është Kosova dhe populli i saj.