Nxënësja që e nxiti urrejtjen kundër mësuesit të vrarë s’ishte fare në klasë, kishte gënjyer

Një nxënëse franceze ka pranuar se ka gënjyer dhe ka shpërndarë pretendime të rreme rreth mësuesit Samuel Paty, i cili u vra nga një i ri me prejardhje çeçene vitin e kaluar.

Mësuesit Paty iu hoq koka pasi kishte shfaqur para nxënësve disa karikatura të profetit Muhamed, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Nxënësja që pranoi se ka gënjyer që ka qenë në klasë me fjalët e saj kishte nxitur një fushatë të urrejtjes në internet kundër mësuesit të ndjerë.

Vajza 13-vjeçare, emri i së cilës nuk është bërë publik, i kishte thënë babait të vet se mësuesi u kishte kërkuar nxënësve myslimanë që të largohen nga klasa përderisa i shfaqte karikaturat në orën e mësimit për lirinë e të shprehurit dhe blasfeminë.

“Ajo gënjeu, sepse u ndie e zënë ngushtë kur nxënësit e klasës i kishin kërkuar që të bëhej zëdhënëse”, tha avokati i saj, Mbeko Tabula.

Babai i kësaj vajze kishte paraqitur ankesë ligjore kundër mësuesit dhe kishte fillur një fushatë të urrejtjes në internet në lidhje me këtë rast.

Pak kohë pas vrasjes, prokurorët thanë se ka ekzistuar një lidhje e drejtpërdrejtë shkakore mes nxitjes kundër mësuesit dhe vrasjes së tij.

Pas vrasjes, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ia dhuroi familjes së mësuesit dekoratën më të lartë kombëtare, “Legjionin e Nderit”.

Paraqitja grafike e pamjes së profetit Muhamed është e çështje e ndjeshme në Islam dhe nga myslimanët merret si fyerje.

Dymbëdhjetë persona ishin vrarë nga një sulm ekstremist në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në vitin 2015 për shkak të publikimit të karikaturave të profetit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT