Nuland në Maqedoni: Është koha për zgjidhjen e krizës politike

    “Tani është koha për zgjidhjen e krizës politike”, – porositi ndihmëssekretarja amerikane e shtetit Viktoria Nuland, pas takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski në Shkup, duke thënë se ka parë vullnet politik tek palët për të tejkaluar mosmarrëveshjet. Nuland theksoi se vizitën në Shkup e ka shfrytëzuar për të përafruar dallimet mes palëve në prag të vizitës së nesërme të euro-komisarit Johanes Han, kur do të bëhet një tjetër përpjekje për zgjidhjen përfundimtare të krizës. Marrëveshja e 2 qershorit sipas saj është bazë e mirë për arritjen e kompromisit të nevojshëm, për të vazhduar më pas me adresimin e reformave zgjedhore, gjyqësore dhe të sferës së mediave.

    “Tani është koha për të zgjidhur krizën. Z. Hahn do të jetë këtu nesër, ne i mbështesim fuqishëm bisedimet nesër. Unë e kalova ditën duke biseduar me të gjitha palët e përfshira për të përafruar qëndrimet, me qëllim që të arrihet kjo marrëveshje dhe vendi të fokusohet në reformat që duhen bërë, të punojë për çështjen e mediave, çështjen e gjyqësorit, t’i adresojë shqetësimet, t’i adresojë çështjet e zgjedhjeve”, deklaroi Viktoria Nuland, ndihmës sekretare e shtetit.

    Për kryeministrin Nikolla Gruevski, zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes procesit institucional, në përputhje me rendin kushtetues të vendit dhe vlerat evropiane.

    “Vlerat euro-atlantike janë udhërrëfyesi ynë edhe për zgjidhjen e sfidave aktuale politike, zgjidhja e të cilave është e mundur vetëm si proces juridik, institucional dhe politik, në përputhje me rendin kushtetues dhe parimet bazë të demokracisë dhe sundimit të së drejtës”, tha Nikolla Gruevski, Kryeministër.

    LSDM-ja nga ana tjetër, në një komunikatë pas takimit të kreut të saj Zoran Zaev me ndihmës-sekretaren Nuland, theksoi se:

    “Marrëveshja e 2 qershorit parashikon zgjidhje për çështjet kritike dhe theksuan se janë të domosdoshme masa urgjente në interes të normalizimit të vendit, nëse arrihet marrëveshje për Qeverinë që do të organizojë dhe realizojë zgjedhjet”.

    Nuland takoi edhe krerët e partive shqiptare, Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin. Në komunikatën e saj pas takimit, BDI-ja njoftoi se gjatë bisedës Ahmeti e ka vlerësuar si të papranueshëm vazhdimin e krizës politike dhe ngecjes së procesit integrues. BDI-ja është shprehur e gatshme për të përkrahur reformat e kërkuara nga Raporti i Pribes dhe Bashkimit Evropian, ndërsa ka kërkuar vazhdimin e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së emrit pas tejkalimit të krizës politike. Menduh Thaçi nga ana tjetër e ka quajtur të palogjikshëm dhe virtual problemin mes partive maqedonase, duke thënë se problemet e vetme të Maqedonisë janë zgjidhja e çështjes së emrit, marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e shqiptarëve, funksionimi i institucioneve si dhe ndarja proporcionale e buxhetit të shtetit. /alsat-m/