Lëvizja Vetëvendosje në Drenas e ka vendosur kandidatin e saj për Kryetar të Drenasit në garën zgjedhore të 17 tetorit.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, anëtarësia e kësaj partie në degën e Drenasit, që drejtohet prej vitesh nga Shemsi Elezi, i ka dhënë mbështetje Fejzi Kiqinës.

Fejzi Kiqina është vëllau i dëshmorit të njohur, Gjeneral, Rasim Kiqina.

Burimet nga dega e VV-së ne Drenas kanë thënë se emri i Fejzi Kiqinës është dërguar në selinë e Albin Kurtit dhe pritet aprovimi nga kjo parti.

Në komunën e Drenasit, që aktualisht qeveriset nga PDK, pritet të zhvillohet një nga garat më interesante për kryetar të saj.

Ramiz Lladrovci nuk ka marrë mbështetjen e Degës së PDK-së për të qenë kandidat i saj, por PDK-ja në qendër, në kohën sa Enver Hoxhaj ishte UD i Kryetarit të partisë, është deklaruar se Lladrovci mbetet kandidat, përkundër vullnetit të degës së partisë.

Dega e PDK-së në Drenas i ka dhënë mbështetje dhe e ka nominuar të riun Driton Ajazi, i cili vjen nga radhët e kësaj partie. Ai prej disa ditësh ka filluar prezantimin e ideve të tij për Drenasin.

Nga Konventa e 10 e PDK-së ku Memli Krasniqi u zgjodh kryetar, Ajazi ka postuar foto me kryetarin e ri të partisë.