Numri i të pagjeturve 1655, prej të cilëve mbi 400 joshqiptarë

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, shqyrtoi dje pasdite rekomandimet e grupit punues lidhur me peticionin për zbardhjen e fatit të profesor, Ukshin Hoti.
Për të diskutuar për këtë çështje, i pranishëm ishte edhe drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërgjaliu.
Duke folur për angazhimet e deritashme të këtij departamenti, Gërgjaliu njoftoi për sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ai tha se departamenti që ai udhëheqë, Komisioni Qeveritar për Zbardhjen e Fatit të Personave të Pagjetur, si dhe nën komisionet, punojnë në bazë të një memorandumi të nënshkruar që nga koha e UNMIK-ut. Ky memorandum, tha ai, nuk i përshtatet rrethanave të tanishme, ndërkaq, shprehu nevojën e ndryshimit të tij. Në vijim, Gërgjaliu foli edhe për barrierat e tjera në të cilat hasin, përfshirë këtu përkrahjen e pamjaftueshme të Qeverisë, mungesën e laboratorit për kryerjen e analizës së ADN-së, mungesën e antropologëve, si dhe mos organizimi i trajnimeve për stafin, ndërkaq, falënderoi Ambasadën e Zvicrës dhe atë të Belgjikës për ndihmën e ofruar. Në vijim, ai njoftoi edhe për numrin e të pagjeturve, për të cilin tha se arrin në 1655, prej të cilëve më se 400, i përkasin komunitetit joshqiptar. Lidhur me fatin e profesor Ukshin Hoti, ndërkaq, drejtori Gërgjaliu njoftoi se ata këtë çështje e kanë ngritur në të gjitha rastet dhe në të gjitha instancat që u është dhënë mundësia gjatë punës së tyre, thuhet në komunikatën e publikuar mbrëmë nga ky takim.
Pas kësaj, kryesuesja e grupit punues për shqyrtimin e këtij peticioni, deputetja Mexhide Mjaku- Topalli, paraqiti rekomandimet për këtë peticion, i cili në mënyrë unanime u përkrah nga komisioni.
Në këtë mbledhje, komisioni vendosi që të përsëritë konkursin për Avokatin e Popullit, pasi që Kuvendi nuk ka mundur të zgjedhë atë në mbledhjen e shkuar plenare.
Në fund të mbledhjes së sotme, me kërkesë të përfaqësuesve të opozitës në komision, është diskutuar edhe për peticionin kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT