Ndonëse është rritur interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19, shumë prej tyre nuk po kanë mundësi të marrin vaksinën, kjo për shkak që nuk po arrijnë të gjejnë termine të lira për t’u vaksinuar.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbrëmë në konferencën e mbajtur pas mbledhjes urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka lënë të nënkuptohet se vendi po përballet me mungesë të vaksinave për imunizimin ndaj koronavirusit. I njëjti ka bërë thirrje edhe që të merret edhe vaksina AstraZeneca, krahas asaj të kompanisë Pfizer.

Ndërsa, sot pritet të vijnë edhe 55 mijë doza të reja të vaksinës njofton bashkëpunëtori i kryeministrit Kurti, Arianit Beqiri.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Beqiri shkruan: “Në stoqet tona për momentin janë:

– 38,610 vaksina Pfizer në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK). Mirëpo, janë edhe +15,000 vaksina që janë nëpër komunat përkatëse. – 132,438 vaksina AstraZeneca. Sot pritet të vijnë rreth 55,000 doza të reja”.

Për më shumë se një javë shumë qytetarë është dashur të presin derisa të gjejnë termine të lira për t’u vaksinuar.

E një situatë e tillë tashmë po na përcjell që një kohë.