Oda gjermane me projekt për aftësimin e të rinjve kosovarë në Gjermani

Qytetarët e Kosovës të moshës mbi 18 vjeçare do të kenë mundësinë të aftësohen profesionalisht në Gjermani. Kjo është bërë e mundur pasi që Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për realizimin projektit, “Arsim dhe aftësim profesional në Gjermani” për qytetarët e Kosovës.
Kosova si shtet i ri vazhdon të ballafaqohet me problemin e punësimit, e sidomos të rinjve. Nga të dhënat e institucioneve vendore dhe ato ndërkombëtare Kosova renditet në pozitën më të ulët sa i përket punësimit, përkatësisht më së larti për nga shkalla e papunësisë në rajon dhe në Evropë. Sipas shifrave zyrtare shkalla e papunësisë në vend është 30.9%. Përderisa çdo vit si forcë pune në tregun e punës hyjnë rreth 25 mijë persona.
Papunësia te të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë, ku në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 55.9% janë të papunë.
Samir Krasniqi, kryetar i OEGJK-së, ka thënë se përmes këtij projekti të rinjtë kosovarë kanë mundësi të kryejnë një aftësim dhe arsim profesional që është një përzierje në mes të punës praktike dhe shkollimit.
Ai ka bërë të ditur se projekti është në fazën e implementimit dhe deri më 21 prill është afati i aplikimit, ku mund të aplikojnë të rinjtë kosovarë që janë mbi moshën 18 vjeçare që kanë njohuri gjuhën gjermane.

“Ata do t’i selektojmë varësisht nga njohuritë e gjuhës dhe profesionit të tyre që do të zgjedhin dhe pastaj do të mundojmë që të gjejmë vend pune në kompanitë gjermane. Nuk ka kufizime në numër të rinjve, por kjo varet nga vendet e punës që do të gjejnë në Gjermani. Mënyra e aftësimit profesional zgjatë tri vjet e gjysmë dhe pas përfundimit mund të kthehen në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar se vitin e kaluar një grup prej 10 të rinjve kanë filluar aftësimin profesionale dhe se kompania që i ka pranuar ata të rinj, është shumë e kënaqur.
Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se ky është një hap i mirë për të rinjtë dhe shoqërinë e Kosovës ku do të mund të trajnohen dhe të aftësohen në një shtet evropian si Gjermania, e cila është i njohur për aftësimet profesionale.

“Të rinjtë të cilët do të aftësohen nga ky projekt do të kenë mundësi që kur të kthehen në Kosovë me praktikën dhe punën që kanë fituar atje të themelojnë biznese të veta në vend dhe do të hapin vende të reja të punës. Projekti është i rëndësishëm ngase ekziston një hendikep i madh në sistemin arsimor se çka prodhojmë dhe çka kërkohet në tregun e punës në Kosovë”, ka thënë ai.

Abrashi ka theksuar se do të ketë edhe mundësi dhe marrëveshje tjera edhe me vendet tjera evropiane.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT