Nuk kishte licencë, Ambulanca e Aeroportit dënohet me 8 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor

Shërbimit mjekësor që vepron pranë aeroportit ndërkombëtar “Limak Kosovo”, i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore nga Inspektorati Shëndetësor.

Gjatë inspektimit ishte konstatuar se ky subjekt nuk kishte licencë pune të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili në kohën e inspektimit, ushtronte veprimtari shëndetësore-mjekësore, duke shkelur dispozitat ligjore. Madje për këtë i është shqiptuar edhe gjoba prej 8.000 eurosh.

IndeksOnline ka siguruar vendimin e Inspektoratit Shëndetësor, ku jepen arsyet e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe arsyet e gjobitjes.

Në vendim thuhet se institucioni shëndetësor mund të fillojë punën vetëm pasi të licencohet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Inspektorati Shëndetësor ka miratuar vendimin ku i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore deri në licencimin nga Ministria e Shëndetësisë shërbimi mjekësor-Limak Kosovo internacional Airport J.S.C, Adresa: Prishtina Internacional Airport, Vrellë, Lipjan, 10070, 0, dhe për shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për shëndetësinë gjobitet 8.000 euro. Pagesa e gjobës së shqiptuar në paragrafët paraprak duhet të bëhet në afat prej 8 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi në xhirollogarinë e Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Inspektorati Shëndetësor i Republikës së Kosovës më 21.01.2021, kishte bërë inspektimin e planifikuar në shërbimin mjekësor- Limak Kosovo internacional Airport J,S,C.

Limak Kosovo interacional Airport J.S.C (Shërbimi mjekësor), sipas vendimit të Inspektoratit Shëndetësor ka shkelur dispozitat ligjore të nenit 42 paragrafi 1 i cili përcakton se institucioni shëndetësor mund të fillojë punën vetëm pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, sanksionuar me nenin 94, paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për shëndetësinë 04/L-125.

Prandaj duke u bazuar në faktet e lartcekura dhe në dispozitat ligjore përkatëse, u vendos si në diapozitiv të këtij vendimit.

Nëse ky vendim nuk respektohet, Inspektorati Shëndetësor do të marrë masa tjera ndëshkimore në përputhje me Ligjet në fuqi./IndeksOnline/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT