Obama kritikon Trump, mos duhet t’i mbajmë myslimanët nën mbikëqyrje?

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka kritikuar fuqishëm kandidatin republikan për qëndrimin e tij diskriminues ndaj myslimanëve pasi një amerikan mysliman vrau të dielën 49 persona në një klub nate në Orlando.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka reaguar ashpër ndaj kandidatit presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump, i cili ka mbrojtur praktikat diskriminuese kundër të gjithë myslimanëve pasi një qytetar amerikan mysliman, i quajtur Omar Mateen, vrau të dielën herët 49 persona në një klub nate të frekuentuar nga homoseksualët në qytetin Orlando të Floridës.

“A do të fillojmë t’i trajtojmë ndryshe amerikanët myslimanë? Mos vallë duhet t’i mbajmë ata nën mbikëqyrje?”, ka pyetur kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili kundërshton me ngulm propozimin e kandidatit të mundshëm presidencial të republikanëve për të ndaluar hyrjen e të gjithë myslimanëve në SHBA.

Obama ka rikujtuar se e kaluara e SHBA-ve dëshmon disa periudha, gjatë të cilave kanë vepruar nën efektin e frikës dhe më pas janë penduar.

“Kemi parë periudha, në të cilat administrata jonë nuk kishte besim te qytetarët e saj dhe këto u bënë një pjesë e turpshme e historisë sonë. Themelet e SHBA-ve janë ngritur mbi lirinë fetare. Nëse iu largohemi këtyre vlerave, atëherë ne tradhtojmë parimet, që përpiqemi të mbrojmë. Unë s’do të lejoj që kjo gjë të ndodhë”, është shprehur lideri amerikan. /trt/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT